E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kam 17 për qind mbështetje nga të rinjtë, Rama më i ri se unë, por shumë larg të rinjve”

29-01-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Sali Berisha bashkëbisedim me të rinjtë e Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë të Ballkanit në Konferencën Rajonale me temë “Forcimi i të rinjve nëpërmjet hartimit të politikave”

Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se derisa të jetë në politikë do të mbështetet plotësisht tek të rinjtë, pasi sipas kreut të qeverisë, ata janë një pjesë shumë e rëndësishme e vendit. Për shefin e ekzekutivit, aspekti më i rëndësishëm i reformave të qeverisë së tij, është arsimi dhe se po punohet shumë për përmirësimin e universiteteve dhe se ky është një hap tepër i rëndësishëm në drejtim të mbështetjes së të rinjve. Deklaratat e kryeministrit u bënë gjatë punimeve të Konferencës Rajonale me temë “Forcimi i të rinjve nëpërmjet hartimit të politikave” me pjesëmarrjen e drejtuesve të Forumeve Rinore të Qendrës së Djathtë të Ballkanit. 30 të rinj e të reja nga Ballkani të fondacioneve Konrad Adenauer dhe Institutit Kombëtar Demokratik NDI dhe 15 të rinj nga Shqipëria të Forumit Rinor të Partisë Demokratike, janë mbledhur në Tiranë për të marrë pjesë në punimet e kësaj Konference 3 ditore.
“Dua t’ju siguroj se nëse shikoni hartën politike aktuale të Europës nuk do të gjeni askënd tjetër, nuk do të gjeni asnjë lider që i detyrohet më shumë rinisë sesa Sali Berisha. Kjo është e vërteta dhe nëse unë po vazhdoj të jem në politikë prej vitit 1990 deri tani, është për shkak të mbështetjes së rinisë. Kam lidhje shumë të veçanta me rininë dhe të rinjtë”, u shpreh Berisha.
Kreu i ekzekutivit ndau me të rinjtë përvojat e tij politike nga lëvizjet e të rinjve në ’90-ën për rrëzimin e diktaturës komuniste dhe rikthimin e lirive dhe dinjitetit njerëzor. Kryeministri Berisha tha se ato përpjekje të të rinjve ishin luftë për vlerat demokratike dhe evropiane, të cilat në Shqipëri mungonin prej 45 vitesh.
Kryeministri kujtoi se edhe pas rënies së Murit të Berlinit, që shënonte fundin e regjimeve diktatoriale në një pjesë të mirë të vendeve të Europës Juglindore, në Shqipëri ekzekutoheshin të rinjtë në kufi.
“Si një intelektual në kohët më të errëta unë fillova të shkruaja dhe të propozoja, sepse isha i bindur që kurrë nuk do të shihja një ditë në liri. Por e kisha gabim. Sepse të rinjtë e Universitetit të Tiranës po mendonin ndryshe. Po mendonin të përballeshin në rrugët dhe sheshet e këtij kryeqytetit, diktaturën më të egër të Europës. Kështu iu bashkova atyre dhe ne e fituam betejën. E fituam betejën paqësisht. Kurrë nuk u bashkova me ta për t’u bërë politikan, por thjesht për të luftuar për atë çfarë besoja. Po luftoja për vlerat në të cilat besoja. Por të dashur miq, liria është dinjitet, asgjë tjetër veçse dinjitet. Në bindjet e mia mund të jesh i pasur, mund të jesh i varfër, mund të jesh i edukuar ose jo, por esenca e vërtetë e lirisë është dinjiteti; ajo çfarë neve na mungonte në diktaturë, ajo çfarë fituam me lirinë. Unë qëndrova me studentët duke besuar se mund të isha i dobishëm për ta, sepse koha ishte shumë e ashpër për ta, shumë e vështirë. Vetëm në vitet 1990, një vit pas rënies së murit të Berlinit, në kufirin shqiptar të