Grupet e interesit kërkojnë revolucion në ekonomi. Skema për të dalë nga kriza
Biznesi shikon si rrugëdalje nga kriza ekonomike vetëm amnistinë fiskale. Paketa e propozimeve po studiohet me kujdes dhe do t’i paraqitet qeverisë, në mënyrë që t’i jepet zgjidhje ngërçit kryesor në ekonominë shqiptare: informalitetit. Shumë subjekte private po lëshojnë sinjalin e alarmit të falimentit. Këstet në banka, mungesa e parasë, rënia e fuqisë blerëse, etj., po nxisin grupet e interesit të punojnë për propozime konkrete.
Në radhë të parë duket një punë jo e koordinuar si duhet. Kemi ndërtuesit që kanë paraqitur disa propozime për të dalë nga kriza, pastaj industrinë tekstile (fasonët) që paraqesin paketa për të shmangur falimentin, po ashtu Konfindustrinë me disa sugjerime që lidhen me taksat, etj. Por Dhoma e Tregtisë së Tiranës vlerëson një tjetër situatë. “Në fund të vitit 2009 bëmë një marrëveshje bashkëpunimi me fosonët dhe ndërtuesit, në mënyrë që paketat fiskale të jenë të koordinuara mirë. Ajo që mbetet thelbi i zgjidhjes së shumë problemeve është amnistia fiskale”, thotë kreu i Dhomës, Nikolin Jaka.
Për momentin vëmendja është zhvendosur te përmbytjet në Veri të vendit, pasi bizneset po shikojnë mundësinë e dhënies së ndihmave, edhe pse vet janë në kushte krize. Pritet që në fillim të javës, në bashkëpunim me Ministrisë e Ekonomisë, të ngrihet një grup pune për të sensibilizuar dhe menaxhuar të gjitha bizneset, për t’u dhënë ndihmë banorëve të prekur nga katastrofa e përmbytjeve.
Paketat anktikrizë
Falja e gjobave, rishikimi i ndonjë politike fiskale, apo ulja në kohë e pagesës së taksave nuk shikohet nga biznesi si zgjidhje e duhur dhe afatgjatë. Vetëm amnistia mund t’i japë drejtim shumë ngërçeve në ekonomi. Grupet e interesit japin si shembull vendet e zhvilluara si Italinë apo Spanjën, të cilat një herë në çdo 5-10 vjet, ndërmarrin amnisti fiskale, ose ndryshe, legalizim asetesh. “Kjo referomë jep mundësinë e rritjes së kapitalit, futjes në qarkullim të miliardave lekë, zhvillimin e biznesit, etj., duke i hapur rrugë rritjes reale ekonomike”, thotë Jaka.
Për momentin biznesin e shqetëson situata politike, mungesa e likuiditeteve në ekonomi, niveli dhe politika e taksave. Për ndërtuesit mbetet problematike mungesa e lejeve të ndërtimit, deficiti me lëvrimin e fondeve për rrugët, por edhe kostot artificiale që krijohen nga vendimet e qeverisë. Për fasonët, prodhuesit e veshjeve, problematike është masa e kontributit për sigurimet si dhe taksa e TVSH-së, e cila rrit kostot. Kurse për Konfindustrinë, ndër të tjera, ka qenë Gjykata Administrative, referenca doganore si dhe kostot e tepërta në banka.
Të gjitha këto shqetësime, do të mblidhen dhe formulohen në një paketë të plotë fiskale, e cila do të paraqitet shumë shpejt në qeveri. Deri tani nuk ka ndonjë nismë konkrete nga qeveria, sesa plani për të shtyrë në kohë pagimin e TVSH në doganë për pajisjet, makineritë dhe linjat e prodhimit. Sa për amnistinë fiskale, Ministria e Financave pretendon se nuk i është paraqitur ndonjë kërkesë konkrete nga biznesi. Afati i fundit për konkretizimin e çështjeve ishte lënë 15 janari, por përmbytjet në Veri e kanë shtyrë vendimmarrjen e biznesit.