Kupa e Ligës Angleze njeh finalisten e dytë, është Liverpuli

Kupa e Ligës Angleze, që është një tjetër ekskluzivitet madhor sportive të Rrjetit të Radio-Televizionit Shqiptar, ka luajtur të enjten aktin e parafundit të këtij sezoni, pasi është zhvilluar edhe ndeshjet e kthimit të çiftit të dytë gjysmëfinalist. Dhe pasi ka njohur mesjavën e shkuar finalisten e saj të parë dhe ajo është Çelsi, që ka mposhtur në dy duelet e gjysmëfinaleve, Totenhemin, kjo veprimtari ka njohur edhe finalisten e dytë, që është skuadra e Liverpulit, e cila ka triumfuar 2-0 ndaj Arsenalit, në ndeshjen e sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt në Rrjetin e Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH 1. Takimi i parë i këtij çifti, që është luajtur të enjten e shkuar, për shkak se ishte shtyrë fillimisht me një javë për shkak të rasteve të shumta me “Covid-19” të skuadrës vendase, ishte mbyllur me rrjeta të paprekura. Por e dyta ka parë Liverpulin të kalojë në epërsi pas 19 minutash lojë, me anë të Diego Zhotës.
Me këtë epërsi minimale të miqve do të mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta ka parë një lojë të hapur dhe të luftuar nga ana e të dyja skuadrave. Arsenali ka provuar dhe e ka sulmuar portën kundërshtare, por Liverpuli është munduar të mbrohet, duke synuar të përfitojë nga kundërsulmet e shpejta, që do të shndërroheshin në një armë të rrezikshme me vendasit që hapen më shumë. Dhe rastet nuk kanë munguar për asnjërën nga këto skuadra, madje kanë qenë mjaft të volitshme, por vetëm 13 minuta para fundit, është sërish Zhota që gjen rrugën e rrjetës, edhe pse duhet të presë edhe konfirmimin nga salla e Sistemit të Ndihmësgjyqtarit të Videos (VAR)
Arsenali nuk ka më kurajo, por as edhe fuqi për të reaguar dhe madje e mbyll ndeshjen sërish me 10 lojtarë, pas daljes nga loja me karton të kuq të kuq të Bartit, pas vetëm 15 minutash në fushën e blertë dhe dy kartonëve të verdhë brenda 3 minutash dhe Liverpuli fiton 2-0, duke siguruar edhe vendin në finalen e Kupës së Ligës Angleze.