rinjtë ekzekutoheshin, edhe pasi regjimi hoqi klauzolën e tradhtisë së lartë për ata që largoheshin nga vendi, në disa raste ata tërhiqeshin zvarre në rrugët e qyteteve për të terrorizuar njerëzit. Por trimëria dhe guximi i studentëve dhe të rinjve ishte i jashtëzakonshëm. Kështu së bashku, ne arritëm të nxisnim një proces paqësor në situatën më të vështirë. Ne promovuam kauzën tonë, në dallim nga ajo çfarë ndodhi në ish vendet komuniste, ne ishim vendi më i izoluar; që do të thoshte pothuajse asnjë ndihmë nga miqtë tanë pasi nuk lejohej. Më vonë me rininë, ne shpallëm fitoren tonë në 22 mars. Unë i humba zgjedhjet në vitin 1997, por me rininë erdha në pushtet. Do të citoj një gazetar të ‘The Economist’, i cili shkroi  për zgjedhjet e vitit 2009: ‘rivali i zotit Berisha është më shumë se 20 vjet më i ri se Berisha, por problemi është se Berisha ka mbështetje 17 për qind më të lartë nga të rinjtë sesa Edi Rama’. Por pse ndodh kjo, kjo lidhje me rininë? Pasi rrëzuam diktaturën unë kuptova se ky vend mund të zhvillohej para së gjithash nga të rinjtë, për të rinjtë. Pse kështu? Atyre u mungon eksperienca, por janë njerëz  mendje-hapur. Kur u bëra president i vendit, njohuritë tona në ekonominë e tregut dhe standardet demokratike ishin minimale, por skuadra ime me njerëz të rinj, studioi, komunikoi dhe arritën, ata kurrë nuk hezituan për të punuar për reformat më të thella. Kështu, midis një njeriu me eksperiencë dhe një të riu, unë zgjodha të riun ose të renë. Por ende tani, të rinjtë duhet të mbizotërojnë, eksperienca është e mirë, por idetë e reja, mëndja e hapur, është shumë më e rëndësishme për procesin e reformave. Kjo është arsyeja pse jam shumë i gëzuar të punoj me të rinjtë. Unë do të vazhdoj deri sa të jem në politikë të bëj më të mirën. Kam nevojë për ndihmën e tyre, për mbështetjen e tyre, kam nevojë t’i promovojë ata, dhe do ta bëj. Përveç angazhimit të tyre, mbështetjes, promovimit të tyre në politikë, unë përpiqem shumë t’i ndihmojë, t’i mbështesë në të gjitha aspektet, por një nga më të rëndësishmit ishte dhe është edukimi”, u shpreh kryeministri Berisha.
Në vitin 1992, tha kryeministri, GDP për frymë ishte 208 dollarë amerikanë, një nga dy, tre vendet me GDP për frymë më të ulët në botë.
“Një vit Shqipëria dhe Angola ishin vendet më të varfra. Tani pa dyshim vendi është krejtësisht i ndryshëm, ka  rreth 9000 dollarë amerikanë për frymë. Është një ekonomi që po mbahet pothuajse mirë. Shqipëria është një vend që ka trefishuar eksportet në 6 vite. Shqipëria është një vend ku investimet e huaja direkt, në vitet 2006-2010, janë rritur me 316 për qind, ndërsa në botë janë ulur me 37 për qind. Është një vend ku papunësia është ulur, nuk është rritur pavarësisht krizës. Është një vend që gjatë këtyre gjashtë viteve të fundit njohu një bum të jashtëzakonshëm në turizëm. Në vitin 2004 patëm gjithsej rreth 300 mijë turistë dhe vizitorë, vitin e kaluar patëm 4 milionë e 100 mijë turistë dhe vizitor në vend”, theksoi Berisha.
Duke specifikuar si objektiv primar të qeverisë modernizimin e sistemit arsimor në vend dhe përmirësimin e cilësisë së universiteteve, Berisha tha se aktualisht 70 për qind e atyre që mbarojnë shkollën e mesme ndjekin shkollën e lartë; 91për qind e atyre që mbarojnë arsimin e detyrueshëm ndjekin shkollën e mesme.
