Tensionet për Ukrainën, Biden mendon se Rusia do të sulmojë

Presidenti amerikan Joe Biden ka bërë të ditur se mendon se homologu i tij Vladimir Putin do të ndërmarrë lëvizje drejt Ukrainës por që nuk dëshiron një luftë në kuptimin e plotë të fjalës.
Gjatë një konference për shtyp mbajtur në një vjetorin e tij në detyrë, Biden tha se besonte se Rusia po përgatitet të ndërmarrë veprime ushtarake ndaj Ukrainës, megjithëse ai nuk mendon se presidenti rus ka marrë një vendim përfundimtar. “Unë nuk jam aq i sigurt se ai është i sigurt për atë që do të bëjë. Unë mendoj se ai do të ndërmarrë sulm ushtarak ndaj Ukrainës”, tha presidenti amerikan duke iu referuar atij rus. Biden gjithashtu vuri në dukje se Putin do të paguante një çmim të rëndë nëse pushtonte Ukrainën por sugjeroi se një sulm i një shkalle më të vogël do të mund të trajtohej ndryshme, ndërsa theksoi se është shumë e rëndësishme që të gjithë anëtarët e NATO-s të jenë në një linjë.
Shtëpia e Bardhë më vonë u shpreh se çdo lëvizje e ushtrisë ruse dot ë përballej me një përgjigje të shpejtë dhe të ashpër nga Perëndimi. Rusia ka dislokuar rreth 100 mijë trupa branë kufirit me Ukrainën por mohon se po planifikon ndonjë pushtim.
Ndërkohë presidenti Putin i ka paraqitur një sërë kërkesash Perëndimit, duke këmbëngulur që Ukraina të mos lejohet asnjëherë t’i bashkohet NATO-s dhe që aleanca më e madhe ushtarake në botë të braktisë çdo aktivitet ushtarak në Evropën Lindore.