E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kakome", shoqërohen në polici 12 protestues

Sot paradite dhjetëra banorë nga komuna e Lukovës protestuan para komisariatit të Sarandës dhe kërkuan lirimin e bashkëfshatarëve. Banorët nuk lejojnë firmën “Riviera” të nisë punën për ndërtimin e fshatit turistik të “Kakomesë”. 

SARANDE- Banorët e fshatrave Lukovë, Piqeras dhe Nivicë të rrethit të Sarandës protestuan sot paradite përpara komisariatit të këtij qyteti. Shkak u bë shoqërimi i 12 prej bashkëfshatarëve në qelitë e komisariatit mbrëmjen e djeshme.

Rreth orës 09. 00 të mëngjesit të sotëm, banorë nga 3 fshatrat kanë zbritur në Sarandë dhe janë vendosur përpara komisariatit të këtij qyteti duke kërkuar lirimin e bashkëfshatarëve. Prej disa ditësh banorët e kësaj zone vazhdojnë protestat e tyre kundër ndërtimit të fshatit turistik në Kakome.

Mbrëmë ata kishin mbledhur në sheshin e komunës së Lukovës makineritë e ndërtimit të firmës “Riviera", e njohur në sipërmarrjen e saj të pamundur prej vitit 2005 për të ngritur fshatin turistik në Kakome. Protestuesit janë mbështetur edhe nga kreu i komunës së Lukovës Vladimir Kume.

Protesta e banorëve “në mbrojtje të tokave të tyre” ka nisur ditë më parë që më 6 nëntor. Madje ato kanë bllokuar dhe aksin nacional Sarandë- Vlorë në vendin e quajtur gryka e Prodanit. Pasditen e 6 nëntorit banorët nuk lejuan futjen në Kakome të 5 makinave të mëdha të cilat do të bënin punime për ndërtimin e fshatit turistik të Kakomesë.
Banorët nuk pranojnë që në pronat e tyre të futen makineritë e rënda, dhe të vazhdojë puna pa u paraqitur më parë projektin e ndërtimit.

Në një deklaratë të mëparshme të kreut të komunës Vladimir Kume është shprehur se ekzistojnë të gjitha dokumentet për të vërtetuar pronësinë nga Nivica mbi kullotat Hermes, Dardhë e Sipërme, e deri buzë gjirit të rrethuar me lisa dhe pemët e ullinjve dhe me një lëndinë të bukur mbi të cilin kërkohet të ndërtohet një fshat turistik.

Më 19 shtator të këtij viti Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave shpalli të pavlefshme dokumentet e pronësisë së 129 niviciotëve që pretendonin se ishin pronarë të truallit duke i dhënë të drejtën firmës “Riviera” të vazhdojë punimet për ndërtimin e fshatit turistik. Në bazë të këtij vendimi, dokumentet që kanë paraqitur banorët e fshatit të Nivicës ku pretendojnë se janë pronarë në kullotat e ndodhura në luginën dhe pyllin përrreth gjirit të Kakomesë, me një sipërfaqe rreth 4300 ha, nuk janë të sakta, edhe pse disa prej tyre datojnë më 1291.

Fshati turistik është planifikuar të jetë buzë detit, ndërkohë që lidhjet janë parashikuar të kryhen nëpërmjet ishullit grek të Korfuzit. Sipërfaqja ku mendohet të ndërtohet fshati turistik, do të jetë rreth 70 mijë metra katrorë. Projekti parashikon ndërtimin e shtëpive me gurë, duke ndërthurur traditën vendase me kërkesat për një turizëm elitar.

(s.g/BalkanWeb) 



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›