Tensionet ne Veri. BE nderhyn per dhunen ne Veri

Bashkimi Europian ndërhyn për të evituar një përshkallëzim të rrezikshëm të tensioneve ndërmjet Serbisë e Kosovës. Ndërmjetësuesi europian, Robert Cooper, këto ditë, do të kthehet në ambasador të mesazhit se vetëm dialogu është rrugëzgjidhja mes Prishtinës dhe Beogradit.
Zyrtari i Këshillit të Europës pritet të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin, bëri të ditur Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes për politikën e jashtme, Catherine Ashton. Ndërsa në Veri, me urdhër të komandantit të KFOR-it, Gjeneralit Erhard Bühler, njësitet e KFOR-it, në orët e para të mëngjesit, kanë larguar tri bllokada në rrugën kryesore mes Mitrovicës dhe Zubin Potokut, në rajonin e Zupçit. Në një komunikatë për media, forcat paqeruajtëse në Kosovë vlerësojnë se “operacioni u zbatua në mënyrë të shpejtë dhe me sukses".Pavarësisht kërcënimeve të autoriteteve kosovare që flasin për arrestimin e zyrtarëve serbë, shefit të delegacionit serb në bisedime me Prishtinën, Borko Stefanoviç dhe ministrit serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, në rast të hyrjes së tyre në territorin e Kosovës, këta të fundit duket se realizuan vizitën në veri të Kosovës. Ata mësohet të kenë hyrë në Leposaviç, mbrëmë vonë, përmes rrugëve sekondare. Ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, i quajti të paligjshme vizita të tilla pas incidenteve të javës së shkuar në atë pjesë të vendit, ku mbeten të bllokuara rrugët në disa pika si në Rudarë, Jarinjë dhe Zubçë.
Pas kthimit të tij në Serbi, kreu i delegacionit serb në bisedime me Kosovën Borko Stefanoviq mohoi që vizita të ketë pasur ndonjë qëllim provokues.
“Nuk jemi këtu për të provokuar dikë, po bëjmë një punë serioze, në kushte të vështira, ka shumë nervozë, nuk ekzistojnë elemente ekstremistë. Është më mirë që këtë krizë ta përfundojmë në mënyrë të qetë, dhe të nisim dialogun”, tha ai për të theksuar rëndësinë e rinisjes sa më parë të bisedimeve me autoritetet kosovare, të cilat nuk nguroi t'i akuzojë për tërheqje nga dialogu.
Delina Bitraku