E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensioni në Maqedoni, Fule të enjten vizitë në Shkup

Në kuadër të incidenteve të fundit ndëretnike në Maqedoni Evrokomisioneri për zgjerim i BE-së, Shtefan Fule të enjten do të zhvillojë një vizitë në Shkup.

Sipas një njoftimi për shtyp nga kabineti i tij, evrokomisioneri Fule do të zhvillojë takime me liderët shtetëror dhe të partive politike në Maqedoni, për tu njohur me qëndrimet dhe masat e ndërmarra në planin e uljes së tensioneve politike dhe të sigurisë.
 

Eurokomisioneri për zgjerim gjithashtu pritet të sjellë mesazhet e Komisionit Evropian lidhur me situatën e krijuar dhe procesin e implementimit të reformave për anëtarësim dhe rreth datës për fillimin e negociatave.
 

Sipas axhendës zyrtare, Fule vjen në Shkup me rastin e hapjes së dialogut të ashtuquajtur të nivelit të lartë mes Maqedonisë dhe BE, që paraqesin një urë lidhëse për hapjen e negociatave.
 

Më herët BE përmes zëdhënësit për Zgjerim të Komisionit Evropian, Petar Stano ka thënë se “KE kundërshton fuqishëm dhunën dhe mbështet përpjekjet për të respektuar sundimin e ligjit në vend”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›