E Shtunë, 31 Tetor 2026

Artan Shabani

Kësaj here e ka kthyer në Shqipëri një ekspozitë e përbashkët e tetë artistëve të rinj kolumbianë. “Promenade Galeri”, një galeri e artit bashkëkohor, e hapur në Vlorë nga Artan Shabani, pas “Ubi Sunt”, ekspozitës së Ervin Hatibit, do të presë artistët e Kolumbisë së largët në atë që e ka quajtur “Udhëtim fantastik”.
Artani kësaj here kthehet vendlindje në rolin e kuratorit. Ai do të kujdeset për detajet e aktivitetit e për gjithë sa i takon atij. Piktori, edhe një herë e ka lënë për pak Italinë, ndonëse jetën prej kohësh e ka ndarë mes vendit të lindjes dhe vendit ku jeton e punon. Artani është ndër ata artistë, që së pari suksesin e ka njohur përtej kufijve. Por këtu nuk ka vend për brengosje. Vepra e tij është ngritur kryesisht me mendime e domethënie e me ca nota nostalgjie që i përkasin Vlorës, Shqipërisë e Ballkanit pak më gjerë.
është i njohur dhe i vlerësuar cikli i punimeve të titulluar “Homo Balcanicus”, krijim që artisti bën me historinë shqiptare, duke nxjerrë në pah karakterin dhe autenticitetin e figurës shqiptare. Artani, në qendër të pikturës, përdor elementin njeri dhe ky njeri është shqiptar... Ai edhe vetë e di se e veçanta në pikturën e tij është “shqiptariteti” i tij, identiteti dhe mitologjia shqiptare, të cilat janë shumë të ndryshme dhe unikale. Ai gjithnjë kërkon që përmes veprave të tij të përcjellë vlera të mirëmenduara dhe të sinqerta.
Kaq ndoshta janë të mjaftueshme për të kuptuar se sa e rëndësishme është për këtë krijues të qëndruarit pranë rrënjëve dhe ndjesia e përkatësisë. Ai asnjëherë nuk rresht duke i kujtuar vetes se kush është dhe nga vjen. Ndoshta për këtë arsye, galeria që ka çelur në Vlorë, është për të një pikë e fortë kontakti mes tij dhe zhvillimeve të artit bashkëkohor shqiptar, ashtu sikundër është edhe një informacion më shumë, një takim mes artit shqiptar dhe atij të huaj, shkëmbim përvojash e njohjesh, rritje e përbashkët, një lloj kontributi human e artistik që Artani e ka ngritur për vendin e tij. Për artistin, gjithnjë ka një arsye për t’u kthyer në Vlorë.
Familja, të afërmit, miqtë ata po, janë një arsye e fortë, por se ç’ka Vlora, vjen si një thirrje e brendshme, një frymëzim i përhershëm për artistin. është “bukuria e dritës” siç e quan ai, një pikë referimi e rëndësishme, një vend nga ku ai vëzhgon më së miri gjithçka e me shumë qetësi madje. Perëndimet e zjarrta, deti, historia e pasur, kultura janë një gërshetim i mrekullueshëm që ndikojnë në krijimtarinë e tij. Kështu ka qenë përherë për të. Edhe atëherë, në fëmijërinë e hershme kur së pari nisi të merrej me muzikë. Pas pak kohësh la pas violonçelin, për të marrë në dorë laps e letra e për t’iu kushtuar pikturës. I ruan me fanatizëm vizatimet e para, të cilat me vite janë shtuar mjaft. Ka kaluar kohë edhe qysh kur në moshën 22-vjeçare merr guximin të largohet për t’iu drejtuar brigjeve të Italisë. Nuk do të ishte një emigrant më shumë për vendin fqinj.
