E Martë, 3 Nëntor 2026

Tentoi të nxirrte nga Shqipëria rreth 24 mijë euro pa i deklaruar, procedohet penalisht polaku

TIRANË 22 shkurt /ATSH/ Një shtetas polak 45-vjeçar, i cili tentoi të nxirrte nga Shqipëria në pikën e kalimit kufitar në Qafë Thanë, 23 700 euro, pa i deklaruar, është proceduar penalisht.

Shërbimet e Policisë Kufitare kanë intensifikuar kontrollet për goditjen e paligjshmërive në kufi. Në këtë kuadër, në bashkëpunim me autoritetet doganore në dalje është ndaluar në vijën e dytë, për kontroll të detajuar, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin polak A. K.

Gjatë kontrollit u gjetën 23 700 euro, të cilat ky shtetas po tentonte t’i nxirrte nga Shqipëria, pa i deklaruar konform ligjeve në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin polak A. K. 45 vjeç, banues në Poloni, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›