“Në vitin 2005 vendi im kishte 12 studentë për 1000 banorë,  ndërkohë që mesatarja e BE ishte 40 studentë. Tani ne kemi 49 studentë për 1000 banorë, kemi kaluar mesataren, kemi hapur dyert e Universiteteve, kemi vendosur një sistem që është plotësisht jashtë çdo ndërhyrjeje në pranimet në universitet. Tani në vend kemi më shumë se 140 mijë studentë, krahasuar me 52 mijë në vitin 2005. Kemi arritur disa indekse shumë të mirë: 70 për qind e atyre që mbarojnë shkollën e mesme ndjekin shkollën e lartë; 91për qind e atyre që mbarojnë arsimin e detyrueshëm ndjekin shkollën e mesme. Por këto janë arritje le t’i quajmë vetëm sasiore. Neve na duhet cilësia, kjo është motoja jonë tani. Ne po punojmë me qeverinë finlandeze; finlandezët kryesojnë për sa i përket arsimit parauniversitar; dhe me disa vende të tjera për të forcuar edukimin para-universitar. Gjithashtu po bëjmë më të mirën për të punuar mbi cilësinë në universitetet tona. Vitin e kaluar bëmë renditjen e parë të universiteteve tona. Nuk mund t’ju them që ishte perfekte, por ishte hapi i parë i rëndësishëm. Së dyti, do të vendosim disa kushte për doktoraturat, duhet të ketë profesor nga universitete të tjera ndërkombëtare prezent. Së treti, në mënyrë që të diplomohen në nivelin master duhet të kenë të mbrojtur Toeflin, këtë e kemi vendosur me ligj. Pse e kemi vendosur me ligj, sepse në bindjen time më të thellë nuk ka gjë më të dobishme për një të ri, një të re, sesa aftësia për të komunikuar në gjuhën kryesore të kësaj kohe, që është anglishtja. Jam shumë i gëzuar që të rinjtë e pritën ngrohtësisht”, tha ai.
Një hap i rëndësishëm është hedhur drejt dixhitalizimit. Sipas Berishës, në vitin 2006 penetrimi i  teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (ICT) në vend ishte 4.8 për qind, ndër me të ulëtat në botë. “Vitin e kaluar shkoi në 50 për qind, çdo shkollë ka internet, dhe tani do të bëjmë që në çdo klasë të ketë internet. Po punojmë shumë që ta sjellim vendin në epokën dixhitale. Por nëse vendi përparon kaq shpejt, kjo ndodh për shkak të të rinjve, për shkak të pasionit të tyre. Shqiptarët tani komunikojnë në internet. Në facebook renditen më lartë se 17 vende të tjera europiane. Kanë pasionin e komunikimit me njëri- tjetrin. Vendi ishte krejtësisht ndryshe nga vendet tuaja dhe nga vendet e tjera ish-komuniste”, tha Berisha.
Kryeministri nuk kurseu akuzat për opozitën, duke theksuar se Partia Socialiste u bë pengesë në procesin e integrimit të vendit në BE me protesta dhe akuza për manipulimin e zgjedhjeve të 2009-ës. Berisha tha se pas 2 vitesh, lideri i opozitës Rama, pranoi ofertën e bërë prej tij, për të bashkëpunuar për reformat integruese të vendit.
Sipas kreut të qeverisë, pas 1000 protestash, Rama humbi zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
“Ende kemi një rrugë të gjatë. Projekti ynë më madhor është integrimi në BE. Vendi hasi një vështirësi. Cila ishte vështirësia? Pas zgjedhjeve të vitit 2009 lideri i opozitës ditën pas zgjedhjeve mbajti qëndrimin: kjo është një ditë historike për Shqipërinë. Por fatkeqësisht rezultatet për të nuk ishin dhe aq historike. Kështu kur nuk mori atë çfarë priste ai mbajti qëndrimin: ‘nuk do t’i njoh rezultatet’. Shkoi në gjykatë. Por ne kemi një sistem shumë të fortë për numërimin e votave. Sistemi ynë bazohet tek Vetoja, që do të thotë, se ndërsa numërohen votat, secili rreth tavolinës së numërimit, qoftë komisioner  ose vëzhgues, ka të drejtën e vetos. E drejta e vetos ushtrohet duke ngritur dorën. Kështu çdo dokument që ka pasur ngritje të dorës është vendosur mënjanë si i kontestuar, qoftë kuti votimi, fletë votimi. Të gjitha dokumentet janë tërësisht konsensuale. Ato që janë të kontestuar kalojnë nëpër kanalet e shqyrtimit të ankesave, ato që nuk janë të kontestuar, janë tërësisht konsesuale. Prandaj të dashur miq, trupi ndërkombëtar që vëzhgoi zgjedhjet tha se nuk kishte prova për manipulim të rezultateve apo numërim të parregullt. Sepse nuk kishte prova, çfarë ishte kontestuar ishte rishikuar Gjykata, nga gjithë të tjerët. Rivali shkoi në Gjykatë, Gjykata i tha jo, ai nuk mund t’i rinumëronte votat, sepse nuk kishte mosmarrëveshje. Megjithatë i ofrova gjithçka, përveç numërimit të votave. I thashë se një njeri i lirë, kurrë nuk mund të shpërbëjë politikisht një vendim gjykate. Pavarësisht nëse e pëlqen ose jo, duhet ta pranojë atë. Ky është rregulli. Ai arriti të ngrinte rreth 1000 protesta ose më shumë, ai gjithashtu u përpoq të kryente akte dhune duke menduar se do të kishte një fjalim nga zyra ime, gjë që nuk do të ndodhte kurrë. Shqiptarët erdhën sërish në zgjedhje. Në vitin 2008 mazhoranca ime kishte 142.000 vota më shumë se koalicioni i drejtuar nga opozita. Ai humbi gjithashtu Tiranën me disa vota. Ju them se fitoret janë duele, të vogla ose të mëdha ato janë duele. Por tani jeta jonë është normale. Janë në Parlament. Ju them se jam i kënaqur që pranuan atë çfarë unë u kam ofruar përgjatë dy viteve të kaluara. Unë e respektojë plotësisht opozitën. Opozita është jetike për moralin e vendin dhe kombit,dhe tani po vazhdojmë me reformat duke shpresuar të meritojmë statusin e vendit kandidat për në BE”, tha më tej kryeministri Berisha.
