Tentoi të kalonte kufirin me municion luftarak e armë të ftohta, arrestohet 39-vjeçari në Morinë

Një 39-vjeçar nga Kosova është arrestuar këtë të martë (10 shkurt) në Morinë, pasi tentoi të kalonte kufirin me municion luftarak dhe armë të ftohta. Sipas policisë, 39-vjeçari me inicialet M. L. U kap gjatë kontrollit në vijën e dytë, në hyrje të vendit tonë.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjetën 2 karikatorë me fishekë, 2 thika, 1 sëpatë dhe 1 shkop metalik si ai i Policisë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin.
39-vjeçari akuzohet për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/