E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tension ne nenstacionin e Manzes

Një situatë e rënduar është krijuar mbrëmjen e së hënës kur dhjetëra banorë të fshatrave Hamall, Kullë, Rrushkull e të tjerë janë grumbulluar rreth nënstacionit elektrik të Manzës.

Ata kanë kërkuar të futen brenda tij për të kthyer energjinë elektrike në banesat e tyre dhe kanë tentuar të sulmojnë godinën e mbrojtur nga dy roje.

Megjithë situatën e krijuar, CEZ Shpërndarje nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, gjë që i ka acaruar më tej banorët e mbetur në errësirë.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat e policisë së komisariatit të Shijakut, të cilat në orët e vona të natës kanë kërkuar forca shtesë nga komisariati i Durrësit për të mbajtur nën kontroll situatën.

Rreth orës 22 e 30 dhe pas ndërhyrjes së policisë, banorët janë larguar për t’u kthyer sërish të martën në mëngjes në këtë protestë.

Burime zyrtare nga CEZ bëjnë me dije se në zonë janë prerë 28 kabina elektrike dhe 694 abonentë. Kjo është bërë për shkak se prej vitesh nuk paguhet energjia elektrike, fatura e papaguar e së cilës ka arritur në 65 milionë lekë në total.

Një ngjarje e ngjashme ndodhi muajin e kaluar në Ballsh, ku rreth 150 persona rrethuan nënstacionin elektrik të qytetit, pasi disa fshatra të zones përreth kishin mbetur pa energji elektrike. 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›