E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzat e Dajtit: Më zhdukën përgjimet telefonike, në gjyq më bënë injeksione

SHKRUAN: Leonard Bakillari 08-12-2011 11:57

I akuzuari për vrasjen e katër punonjësve të policisë në Durrës, Dritan Dajti ka ngritur akuza për dëshmi kontradiktore në gjyq, zhdukjen e përgjimeve të tij dhe mbajtjen në gjyq, në karrocën e invalidit përmes injeksionesh. “Operacioni kundër meje u bë për të më eliminuar”

Tiranë Përmes dëshmive të oficerëve të policisë që morën pjesë në arrestimin e tij, Dritan Dajti renditi në seancën e djeshme një sërë faktesh, me anën e të cilave pretendon se është i pafajshëm. Dëshmitë kontradiktore, manipulimi i provave, zhdukja e tabulateve telefonike apo edhe mbajtja për orë të tëra në karrocë pa ndjenja, kanë qenë disa nga akuzat që Dritan Dajti hodhi dje në sallën e gjyqit. Mes debatesh dhe kundërshtimesh nga prokurorët dhe gjykata, Dajti mundi të lexojë vetëm një pjesë të deklaratës së përgatitur prej tij. Por edhe pjesët e lexuara nga i akuzuari për vrasjen e katër oficerëve të policisë u pranuan pjesërisht nga gjykata, pasi në vlerësimin e trupit gjykues, jo e gjithë përmbajtja e kësaj deklarate kishte të bënte me çështjen që po gjykohet. I pandehuri e nisi fjalën e tij, duke kërkuar nga gjykata të revokonte vendimin për mosregjistrimin audio dhe video të procesit të tij gjyqësor, ndërsa më vonë kërkoi sërish përjashtimin e gjyqtares Nertina Kosova, për qëndrim të njëanshëm. “Drejtori i Drejtorisë kundër Krimit të Organizuar, Arjan Muça dëshmoi përpara jush faktin që deri në momentin e tragjedisë, telefoni celular që përdorte Dritan Dajti ka qenë në përgjim, por rezultatet e përgjimit janë zhdukur. Kjo e bën edhe më kuptimplotë shkakun përse ju si trup gjykues mbyllët dyert e gjyqit dhe rrëzuat kërkesën time për marrjen me cilësinë e provës të tabulateve telefonike”, - deklaroi Dajti. I pandehuri, duke iu referuar dëshmive me dyer të mbyllura të nëntë punonjësve të policisë, tha se asnjë prej tyre nuk kishte drejtuar gishtin nga ai si autor i vrasjes së pesëfishtë. “Të nëntë punonjësit e policisë, të pyetur në seancë me dyer të mbyllura për shkak se u rrezikohej jeta prej meje, deklaruan pa përjashtim se nuk e kanë parë fare personin që ka qëlluar ndaj shefit të njësisë së tyre, Fatos Xhani, ndaj punonjësit të policisë Altin Dizdari dhe ndaj shtetasit Ledion Mara”, - tha Dajti. Më tej i pandehuri argumentoi se “asnjë prej nëntë dëshmitarëve, punonjës policie, nuk drejtoi gishtin tregues tek unë si vrasës i të ndjerëve Fatos Xhani, Altin Dizdari dhe Ledion Mara. Madje, mund t’ju kujtoj që dëshmitari P.S. deklaroi qartë përpara jush se Ledion Mara është vrarë pasi Dritan Dajti është rrëzuar në tokë”. Më tej, Dajti tha se tetë nga nëntë punonjësit e policisë kanë deklaruar se nuk kanë parë personin që qëlloi mbi Kastriot Feskajn dhe Sajmir Duçkollarin. Duke analizuar dëshmitë e dhëna nga punonjësit e policisë që morën pjesë në operacionin për kapjen e tij, Dritan Dajti hodhi dyshime që në fakt ky operacion ka qenë për vrasjen dhe jo arrestimin e tij. “Të gjithë punonjësit e policisë me në krye drejtorin e tyre, dëshmuan njëzëri përpara jush që urdhri për Dritan Dajtin ishte që ai të goditej dhe jo të arrestohej. Kjo ka qenë edhe arsyeja që në vendngjarje këta dëshmitarë kishin gjithçka me vete, përveç prangave”, - tha Dajti, duke akuzuar punonjësit e policisë se kanë marrë nga vendi i ngjarjes armët e kolegëve të tyre të mbetur të vrarë, duke kryer kështu veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Në deklaratën e tij, i akuzuari për vrasjen e katër oficerëve të policisë akuzoi edhe gjykatën, madje kryesuesen e trupit gjykues, për hakmarrje personale, sipas tij. “E frikshme ka qenë edhe hakmarrja juaj personale që ju bëri të harronit ligjin dhe humanizmin që e karakterizon atë. Provë kanë qenë dhjetëra seanca gjyqësore, kur ju për orë të tëra më mbanit të gozhduar në karrocën e invalidit, shpesh pa ndjenja apo me injeksione”, - ka deklaruar Dajti. Sipas tij, rezulton se ky trup gjykues ka shkelur çdo normë juridike, duke ndaluar pyetjen e dëshmitarëve në 567 raste. “Nuk besoj që sot të ketë ndonjë trup gjykues në planet, që pa filluar mirë shqyrtimi gjyqësor, t’i kërkohet me prova të pakontestueshme mbi 32 herë përjashtimi nga gjykimi i çështjes”,- përfundoi i pandehuri.

Dëshmitarët: Si e pamë masakrën në Durrës

Rihapja e dyerve në procesin kundër Dritan Dajtit ka çuar dje në sallën e gjyqit dy dëshmitarë të akuzës. Xhevat Hasula dhe Agim Muça kanë qenë dy shitës ambulantë pranë pistës “Iliria” në Durrës, të cilët dje deklaruan se më 7 gusht të vitit 2009 kanë qenë duke shitur kumbulla dhe domate në rrugën ku ndodhi masakra. Rreth mesditës, ata thanë se janë larguar për të pirë kafe rreth 20 metra nga vendi ku shisnin, kur kanë dëgjuar të shtëna armësh. Menjëherë janë afruar drejt vendit ku ndodhej malli dhe janë futur në oborrin e një banese që ndodhej aty pranë. Dëshmitarët treguan se në kthim kanë parë një person të shtrirë me fytyrë nga toka dhe dy makina parkuar paralel me njëra-tjetrën. Sapo kanë hyrë në banesën që ndodhej aty pranë, me vështirësi ata kanë mundur të shohin dy persona që përlesheshin mes tyre. “Njëri prej dy personave ra në tokë dhe tjetri e gjuajti me shqelm te koka duke i thënë “qen, më vrave shokun”, - treguan dëshmitarët në sallën e gjyqit, por pa qenë në gjendje të përshkruajnë apo identifikojnë këta persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›