Tension te Tirana, në Elbasan rrezikohet kreu
TIRANE- Tirana luan sot ndeshjen më delikate të fazës së parë të Superligës, teksa udhëton për në Elbasan, një fushë ku gjithnjë e ka patur të vështirë të fitojë. Pa më të voglin dyshim, “Rruzhdi Bizhuta” ka qenë impianti më i vështirë ku kanë luajtur bardheblutë në katër vitet e fundit. Vetëm një fitore në Kupë dhe një tjetër shumë e përfolur dy vjet më parë, e tregojnë mjaft mirë këtë. Në kampin e Tiranës dje patën “kyçur” gojën thuajse të gjithë, ndoshta duke e ndjerë rëndësinë e kësaj sfide. Ekipi i Slishkoviç regjistron dy barazime radhazi dhe një humbje në ndeshjen e sotme do të bënte që Dinamo t’i merrte vendin e parë. Edhe barazimi duket një rezultat i rrezikshëm, pasi rivalët e tjerë do të ishin shumë pranë. Megjithatë, pavarësisht se të gjithë kanë qenë në heshtje, nga Tirana pritet një reagim sot. Elbasani ka patur shumë probleme gjatë javës dhe Slishkoviç ka nën urdhrat e tij një ekip më të mirë përsa u përket emrave. Në takimin tjetër që do të luhet sot, Dinamo ka një mundësi të mirë për t’u afruar, duke shpresuar edhe tek një frenim i bardhebluve. Skuadra e drejtuar nga Zllatko Daliç pret Flamurtarin, një ekip me mjaft probleme në javët e fundit.
Vllaznia e Shkumbini
Vllaznia ka arritur fitoren e dytë radhazi, duke u konfirmuar si një nga pretendentet për titullin kampion këtë sezon. Shkodranët triumfuan 4-1 dje në “Roza Haxhiu” të Lushnjës, në një ndeshje që nuk pati aspak histori. Beqiri, Bashiç, Dhëmbi dhe Lici shënuan për ekipin e drejtuar nga Agim Canaj, që ngjitet kështu në kuotën e 18 pikëve, një më pak se Tirana e vendit të parë. Tre pikët e djeshme e kanë vënë nën presion direkt ekipin bardheblu, që sot duhet të fitojë për të siguruar një tjetër shkëputje. Por, çudia e këtij sezoni është Shkumbini, që dje u është rikthyer fitoreve në fushën e tij. Një gol i Rizvanollit në pjesën e parë dhe një tjetër i Deliovskit në të dytën, i dhanë fitoren skuadrës së drejtuar nga Gugash Magani, që tashmë ngjitet edhe ajo në kuotën e 18 pikëve. Nëse titulli kampion kërkon një skuadër më të fortë, është e sigurt se Shkumbini do të luftojë për një vend në Kupat e Evropës këtë sezon. Skuadra peqinase nuk mundet që prej takimit në shtëpi kundër Lushnjës. Ndërkohë, në ndeshjen tjetër të luajtur dje, Tueta arriti të fitonte 1-0 ndaj Bylisit dhe tashmë i afrohet më shumë zonës së Kupave të Evropës. Ka mjaftuar një gol i Emiljano Vilës me penallti që durrsakët të marrin 3 pikët e radhës.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)