Koçiu: Asnjë interes politik nuk justifikon dhunën ndaj Policisë së Shtetit

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dënoi aktet e dhunës, sulmet, kërcënimet dhe fyerjet ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë protestave, duke theksuar se asnjë qëllim apo interes politik nuk mund të justifikojë dhunën ndaj uniformës së shtetit.
Në një reagim, Koçiu u shpreh se dhjetëra punonjës të policisë janë lënduar, fyer dhe janë përballur me përbuzje ndërsa kanë qenë në krye të detyrës për garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Pas çdo uniforme qëndron një qytetar i këtij vendi. Një prind, një bashkëshort, një djalë apo një vajzë, që është larguar nga shtëpia për të garantuar rendin dhe sigurinë e të gjithëve, ndërsa familja e pret të kthehet shëndosh e mirë”, theksoi Koçiu.
Zëvendëskryeministrja theksoi se Policia e Shtetit është institucion i Republikës dhe jo pronë e një qeverie apo partie politike, duke nënvizuar se ajo shërben për sigurinë e të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe ata që protestojnë kundër qeverisë.
Koçiu rikujtoi se e drejta për të protestuar është themelore në një demokraci, por ajo nuk duhet të shndërrohet në dhunë ndaj punonjësve të policisë.
“E drejta për të protestuar është e shenjtë në një demokraci. Por askush nuk ka të drejtë ta kthejë protestën në dhunë dhe policin në shënjestër”, theksoi Koçiu.
Ajo shprehu respekt dhe solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit, veçanërisht me ata që janë lënduar gjatë ushtrimit të detyrës, ndërsa vlerësoi rolin e tyre në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“Në demokraci mund të jemi kundërshtarë politikë, por nuk mund ta trajtojmë njëri-tjetrin si armiq. Respekti për jetën nuk duhet të jetë kurrë çështje politike”, përfundoi Koçiu.
/gj.m/r.e/