Tension mes Lloris dhe Dibu Martinez, ballë për ballë përsëri

Kanë kaluar vetëm dy javë, por finalja e Kupës së Botës mes Argjentinës dhe Francës vazhdon edhe jashtë fushës. Portierët e dy kombëtareve janë takuar për ndeshjen e Premier League mes Tottenham dhe Aston Villas. Francezi Lloris nuk e ka përjetuar veçanërisht mirë takimin me kolegun e tij argjentinas, Martinez, protagonistin absolut në serinë e fundit të penalltive që i dorëzoi kupën amerikano-jugorëve.
Para se skuadrat të hynin në fushë, dy portierët u takuan në tunelin e stadiumit. Lloris është shfaqur mjaft nervoz, por nuk ka mundur të shmangë përshëndetjen e kolegut të tij, të përjetësuar nga kamerat. Ishte një gjest i domosdoshëm, për të mos nxitur polemika të tjera. Por sigurisht që Lloris do ta kishte shmangur me kënaqësi takimin e ngushtë me Dibu Martinez, i cili nga fishkëllima e fundit e ndeshjes vazhdoi me sjelljen e tij, jo gjithmonë me respekt ndaj kundërshtarëve të mposhtur në fushë.