Në emër të Programit Rajonal të Partive Politike të NDI dhe Fondacionit Konrad  Adenauer, ata e falënderuan kryeministrin për pjesëmarrjen.

Kryeministri Berisha iu përgjigj gjithashtu edhe interesit dhe pyetjeve që të rinjtë e Forumeve të Qendrës së Djathtë të Ballkanit  i drejtuan;
 
Çfarë duhet të bëj që të jem i suksesshëm në politikë?
Kryeministri Berisha: Duhet të jesh realist. Duhet të përpiqesh të jesh realist. Nuk duhet të heqësh dorë nga disa parime. Është e vlefshme t’i mbash ato. Pavarësisht se mund të jeni në vështirësi, jeta është e tillë, politika është e tillë, unë mendoj se mbajtja e disa parimeve bazë, sipas meje politika duhet të ketë moral.  Kjo është eksperienca,  nuk e di vlen universalisht apo jo. Por, realizmi është i pari. Duhet të jesh realist. Tani, le të shkojmë më tej. Unë jam një admirues i madh i Ronald Reagan. Reagan ishte president i Shteteve të Bashkuara, që në kohën kur kishte një lloj të ashtuquajture politikë e pa fat, që do të thoshte njëfarë legjitimiteti të të dy sistemeve. Ku njëri ishte legjitim dhe i bazuar në liri, dhe tjetri ishte jo legjitim, dhe i bazuar në shtypje. Reagan, qëndroi kundër, qëndroi për të drejtat e njeriut. Kudo që shkonte ai promovonte të drejtat e njeriut. Nëse lexoni fjalimin e tij pranë murit të Berlinit, ai thotë se çështja e lirisë së gjermanëve lindorë, është çështje e lirisë së botës. Që do të thotë pse duhet të jenë të shtypur këta njerëz? Më vonë kur u bëra president, librat e tij ishin librat e mi themelor. Ajo çfarë ai shkruan midis të tjerave është se qeveria është problemi. Kjo është e vërtetë. Nëse ju qeverisni dhe i thoni vetes: kujto se je ti problemi, duke mbajtur parasysh se ju jeni problemi, ju e rishikoni veten çdo ditë, çdo javë. Ju vendosni, kujdeseni për vendimet tuaja. Ju udhëzoni, kujdeseni për udhëzimet tuaja. Bëni reforma, kujdeseni t’i amendoni  ato, si kanë ndihmuar. Unë i them vetës qeveria është problemi, kështu që mundohem të amendoj veten, mundohem të amendoj qeverinë time.

Në fjalimin tuaj theksuat se rruga për integrimin në BE është një nga detyrat më të rëndësishme të vendit tuaj. Dje ndërsa vija nga aeroporti mund të shikoja lulëzimin e fuqisë ekonomike, të paktën nga rruga e aeroportit për në Tiranë, kështu që mund ta imagjinoj nga ajo çfarë është thënë, nga shifrat që ju përmendët. Cilat janë sipas jush sfidat kryesore në rrugën drejt afrimit me BE? Dhe cilat janë prioritetet tuaja personale në këtë rrugë?