Por një djalë i vendosur për të dhënë maksimumin, për t’u shkolluar, specializuar e për të marrë më të mirën prej vendit të artit. Dhe ia ka dalë mbanë. Sot ai është një piktor profesionist me shumë ekspozita të çelura në Shqipëri, Itali, por edhe përtej këtyre dy vendeve kaq të afërta për të. është pjesëmarrës i shumë aktiviteteve e konkurseve ndërkombëtare mjaft të rëndësishme të artit pamor, siç është për shembull Bienalia e Venecias. Një rrugëtim i gjatë, por i vlefshëm për të. Të merresh me art, të krijosh sipas tij, është një fenomen për të cilin nuk mund të kesh ndihmesë prej të tjerëve, por duhet krijuar vetë. Artisti me veprën e tij ka lidhje me të ardhmen dhe që vepra të lërë një emër të mirë ajo duhet që të mbetet ndër breza. është pikërisht kjo që e bën artistin idealist e jo materialist. Ndoshta është pikërisht kjo një prej arsyeve që i ka falur suksesin Artan Shabanit. E për ta arritur suksesin nevojitet punë.
Duhet investuar shumë për të qenë atje ku dëshiron. Sipas piktorit, suksesi mund të vijë në shumë forma, nëpërmjet shumë çmimeve, por ai më i dashuri dhe më i ndjeri mbetet gjithnjë çmimi moral. Për të, ai është më i vlefshmi. E konsideron të rëndësishëm edhe faktin e bashkëpunimit me artistët e tjerë, shqiptarë a të huaj qofshin, ashtu sikundër edhe atë me kritikët. Nuk dëshiron të zhgënjejë askënd, sepse karrierën dhe arritjet nuk dëshiron t’i ketë kalimtare. E kanë vlerësuar sigurisht. Për Gian Giorgio Massara, profesor dhe kritik arti në Torino, piktura e Artan Shabanit ka një dëshirë të madhe për të vënë në dukje, për t’u transmetuar të tjerëve ndjenja, zëra, kujtime të tokës së tij të largët, Shqipërisë. Ndërsa Paolo Levi, kritik i njohur arti, e lidh pikturën e tij me muzikën. Për të, Artani ka të dhënat e një kompozitori muzikor, i cili di të shprehet me siguri profesionale, me kontraste kromatike, me timbre tonesh të larta e të ulëta, jo sipas gjendjes së vet shpirtërore, por sipas nevojës ekspresive, e cila e bën të shpërfaqë dritëhije të brendshme e të jashtme e ku poezia është nënshkrimi i punëve të tij.
Por e kanë quajtur edhe dashamirës të ngjyrave. I afirmuar në Perëndim si piktor ekspresionist, Artan Shabani është një krijues i cili e ka mjaft të ndjeshme lidhjen me ngjyrat. E nëse e pyet se cila është e preferuara e tij, e ka të vështirë të bëjë një zgjedhje. E ka të pamundur t’i diskriminojë ato. Ai komunikon me to dhe përmes tyre. Një herë ka thënë se për të, ngjyrat janë si germat, të duhen të gjitha për të thënë atë që dëshiron. Megjithatë, kur bëhet fjalë për ngjyrat e filozofisë së mendimit të tij, ngjyrat e jetës dhe të botës në tërësi, atëherë ato janë nga më të larmishmet e ndonjëherë edhe të pamjaftueshme për të shprehur gjithçka.
Megjithatë jo vetëm piktura zë vend në krijimtarinë e tij. Fotografia e instilacionet janë pjesë e saj, ashtu sikundër edhe të qenit kurator. Ekspozita në “Promenade Galeri”, e titulluar “Udhëtim fantastik”, në konceptin kuratorial të Artan Shabanit vjen si një projekt që lind nga një udhëtim real ose imagjinar, gjatë të cilit gjithçka mund të jetë fantastike. Ky udhëtim shfaqet pikërisht në këtë ekspozitë përmes punëve të përzgjedhura të tetë artistëve kolumbianë, të cilët bashkë me Artanin janë përpjekur të krijojnë vizionin e një udhëtimi fantastik “të nevojshëm”.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 17 deri më 31 janar, me pjesëmarrjen e artistëve Carlos Carmona, Estrella Espinoza, Francisco Camacho Herrera, Manuela de Los Angeles, Adriana Maria Pineda, Mauricio Carmona Rivera, Juliàn Urrego dhe Arlen Siu Vasquez.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›