E Martë, 3 Nëntor 2026

Tensionet Kosovë–Serbi, Rama: Kërthiza e Evropës është Brukseli, jo ne, që të vendosnim

Kryeministri Edi Rama deklaroi të dielën se ka marrë fjalë të mira për hapat që po hedh Shqipëria drejt integrimit në BE dhe më së afërmi brenda rajonit.

Deklarata u bë në një konferencë të përbashkët me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen (o. von der Lejen), një ditë para se kryeqyteti shqiptar të mirëpresë 31 liderë të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për Samitin e Procesit të Berlinit, nisma që mori udhë në 2014-ën.

“Presidentja na informoi për ecurinë e procesit të ‘screening’, një lloj diagnoze shumë e thelluar e të gjithë situatës në gjithë sektorët e vendit, që ka marrë miratimin për të negociuar anëtarësimin. Më vjen shumë mirë që nga presidentja dëgjuam fjalë shumë të mira për këtë proces dhe çfarë Shqipëria ka bërë. Presidentja nuk thotë vetëm fjalë të mira, sepse atëherë ato do ta humbnin peshën reale në gojën e saj. Kemi folur edhe për situatën në rajon, për domosdoshmërinë e ecjes së përbashkët e të gjitha vendeve të rajonit, dhe atë që sipas meje është risia më e madhe, një samiti në kuadër të Procesit të Berlinit. Presidentja ka ardhur këtu për të paraqitur një plan të ri që të ndihmojë vendet tona për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Evropian,” tha kryeministri.

Kreu i qeverisë, falënderoi personalisht presidenten fon der Lajen që i është gjendur Shqipërisë pranë në momentet e saj më të vështira.

“Është gjendur pranë nesh përgjatë këtij rrugëtimi dhe nuk do ta lë asnjëherë pa përsëritur sa të jem në këtë detyrë, pranë nesh në një moment tragjik për vendin dhe popullin tonë, kur tërmeti shkatërrimtar solli aq shumë dhembje dhe aq shumë dhembje. Pa presidenten e Komisionit, pa angazhimin e saj të drejtpërdrejtë për të thirrur me shumë shpejtësi një konferencë të madhe në Bruksel dhe për të kërkuar nga të gjithë solidaritet, ne nuk do t’ia kishim dalë si ia dolëm dhe dhjetëra mijëra fëmijë që humbën shkollat e tyre nuk do të ishin duke bërë mësim në shkolla që nuk kanë asnjë ndryshim nga shkollat më të mira evropiane,” deklaroi z. Rama.

Kosova dhe Serbia kanë raporte të tensionuara prej muajsh dhe kryeministri i Shqipërisë nuk e sheh Samitin e së hënës si vendin për t’i adresuar ato.

“Procesi i Berlinit nxit katër liritë e Bashkimit Evropian për vendet: lirinë e lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve. Tipikisht ky proces dhe samitet e këtij procesi nuk janë vendi për zgjidhjen e çështjeve bilaterale, por në programin e Samitit të përgatitur prej shumë kohësh në harmoni me kancelarinë gjermane, dreka e punës e liderëve do t’i kushtohet edhe marrëdhënieve fqinjësore në rajon. Pra hapësira për një diskutim të hapur mes të pranishmëve është e programuar, por nuk është një samit i cili merr përsipër të gjejë zgjidhje për probleme që siç e tha presidentja lidhur me çështjen konkrete, janë probleme që trajtohen dhe duhet të zgjidhen nën ombrellën e Bashkimit Evropian.

Në këtë kornizë, nisur nga konflikti i ringjallur egërsisht midis Palestinë dhe Izraelit, kemi përcaktuar edhe një hapësirë për të diskutuar çështjet e fqinjësisë në rajon, por nuk është ky qëllimi i këtij Samiti. Vërtet Tirana është kryeqytetin evropian i Ballkanit, por nuk është kërthiza e Evropës. Kërthiza e Evropës është në Bruksel. Atje vendosen këto tema shumë të mëdha, ne thjesht kemi nderin të jemi bashkë me këtë familje, por nuk e kemi dhembjen e kokës se çfarë vendimesh duhen marrë. Nuk na takon neve këtu në Tiranë t’i japim zgjidhje problemeve të planetit,” deklaroi kryeministri Rama.

Të hënën mbahet samiti i 9-të i Procesit të Berlinit në Tiranë

“Ky është i pari samit i procesit të Berlinit që organizohet jashtë kufijve të Bashkimit Evropian gjë që na bën krenarë dhe shprehim kënaqësinë tonë si vend pritës duke shfaqur të gjithë fuqinë e mikpritjes shqiptare, e cila besoj që po të kishte një konkurs në Evropë, do ta synonte me shumë dinjitet vendin e parë. Nga ana tjetër jemi shumë të vetëdijshëm se ka shumë gjëra të tjera për të cilat jo vetëm jemi larg vendit të parë, por duhet të bëjmë përpjekje për të arritur standardet e cilësisë dhe jetës si në BE. Presidentja e Komisionit ka ardhur e para nga gjithë liderët e tjerë edhe sepse e ka çelur këtë moment me rrugën për të gjithë vajzat dhe djemtë e Shqipërisë dhe rajonit, të cilët dëshirojnë të kryejnë studime të thelluara në Kolegjin e Evropës në Tiranë. Kolegji do të jetë i dyti në Evropë jashtë Belgjikës, pas atij që Komisioni vendosi të hapë në Poloni për të mbështetur valën e parë të mbështetjes për vendet aspiruese,” tha z. Rama.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›