Tensione në Mitrovicë, KFOR-i heq barrikadat

-- Aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadës në Rudarë, të vendosur nga serbët lokalë, është shoqëruar me përplasje të dhunshme
-- Bajram Rexhepi: Situata e tensionuar, në gatishmëri Policia e Kosovës
UPDATE- Aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadës në Rudarë, të vendosur nga serbët lokalë, është shoqëruar me tensione. Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki tha se që nga orët e para të mëngjesit, njësi të KFOR-it kanë përdorur makinerinë e rëndë dhe eskavatorët me qëllim heqjen e barrikadës në Rudarë. Por, me të nisur aksionin, strukturat paralele të pushtetit kanë lëshuar alarmin duke sinjalizuar banorët serbë që të dalin në mbrojtje të barrikadës së ngritur. Sipas mediave kosovare situata në Radarë përshkruhet e tensionuar. Mediat serbe kanë raportuar për tre persona të plagosur, por ky lajm nuk është konfirmuar nga KFOR-i. Me rritjen e tensioneve, KFOR-i ka përfshirë në aksion edhe helikopterët. Ndërkohë, përmes një komunikate me shkrim, KFOR-i vetëm konfirmon nisjen e aksionit për largimin e barrikadës në Rudarë. “Ky aktivitet ka për qëllim përmirësimin e lirisë së lëvizjes dhe nuk ka të bëjë vetëm me KFOR-in, por me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Ministri i Brendshëm, Rexhepi: Turma e serbëve sulmoi ushtarët e KFOR
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ka konfirmuar plagosjen e disa personave gjatë përleshjeve të sotme në veri të Mitrovicës, mes KFOR-it dhe banorëve lokalë. Misioni paqeruajtës i NATO-s ka bërë përpjekje të largojë barrikadat në fshatin Rudarë, ku edhe ka hasur në rezistencën e banorëve lokalë. Në një prononcim për mediat në Prishtinë, Rexhepi ka thënë se turma e serbëve ka qëlluar në drejtim të ushtarëve të KFOR-it, ndërsa ky i fundit ka përdorur gazin lotsjellës, plumba gome dhe ujë për shpërndarjen e tyre. Rexhepi ka pranuar se gjendja vazhdon të jetë e tensionuar, ndërkohë që ka bërë të ditur se KFOR-i ka larguar dy barrikada. Sipas tij, Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it janë në gjendje gatishmërie në rast nevoje. Serbët lokalë kanë vendosur barrikada në veri që nga korriku i vitit të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarë aksionin për futjen nën kontroll të vendkalimeve kufitare 1 dhe 31.
4 të plagosur
Ndërsa në Rudarë po vazhdon aksioni i KFOR-it për heqjen e barrikadës, nga informacionet më të fundit flitet një ushtar i KFOR-it është zhdukur. Sipas Kosovapress-it, dyshohet që ushtari në fjalë është rrëmbyer nga strukturat ilegale serbe që po përpiqen të mbrojnë barrikadën. Situata në këtë pjesë, vazhdimisht është duke u vëzhguar nga gjashtë helikopter të KFOR-it. Sipas gazetëes “Express”, një ushtar i KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë, njoftohet të jenë plagosur gjatë aksionit të KFOR-it për heqjen e barrikadës në Rudarë të vendosur nga serbët lokalë. Agjencia Reuters, duke iu referuar zëdhënësit Uve Novicki, njofton për një ushtar të plagosur nga Forca e KFOR-it, kurse mediat serbe për të paktën tre serbë të plagosur. Ndërkohë njësitë e KFOR-it, me ndihmën edhe të helikopterëve, vazhdojnë të përforcohen me trupa shtesë.
...