Teori për falsifikim të videove dhe të vetë figurës së shefit të “Al Kaedës”
Ndërsa emri i “Al Kaedës” vazhdon që të lakohet çdo ditë në media, ai i Bin Ladenit, shefit të saj, mbetet një mister. Ndërsa zyrtarisht nuk dihet gjë në lidhje me vendndodhjen apo me gjendjen e kreut terrorist, teoritë konspirative janë të lira që të japin variantet e tyre. Sipas njërës prej tyre, Bin Laden është vrarë tetë vjet më parë gjatë një beteje në Tora Bora të Afganistanit ose nga një bombë amerikane, ose nga një sëmundje e rëndë veshkash. Sipas kësaj teorie, që është përhapur në internet që pas sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001, shërbimi sekret amerikan i prodhon vetë të gjitha deklaratat me zë të Bin Ladenit për të justifikuar luftën kundër terrorizmit në Afganistan, Irak dhe në vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Po në fund të fundit a është gjallë, apo ka vdekur njeriu më i kërkuar në planet? Për një dhjetëvjeçar, Bin Laden ia ka dalë që t’i shmanget ndjekjes më të madhe që i është bërë nga një superfuqi, një njeriu të vetëm në gjithë historinë botërore. Një nga këshilltaret më të afërta të Obamës për çështjet e terrorizmit thotë se amerikanët nuk kanë asnjë ide se ku mund të ndodhet ai.
Dhe në mungesë të lajmeve konkrete, Bin Laden është shndërruar në një mit të rrethuar nga thashetheme. Ndërkohë gjatë viteve janë transmetuar shumë video, apo kaseta zëri që pretendohet të jenë të Bin Ladenit, por autenticiteti i tyre është vënë shpesh në dyshim. Askush nuk mund të vërtetojë vërtetësinë e tyre. Të paktën tre nga tërësia e materialit video dhe audio janë krejtësisht të rreme dhe të falsifikuara, por edhe të tjerat lënë shumë për të dëshiruar. Në një nga videot e para pas 11 shtatorit, Bin Laden pranon autorësinë e sulmeve, ndërkohë që vetë “Al Kaeda” shumë rrallë ka marrë përsipër ndonjë sulm terrorist gjatë gjithë këtyre viteve. Edhe fotot e Bin Ladenit janë shumë të ndryshme nga njëra video në tjetrën. Por pjesa më e madhe e deklaratave të Bin Ladenit janë audio dhe të gjitha shumë të diskutueshme për sa i përket vërtetësisë. Njëra nga videot e lëshuar në tetor të vitit 2004, disa ditë para zgjedhjeve presidenciale, ka mungesë të theksuar të retorikës fetare që karakterizonte videot e tjera.
Thuhet se kjo video e ndihmoi shumë Bushin që të fitonte një mandat të dytë presidencial, por videoja që ka tërhequr më shumë vëmendjen është edhe ajo e fundit, në shtator të vitit 2007. Në këtë video, mjekra e bardhë e Bin Ladenit është zëvendësuar me një mjekër të zezë. Shumëkush nuk e beson këtë video dhe një pjesë mendojnë se vetë “Al Kaeda” është duke u përpjekur që të bëjë lojëra. Bin Laden ka lëshuar rreth 40 deklarata që nga 11 shtatori i vitit 2001. Në dy të fundit është përmendur edhe vetë Presidenti Obama. Disa oficerë të CIA-s thonë se Bin Laden është ende gjallë.