Së pari, padyshim nëse shikoni BE, rendi i sotëm ndërkombëtar i botës së lirë bazohet në të drejtat dhe liritë e njeriut, që është në interesin më të madh të qytetarëve. Procesi politik i integrimit në BE synon t’i bëj qytetarët më të lirë, të konsolidojë liritë e tyre, të siguroj një sistem më të mirë të drejtësisë për ta. Kështu sipas meje, konsolidimi i kritereve politike në procesin e integrimit është dhe duhet të jetë një prioritet i lartë. Së dyti, unë besoj se Shqipëria një vend i zhvilluar dhe Shqipëria një vend anëtar i BE duhet të jetë pothuajse njësoj. Ne jemi të angazhuar në një projekt, në të cilin ne besojmë se po e transformojmë vendin në një vend të zhvilluar. Por transformimi i këtij vendi do të thotë qe duhet të arrijmë standardet e vendeve të OECD. Është një klub i vendeve të zhvilluara në botë dhe ky është klubi i OECD. Ky klub ka arritjet e veta në edukim, në shëndetësi, në punësim, në rroga, në të ardhurat dhe të tjera. Që të arrish këto indekse duhet të shohësh se si t’i mund ta bësh. Le të kthehemi tek Shqipëria. Prioritetet e mia dhe të qeverisë sime për ta bërë vendin një vend të zhvilluar janë së pari: energjia. Një vend i energjisë së rinovueshme. Pse? Unë besoj se një vend i bazuar në energjinë e rinovueshme krijon një mjedis më të mirë dhe më të shëndetshëm për qytetarët e tij. Ne kemi potencial të jashtëzakonshëm në të. Ne jemi një Norvegji e vogël në këtë rajon. Qeveria ime në tre vjet ka nënshkruar me sektorin privat 110 kontrata për të ndërtuar rreth 300 hidrocentrale. Ende duhet t’i paraqiten tregut 140 të tjera. Shqipëria ka potencialin për të ndërtuar 443 hidrocentrale. Do të doja shumë që vendi im ta shfrytëzonte këtë potencial. Së dyti, ne jemi një vend me potencial shumë të madh gjeotermik; së treti jemi një vend me potencial të shumtë të prodhimit të energjisë diellore; së katërti kemi potenciale për zhvillimin e energjisë së erës. Padyshim jemi një vend me rezerva të mëdha nafte. Por ajo çfarë do doja të shihja është ta kthenim vendin në një superfuqi të vogël të energjisë së gjelbër. Ne po punojmë shumë për sa i përket infrastrukturës. Të dashur miq, ky është vendi më malor në Europë. Jo sepse ka majat më të larta, por sepse ka majat më të shumta në një sipërfaqe të vogël. Ju shihni fushë këtu, por nëse ecni disa kilometra do të shihni male, male dhe vetëm male. Tani ne po dalim nga izolimi, sepse të jetosh në një ekonomi tregu dhe të mos kesh infrastrukturën e duhur je më i izoluar se kurrë. Ne kemi ndërtuar nga viti 2006 deri në vitin 2011 rreth 9000 kilometra rrugë, të rikonstruktuara  ose të ndërtuara nga e para. Po punojmë në një projekt që do t’i lejojë shqiptarët që vijnë nga çdo kënd i Shqipërisë në Tiranë, të kursejnë më shumë se 60 për qind të kohës. Unë besoj se koha është gjëja më e çmuar, kështu që po punojmë shumë mbi atë projekt. Po investojmë shumë. Jemi vend malor dhe të gjitha rrugët tona janë shumë të shtrenjta. Por, unë besoj se në vitin 2013 do të përfundojmë pjesën më të madhe të projektit të rrjetit rrugor. Po punojmë që Shqipëria të kthehet në një vend të zhvilluar. Të krijojmë në këtë vend mjedisin më miqësor për investitorët. Jemi një vend i taksave të ulëta: 10 për qind taksa e koorporatës, 15 për qind kontributi i sigurimeve shoqërorë. Ne e japim kontratën e tokës për një euro kur shfrytëzimi i tokës është qëllime industriale, turistike ose bujqësore. Në vitin 2010 ne ishim i vetmi vend në Rajon në të cilin investimet e huaja direkte u rritën. Përpara vitit 2005 kishim nivel shumë të ulët të investimeve të huaja direkte. 