E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tensionohet situata ne Libi. I biri i Gedafit Do te luftojme revolten

Tensioni në Libi arrin majat. Seif al-Islam Gadafi, njëri nga djemtë e liderit të Libisë, Moamer Gadafi, ka tërhequr vërejtjen se lufta civile në Libi, do ta shkatërrojë naftën e këtij vendi. Në një fjalim televiziv, ai pranoi se protestuesit e kanë marrë kontrollin e disa bazave ushtarake, me armatim dhe tanke. Ai premtoi se qeveria do të luftojë kundër revoltës popullore deri “te njeriu i fundit”, ndërsa, nga ana tjetër, ka premtuar dialog për reforma dhe rritje të rrogave. Komentet e tij u bënë pasi protestat, që janë kërcënimi më serioz për sundimin më se 40 vjeçar të Moamer Gadafit, janë përhapur në lindje të kryeqytetit, Tripoli.

Gjatë natës në Tripoli ka pasur të shtëna dhe policia ka përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e demonstruesve, disa prej të cilëve kanë gjuajtur gurë në drejtim të pankartave në favor të Gadafit. Në qytetin lindor Bengazi, anëtarët e një njësiti të ushtrisë thonë se ata kanë dezertuar dhe e kanë “çliruar” këtë qytet, që është i dyti për nga madhësia në Libi. Raportohet se protestuesit, në masë të madhe, e kanë marrë kontrollin në Bengazi, pasi i kanë detyruar trupat dhe policinë, që të largohen nga bazat e tyre. Ndërtesat qeveritare në këtë qytet janë shkatërruar dhe djegur.

Në Uashington, zëdhënësi i Depaertamentit amerikan të shtetit, Filip Krouli, tha se Shtetet e Bashkuara kanë bërë vërejtje të mëdha te zyrtarët e Libisë, përfshirë edhe ministrin e jashtëm, Musa Kusa, për përdorimin e forcës vdekjeprurëse kundër demonstruesve. Organizata Human Rights Watch ka njoftuar se gjatë pesë ditëve të dhunës në Libi janë vrarë 223 vetë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›