Tensionohet situata në veri të Kosovës, serbët në protestë! NATO dhe KFOR shtojnë forcat mbrojtëse

Situata është tensionuar edhe më shumë këtë të diel në veri të Kosovës. Disa qytetarë janë mbledhur si shenjë proteste afër pikës kufitare në Jarinjë, që ndan Kosovën me Serbisë, në anën e territorit serb si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.
Me pankarta në duar, “Kurrë kufi, Kosova është Serbi”, protestuesit shprehen se kërkojnë zhbllokimin e kalimin për serbët nga Kosova. Protestuesit insistojnë që t’i afrohen pikës kufitare, ndërsa janë ndaluar nga policia serbe e cila ka vendosur një kordon mes tyre disa metra larg pikës doganore ndërsa në anën kosovare ndodhen të stacionuara trupat e KFOR. Pas tensioneve KFOR dhe NATO kanë shtuar mbrojtjen në atë zonën ku dhe po zhvillohet protesta.
Barrikadat janë ngritur më 10 dhjetor në këtë pjesë të Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj arrestimit të ish-zyrtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq. Ky i fundit dyshohet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës më herët gjatë muajit dhjetor.
Ndërkohë, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, do të kryejë stërvitje të rregullta ushtarake afër bazës që ka në Novosellë. Me anë të këtyre stërvitjeve që do të zhvillohen ditët në vijim, do të trajnohen njësitet e KFOR-it, për të garantuar lirinë e lëvizjes në kohë krizash.
Bëhen 9 ditë këtë të diel që disa pika kufitare në veri të Kosovës janë bllokuar nga barrikada të serbëve.
/rtsh.al/