8 vitet e pushtetit socialist morën mesatarisht 30 milion dollarë ndërsa vitin e kaluar kishim mesatarisht 1 miliardë dollarë në investime të huaja direkte. Por kemi nevojë  për më shumë, për shumë më shumë. Kemi potencial të jashtëzakonshëm turistik. Theksoj se vitin e kaluar kishim 4 milion turistë dhe vizitorë, kjo vetëm për zonat bregdetare. Por ne kemi male të mrekullueshme. Dhjetorin e kaluar shtypi anglez shkroi disa artikuj mbi të ashtuquajturat “Bjeshkët e Namuna”, disa gjeologë amerikanë gjetën akullnaja për herë të parë. Kur turistë europianë vijnë për herë të parë, atyre u pëlqen shumë. Qeveria ime i kushton një vëmendje të madhe bujqësisë. Nëse e shikoni bujqësia është fusha ku prodhimi mund të 10-fishohet, kështu që gjenerohen të ardhura për njerëzit që jetojnë atje. Çfarë po bëjmë ne në këtë fushë. Nuk mund t’ju them se jemi shumë mbështetës ndaj fermerëve tanë, nuk mundem për shkak të mjeteve të limituara. Por ne kemi ndërmarr dy projekte të rëndësishme. Projektin e ullinjve. Filluam me projektin për të mbjell në 4 vjet 20 milionë rrënjë ullinj, kjo po ecën shumë mirë. Ne japim disa subvencione, por ju them se vetëm një të tretët po mbjellin nëpërmjet subvencioneve tona, dy të tretët e tjerë po mbjellin vet. Megjithatë zonat e ullishtave nuk mund të pranojnë më shumë se 15 milionë rrënjë ullinj. Të cilën do ta arrijmë në mandatin e dytë, nëse shqiptarët do të duan të vazhdojnë me qeverisjen time. Projekti i dytë madhor janë arrorët. Ky është një vend ideal për të gjitha llojet e arrorëve, po, është një Kaliforni e vogël nëse e sheh. Europa po importon 2 milionë tonë arra çdo vit nga SHBA, Turqia dhe vende të tjera. Me arrorët mund të bëhemi të rëndësishëm, me ullinjtë jemi modest, sepse Greqia, Italia, Spanja, Turqia janë gjigandë, ne nuk mund të bëhemi gjigandë. Por me arrorët, po. Projekti ynë është të mbjellim 250 milionë arrorë në 8 vjet. Arrorët mund të mbillen deri në 800 metra lartësi; lartësia mesatare mbi nivelin e detit e Shqipërisë është 750 metër. Kështu nëpërmjet arrorëve, ne shkojmë drejt Europës me disa fakte të rëndësishme. Nëpërmjet arrorëve ne pyllëzojmë vendin. Tani po kthehemi drejt pyllëzimit nëpërmjet drurëve frutorë. Nëpërmjet arrorëve, të jemi të sinqertë, ne mund të bëhemi një vend prodhues i rëndësishëm. Për momentin jemi fokusuar krejtësisht tek ullinjtë dhe arrorët, më vonë do të kalojmë te drurët e tjerët frutorë. Ju fola për edukimin. Një vend i zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme është projekti  im që Shqipëria të bëhet vend anëtar i BE.

Jam nga Unioni Demokratik për integrim. Ju falënderoj që po flisni këtu. Është një nder për mua që ju mbështesni rininë. Si mund t’i mbështesni forumet e rinisë në rajon? Ne duam ta ndajmë këtë eksperiencë të bukur që ju keni këtu në Shqipëri. E them për një arsye, sepse ne shikojmë tek ju Kryeministrin e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë shqiptarët e mendojnë këtë. Ju jeni për ne Kryeministri i të gjithë shqiptarëve. Ju mund të na mbështesni neve. Arsyeja pse e them këtë është se kudo që shkoni, kurdoherë që vini në Maqedoni, për mua ju jeni kryeministri?
Çdo vend në Rajon ka qeverinë e vet, të zgjedhur, dhe kjo është hera e parë që të gjithë vendet kanë qeveri të zgjedhura në mënyrë demokratike. Pa dyshim që duke punuar së bashku si Forume, duke përfituar nga eksperienca e njëri tjetrit, duke ndërmarrë iniciativa të përbashkëta. Sepse çdo vend ka specifikat e veta, ne shqiptarët kemi problemet tona. Por duke promovuar kauzat e drejta së bashku, kjo është me të vërtetë shumë e rëndësishme, dhe askush nuk mund ta bëj më mirë se organizatat e rinisë. Kështu që unë besoj se bashkëpunimi rajonal është vendimtar sepse Forumet nga komunitetet shqiptare në Rajon mundet dhe duhet të punojnë së bashku në mënyrë që të përballen më të gjitha problemet, por edhe me probleme më specifike për kombet tona, kudo që jemi.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›