E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensione dhe përplasje në Bulevard, protestuesit i vënë flakën hyrjes së Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Protestues të maskuar vijojnë trazirat dhe aktet e dhunës në kryeqytet duke shkatërruar hapësirat publike dhe bizneset private.

Pas dëmtimit të bizneseve në rrugën e Elbasanit, të rinj të maskuar dogjën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, një kioskë e cila shpërtheu në flakë të mëdha si dhe shtëllunga tymi që u përhapën në ajër. Gjithashtu ato i vendosën flakën edhe një pishe përgjatë bulevardit.

Përgjatë perimetrit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, efektivë të policisë përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit.

Policia krijoi gjithashtu një gardh para Kryeministrisë për të mos lejuar afrimin e të rinjve, si dhe përdori ujë për largimin e tyre. Disa protestues reaguan duke hedhur mjete piroteknike në drejtim të policisë.

Më pas sërish vijoi përplasja mes protestuesve dhe forcave të policisë. Efektivët ndërhynë sërish për të shpërndarë protestuesit duke hedhur gaz lotsjellës dhe ujë me presion. Protestuesit u shpërndanë përgjatë parkut “Rinia” dhe u vendosën flakën disa kioskave dhe tabelave të reklamave përreth bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Momentet e tensionit midis vijuan në kryqëzimin e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe rrugës “Myslym Shyri”, ku protestuesit dogjën koshat e mbeturinave si dhe kioska.

Më pas, protestuesit e maskuar i vendosën zjarrin edhe derës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Zjarri u shua nga ndërhyrja e forcave zjarrfikëse.

Policia hodhi sërish gaz lotsjellës dhe ndërhyri fizikisht për të shpërndarë protestuesit.

Më pas protestuesit vijuan marshimin përgjatë bulevardit “Gjergj Fishta”, ku dëmtuan gjithashtu tabelat e reklamave si dhe një dyqan të një kompanie celulare pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës.

Protestuesit vijuan marshimin përgjatë zonës së “21 Dhjetorit”, ku edhe sulmuan me molotov Komisariatin nr. 2.

Gjatë gjithë ditës së sotme, protesta e të rinjve është shoqëruar me akte dhune dhe vandalizëm ndaj bizneseve private dhe institucioneve shtetërore në pika të ndryshme të Tiranës.

1 nga 60

/m.q/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›