Tentoi të vriste gruan, rrëfehet: M’u errën sytë
Prokuroria: Gruaja e masakruar është qëlluar më shumë se një herë me thikë. Avokati: Bajraku është penduar, e ka bërë në kushte të tronditjes psikike
Shkodër- Ka tentuar të vrasë bashkëshorten duke e qëlluar më shumë se një herë me thikë dhe duke e hedhur më pas buzë liqenit për të vdekur, dje në gjykatë deklaroi përmes avokatit se ishte penduar dhe se në atë moment i janë errur sytë. Me gjithë pendesën dhe faktin se ai është vetëdorëzuar në polici, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Sami Bajrakut, i cili më 4 dhjetor tentoi të vrasë me armë të ftohtë thikë bashkëshorten e tij Vjollca Bajraku, ngjarje e ndodhur në aksin Shirokë-Zogaj.
Gjykata
Vetë i ndaluari Sami Bajraku nuk është shprehur në seancë, duke ia lënë këtë të drejtë avokatit të tij mbrojtës. Mbrojtja e përfaqësuar nga avokati Hamdi Shullani, ka kërkuar nga gjykata një masë më të lehtë duke pretenduar se 51-vjeçari e ka kryer veprën penale në kushte të tronditjes së thellë psikike, është vetëdorëzuar në polici dhe ka shfaqur pendim të thellë. Prokuroria, në seancën e caktimit të masës së sigurisë ka dhënë pak detaje të ngjarjes, duke deklaruar se i ndaluari Sami Bajraku është paraqitur në Drejtorinë e Policisë së Shkodrës më datë 4 dhjetor, ku ka kërkuar të vetëdorëzohet në polici për vrasjen e bashkëshortes për motive xhelozie. Policia, sipas përshkrimeve të vendit të ngjarjes ka arritur vetëm pas rreth 2 orësh të gjejë gruan pak metra poshtë rrugës, në gjendje të rëndë. Plagët në trup kanë qenë të shumta, çka sipas akuzës tregon se 51-vjeçari Sami Bajraku e ka goditur disa herë me thikë bashkëshorten. Por thika e përdorur nga ai, sipas ekspertizës nuk i plotëson të dhënat e armës së ftohtë, ndaj nga organi i akuzës nuk është pretenduar edhe për veprën penale të mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, dhe akuza për Sami Bajrakun ka qenë vetëm “vrasje e mbetur në tentativë”. Organi i akuzës, i cili përfaqësohej nga prokurorja Denisa Hasko, ka kërkuar dhënien e masës së sigurisë arrest me burg për veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë”, si dhe vlerësimin si të ligjshëm të arrestimit të 51-vjeçarit. Sami Bajraku, pasi ka goditur me thikë bashkëshorten e tij duke menduar se e ka lënë të vdekur, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është vetëdorëzuar në polici, ku edhe ka njoftuar ngjarjen.
Ngjarja
Nga dëshmitë e marra rezulton se dy bashkëshortët Sami Bajraku 51 vjeç dhe Vjollca Bajraku 47 vjeçe, të kenë qenë duke pirë kafe në një nga lokalet e fshatit Shirokë, dhe pasi kanë hyrë në automjetin e tyre kanë nisur debatet që kanë të bëjnë me xhelozinë mes çiftit. Sami Bajraku, në dëshminë e dhënë në hetuesi ka pohuar se i janë errësuar sytë dhe ka marrë një thikë, të cilën rastësisht e kishte në automjet dhe e ka qëlluar bashkëshorten e tij duke e lënë poshtë rrugës. Më pas ka njoftuar vetë policinë dhe është vetëdorëzuar. Mësohet se mes çiftit të kishte pasur probleme në lidhjen e tyre, ku dyshohet që shkak kryesor të ketë qenë xhelozia. Çifti Bajraku ka tre fëmijë në moshë të rritur, të cilët nuk ishin prezent në gjykatë e në seancën e caktimit të masës së sigurisë së babait të tyre, ndërkohe që Vjollca Bajraku është jashtë rrezikut për jetën, në spitalin rajonal të Shkodrës. Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Valbona Durraj, ka vendosur “arrest me burg” për Sami Bajrakun.