E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Tentoi të vrasë vjehrrën dhe nipin e saj, ish-dhëndri në kërkim. Kapet në Morinë shoku i tij

Policia ka arrestuar 42-vjeçarin nga Kosova Gëzim Bacaj, i cili tentoi të vriste një të moshuar dhe një të mitur në fshatin Llakatund të Vlorës. Ai është vendosur në pranga në kufirin e Morinës teksa përpiqej të largohej nga Shqipëria.

Përveç tij, ka rënë në pranga edhe 32 vjeçari me inicialet D. K, banues në Kosovë, i cili dyshohet se duke pasur dijeni për këtë krim, nuk e kallëzoi në polici. Ndërkaq, bashkëautori  Haki Bajrami është shpallur në kërkim.

“Falë veprimeve të shpejta operacionale të Policisë së Vlorës, si dhe koordinimit të informacionit dhe punës policore me shërbimet e PKK Morinë, u kap në Morinë, në tentativë për t’u larguar drejt Kosovës, njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi G. B., 42 vjeç, banues në Kosovë. Gjithashtu për këtë rast, u vu në pranga shtetasi D. K., 32 vjeç, banues në Kosovë (shoqërues i shtetasit G. B.), i cili dyshohet se duke patur dijeni për këtë krim, nuk e kallëzoi atë.

Në vijim të veprimeve procedurale, u shpall në kërkim autori i dyshuar kryesor i kësaj ngjarjeje, shtetasi H. B., 51 vjeç, banues në Kosovë. Vijon intensivisht puna për kapjen e tij”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas policisë, Gëzim Bacaj dhe  Haki Bajrami kanë dhunuar fizikisht 70-vjeçaren dhe nipin e saj 14-vjeçar duke i lënë pa ndjenja. Më pas ata kanë tentuar t’i vrasin duke i vënë zjarrin banesës. Por gjyshe e nip kanë mundur të dalin nga shtëpia që ishte duke u djegur dhe ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Si pasojë e zjarrit është djegur banesa e shtetases së moshuar dhe është dëmtuar pjesërisht një banesë tjetër e pabanuar, aty pranë.

“Bazuar dhe në kallëzimet e shtetasve të dëmtuar, dyshohet se shtetasit H. B., në bashkëpunim me shtetasin G. B., kanë tentuar të vrasin shtetasen e moshuar dhe nipin e saj të mitur (ish- vjehrra dhe thjeshtri i shtetasit H. B.), duke i dhunuar ata dhe pasi i kanë lënë pa ndjenja, i kanë vënë qëllimisht zjarrin banesës ku ndodheshin këta 2 shtetas.

2 shtetasit e dëmtuar kanë mundur të dalin nga banesa që ishte duke u djegur dhe aktualisht ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Si pasojë e zjarrit është djegur banesa e shtetases së moshuar dhe është dëmtuar pjesërisht një banesë tjetër e pabanuar, aty pranë”, njoftoi policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›