E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tentativa për vrasje/ Gjykata Evropiane dënon Rusinë për helmimin e Navalnyt

Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka dënuar Rusinë për dështimin e hetimit  mbi helmimin e opozitarit Alexei Navalny në vitin 2020.

Perëndimi e ka cilësuar këtë ngjarje si tentative për vrasje.  

ECHR-ja, me seli në Strasburg të Francës vuri në dukje se Rusia kishte dështuar “të hetojë pretendimet për një motiv të mundshëm politik për tentativën e vrasjes, si dhe përfshirjen e mundshme të agjentëve shtetërorë”, duke konstatuar unanimisht se Rusia e kishte shkelur Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas ECHR-së, Rusia kishte refuzuar të hapte procedurë penale për helmimin që kishte bërë që Navalny të binte në komë.

Aktivisti Alexei Navalny i parë nga mbështetësit e tij si një rival i mundshëm politik i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, u sëmur gjatë një fluturimi nga Siberia. Më pas ai u evakuua në Gjermani, ku u shërua, por u burgos menjëherë pas kthimit të tij në Moskë dhe që atëherë ka qenë në burg.

ECHR-ja vuri në dukje se testet e kryera nga qeveria gjermane kishin gjetur “prova të qarta” të pranisë së helmit kimik Novichok në trupin e Navalnyt.

Gjykata evropiane tha se hetimi i bërë nga Rusia lidhur me këtë rast nuk ishte i hapur dhe se Navalny nuk ishte lejuar të merrte pjesë.

Hetimi nuk arriti “të çonte në vërtetimin e fakteve përkatëse, si dhe identifikimin dhe, nëse do të ishte e përtshtatshme, ndëshkimin e personave përgjegjës”, tha ai.

“Prandaj (hetimi) nuk mund të konsiderohet adekuate”. Rusia u urdhërua ta paguante Navalnyn 40.000 euro si dëmshpërblim.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›