E Diel, 1 Nëntor 2026

Tentoi të grabiste Postën Shqiptare dhe më pas një market, arrestohet autori, ishte fshehur në tavanin e banesës

Policia e Shkodrës ka vënë në pranga autorin e dyshuar që tentoi të grabiste Postën Shqiptare dhe më pas një market.

Në pranga ra M. M., 24 vjeç, banues në fshatin Guci e Re, i cili ishte fshehur në tavanin e banesës së tij për t’i shpëtuar policisë.

Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare. Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur.

Pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës, të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani”. Gjatë largimit, në lagjen “Skënderbeg”, dyshohet se ka vjedhur një biçikletë tjetër.

Shërbimet e Policisë gjatë kontrollit të banesës së këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale, si dhe biçikletat e vjedhura”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›