E Diel, 1 Nëntor 2026

Kandidati për President, Zaganjori takon Shpëtim Idrizin

01-06-2012 / Gazeta 55

Mazhoranca: Opozita i ka të gjitha mundësitë të bëhet pjesë e procesit


Kandidati i mazhorancës për postin e kreut të shtetit, Xhezair Zaganjori ka nisur turin e takimeve me krerët e partive parlamentare për të marrë mbështetjen e tyre. Pas takimit në selinë rozë me kryesocialistin Edi Rama, Zaganjori është takuar në një lokal në Tiranë edhe me kreun e PDIU-së Shpëtim Idrizi. Mazhoranca propozoi ditë më parë si kandidat të saj për president të vendit, anëtarin e gjykatës kushtetutese Xhezair Zaganjori por kjo kandidaturë nuk u pranua nga opozita e cila e cilësoi si të njëanshme. Raundi i parë i votimit për president dështoi pasi mazhoranca dhe opozita nuk arritën kompromis për të çuar në parlament një kandidat ndërkohë që kuvendi miratoi dje që dita e hënë, data 4 qershor të jetë edhe raundi i dytë i votimit. Mazhoranca është shprehur zyrtarisht përmes Ilir Metës dhe Ridvan Bodes se opozita i ka të gjitha mundësitë për t’u përfshirë në procesin konsensual të zgjedhjes së Presidentit. Për sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Ridvan Bode presidenti do zgjidhet para raundit të katërt, nëse opozita do pranojë kandidaturën e mazhorancës. Në të kundërt, procesi është përsëri në rrjedhë kushtetuese, pasi kandidatit për President i mjaftojnë 71 vota në raundin e katërt dhe të pestë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›