E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuzohet se vrau biznesmenin për hakmarrje, alibia: S’e di kush ma ka vrarë babanë

Gjykata lë 30 ditë në burg Agim Hykën, 33 vjeç. Prokuroria: Kemi prova se ai është autor i krimit. Avokati: S’ka motiv, ai nuk e di kush ia ka vrarë të atin

Njeriu që akuzohet se për t’u hakmarrë ndaj vrasjes së të atit në Athinë vrau disa ditë më parë në një atentat në qendër të Fierit ndërtuesin Spartak Spaho dhe plagosi dy kalimtarë, është lënë në burg për 30 ditë nga gjykata. Përmes avokatit, Agim Hyka është shpallur i pafajshëm, duke deklaruar se nuk mund të hakmerrej ndaj askujt, pasi ai nuk e di kush ia ka vrarë të atin.

Vendimi

Arrest me burg me afat 30-ditor është masa e arrestit e vendosur nga ana e Gjykatës Fier, me kërkesë të prokurorisë, ndaj Agim Hykës, akuzuar për vrasjen e Spartak Spahos, 42 vjeç. Seanca e vlerësimit të masës së sigurisë është mbajtur në një nga sallat e godinës së Gjykatës Fier, pa praninë e mediave. Këto të fundit nuk janë lejuar të futen në ambientet e gjykatës, sipas vendimit të trupit gjykues, për shkak të natyrës së krimit si dhe procesit hetimor që po zhvillohet ende nga ana e organit të akuzës për këtë vrasje. I akuzuari është përfaqësuar në këtë seancë nga avokati i tij Agron Kalemi. Ndërsa pala e akuzës është përfaqësuar nga prokurori Hysen Ajasllari. Trupi gjykues dëgjoi fillimisht palën e akuzës, e cila kërkoi prej tij të vlerësojë të ligjshëm arrestin e shtetasit Hyka dhe pasi paraqiti disa prova, kërkoi që i akuzuari Hyka të mbahej në masën e arrestit ‘burg me afat 30-ditor’, derisa akuza të grumbullonte fakte dhe prova të reja lidhur me autorësinë e vrasjes. Pala mbrojtëse, avokati Agron Kalemi kërkoi lirimin e klientit të tij nga salla. Ai përmendi deklaratën e klientit të tij që ka mohuar të ketë dorë në vrasjen e shtetasit Spaho,duke cituar fjalët se “ndërsa akuzohet për hakmarrje, klienti im nuk ka dijeni mbi autorët e vrasjes së babait të vet në kryeqytetin grek Athinë, ndaj nuk kishte se si të hakmerrej ndaj dikujt pa ditur se kush ishte autori i ekzekutimit të babait”. Në fund të seancës gjyqtarja Sinanaj vendosi të pranonte kërkesën e akuzës, duke dërguar në dhomat e izolimit për 30 ditë të akuzuarin 33-vjeçar, Agim Hyka.

Ngjarja dhe arrestimi

Ngjarja për të cilën Hyka akuzohet është vrasja e biznesmenit Spartak Spaho në datën 2 dhjetor të këtij viti, në rrugën “Ramiz Aranitasi” në qytetin e Fierit, në vendin e quajtur përballë ish ‘Hotel Vjosës’. Spaho u qëllua nga atentatori me 14 plumba, ndërsa dy persona kalimtarë të rastit u plagosën dhe u dërguan në spital, fatmirësisht pa dëmtime të rënda. Fillimisht policia dyshoi se personi që i bëri pritë biznesmenit ishte një rival i tij për tokën në të cilën ky po ndërtonte një pallat, por gjetja e makinës që dyshohet se u përdor për krimin pak metra në të dalë të Fierit, ka hapur të tjera pista hetimi dhe ka çuar policinë në arrestimin e Hykës. Burime nga policia kanë pohuar se pista e hetuar është ajo e hakmarrjes, bazuar mbi vrasjen e Skënder Hykës në kryeqytetin grek Athinë, ku si autor i dyshuar ka qenë viktima Spaho. Burime nga policia e Fierit i thanë MAPO-s se autori i vrasjes, pasi kishte qëlluar mbi viktimën nga autovetura që ishte në ecje, kishte ndalur mjetin dhe kishte zbritur prej tij. Dëshmitë kishin specifikuar se vrasësi me maskë në kokë kishte qëlluar sërish mbi viktimën e shtrirë përtokë, duke shoqëruar të shtënat me britma urrejtjeje dhe inati. Pasi ishte bindur për vdekjen e Spahos, ai ishte rikthyer në makinë, ku ndodheshin edhe persona të tjerë dhe ishte larguar me shpejtësi nga vendi i krimit. Pak orë pas ekzekutimit, policia u njoftua për djegien e një makine në fshatin Shën Pjetër, fshat ky afër vendbanimit të autorit të dyshuar. “Pas këtij episodi është ngushtuar rrethi i hetimeve, duke punuar mbi hipotezën se autorët mund të ishin nga kjo zonë dhe se mjeti ishte braktisur prej autorëve të dyshuar, pas largimit me shpejtësi nga vendi i ngjarjes”, - thanë burime nga grupi hetimor. Më pas janë hapur dosjet e vjetra, ku përmendej emri i viktimës, në të cilat është gjendur edhe vrasja e ndodhur 14 vite më parë në Athinë, çka ka lidhur pjesët e munguara në ngjarjen e ndodhur në qendër të Fierit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›