Biberaj: Shqipëria, rrugë të gjatë për në BE
TIRANA- Anëtarësimi në Bashkimin Europian, është një proces i gjatë, por gjithsesi mendoj se jemi në rrugë të mbarë. Kështu është shprehur në një intervistë për agjencinë e lajmeve INA, zëvendës presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës, Aleksandër Biberaj. Sipas tij procesi i anëtarësimit fillon pasi të mbarojë ratifikimi i MSA-së nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. “Me sa di unë Greqia është ndër vendet e pakta që nuk e kanë ratifikuar akoma. Vullneti i Europës, është që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Europian, por kjo varet edhe nga reformat dhe suksesi i tyre në Shqipëri” – tha Biberaj. “Po kryejmë reformat të suksesshme, por mendoj se ka vend edhe për përmirësime si dhe për përshpejtim të reformave, në mënyrë që në një të ardhme të shpejtë të jemi pjesë e Bashkimit Europian”.
NATO
Marrja e ftesës për anëtarësim në NATO nga Samiti i Bukureshtit ka qenë një ngjarje historike për Shqipërinë, ngjarje e cila kulmoi me nëshkrimin e Protokollit të anëtarësimit nga Presidenti i SHBA-së George Bush- tha Biberaj. “Në të njëjtën kohë Protokolli është ratifikuar nga 7 vende të tjera anëtare të NATO-s, dhe uroj që ratifikimi të bëhet edhe nga vendet e tjera anëtare të NATO-s, në mënyrë që në Samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili përkon edhe me 50 vjetorin e krijimit të NATO-s që do të mbahet në qytetet Strasburg dhe Keln (Francë-Gjermani), Shqipëria të bëhet anëtare e NATO-s me të drejta të plota”.
Krimet e Komunizmit
Realisht, është miratuar një rezolutë nga Kuvendi i Shqipërisë me 30 tetor të vitit 2006, e cila deri tani ka mbetur thjesht në letër, pasi me përjashtim të ligjit për kompensimin material, nuk është zbatuar asnjë paragraf i saj. Aty parashikohet dënimi i krimeve të komunizmit dhe i figurës së Enver Hoxhës si ideatori, organizatori dhe realizuesi i të gjitha krimeve komuniste në Shqipëri. Sipas Biberajt parashikohet gjithashtu ngritja e një instituti për rehabilitimin e të persekutuarve si dhe akordimi i një fondi për gjetjen e eshtrave të të vrarëve dhe të zhdukurve nga diktatura, pasi ka familjarë që edhe sot e kësaj dite që nuk e dinë se ku i kanë eshtrat dhe varret e njerëzve të tyre më të dashur, pasi kriminelët komunistë, pasi i kanë torturuar çnjerëzisht dhe pastaj i kanë vrarë barbarisht, nuk iu kanë lënë as edhe një varr ku familjarët të kenë mundësi që të falen për shpirtrat e tyre.
(O.Zh BalkanWeb)