E Diel, 1 Nëntor 2026

Teoria e fitores

LEONARD DEMIleonard demi

Mënyra më e sigurt për të parandaluar luftën është të jesh i përgatitur për ta fituar atë. Dwight D. Eisenhower

Koncepti i ri ushtarak i Aleancës

Këtë muaj, në Varshavë, u mbajt Forumi i Sigurisë, me pjesëmarrjen e mbi 2 500 delegatëve nga rreth 90 vende: krerë shtetesh, ministra të mbrojtjes, parlamentarë, komandantë ushtarakë dhe ekspertë të strategjisë, të cilët diskutuan përparësitë e mbrojtjes evropiane, bashkëpunimin rajonal në fushën e sigurisë dhe strategjitë e shkurajimit në hapësirën euroatlantike.

Në këtë forum, Komandanti Suprem i Forcave Aleate në Evropë, Gjenerali Alexus G. Grynkewich, paraqiti konceptin e ri ushtarak të Aleancës për shkurajimin e një sulmi të mundshëm rus përgjatë krahut të saj lindor. Këtë strategji e përmblodhi me tri fjalë: “blloko, dobëso dhe thyej.” “Ne kemi atë që duhet, e dimë saktësisht se si do të luftojmë dhe do të fitojmë. Nëse dikush është aq budalla sa të na sulmojë, ne do të kundërpërgjigjemi… do të sigurohemi që çdo sulm kundër njërit prej aleatëve tanë të rezultojë plotësisht i kotë.”, theksoi Komandanti i NATO-s. Më tej, ai vuri në dukje se Aleanca nuk e konsideron përballjen ushtarake me Rusinë as “të pashmangshme, as të afërt”, por forcat e saj janë të gatshme, pavarësisht sabotimeve, zjarrvënieve, sulmeve kibernetike dhe dezinformimit rus, që synojnë të lëkundin vendosmërinë evropiane për të furnizuar Ukrainën me armë. “Të mos ketë asnjë dyshim: nëse shpërthen lufta, ne do të bllokojmë dhe neutralizojmë çdo sulm dhe, nëse ai nuk ndalet, do të shkatërrojmë forcat, që kryejnë agresion kundër nesh”, deklaroi Grynkewich. “Formacionet e armikut do të mbeten pa furnizime. Komandantët e tij nuk do të jenë në gjendje të kontrollojnë forcat e tyre, ndërsa forcat dhe kapacitetet mbështetëse do të dobësohen dhe shkatërrohen.” Komandanti i NATO-s theksoi se kjo strategji nuk synon mposhtjen përfundimtare të Rusisë apo minimin e qeverisë së saj. “Ne nuk kërkojmë t’i shkaktojmë kundërshtarit tonë një disfatë strategjike”, u shpreh ai. “Përkundrazi, synimi ynë është thjesht të ndalim çdo sulm që në hapat e tij të parë.” Gjenerali i bëri publike këto të dhëna të deklasifikuara, të njohura si “teoria e fitores”, për të forcuar besimin e 32 vendeve aleate, për të qetësuar evropianët dhe për të përcjellë një mesazh të qartë: “Ne jemi gati që sot dhe e kemi situatën nën kontroll.” Me fjalë të tjera, synimi është ndalimi i menjëhershëm i agresionit, duke minimizuar njëkohësisht rrezikun e përshkallëzimit konvencional apo bërthamor, përmes shmangies së shkatërrimit të plotë të kundërshtarit.

Megjithatë, Grynkewich nuk përcaktoi ndonjë afat kohor për forcimin e mbrojtjes së Aleancës. Ai vuri në dukje se asnjë komandant ushtarak nuk do të pohonte kurrë se disponon kapacitete të mjaftueshme dhe se as ai nuk do të ishte i pari që do ta pretendonte këtë. Sidoqoftë, u shpreh i kënaqur me kapacitetet që aktualisht ka në dispozicion, duke theksuar njëherësh domosdoshmërinë e investimeve të vazhdueshme në mbrojtje.

TEORIA E FITORES

Gjenerali Grynkewich deklaroi se doktrina e re e NATO-s mbështetet drejtpërdrejt në mësimet e nxjerra nga luftimet moderne në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, si dhe në inteligjencën dhe algoritmet e përparuara, që i mundësojnë Aleancës të identifikojë herët kërcënimet dhe të pozicionojë në kohë forcat e saj. Ai e paraqiti “Teorinë e Fitores” si një vizion të përbashkët për mënyrën se si NATO do të shkurajojë agresionin dhe do të mbrojë territorin aleat, në përputhje me strategjinë e Shkurajimit dhe Mbrojtjes së Zonës Euroatlantike. Konkretisht, ai shpjegoi se plani ndërthur armët me precizion të lartë me atë që e quajti “masë me kosto të përballueshme”, pra një numër të madh sistemesh autonome, dronësh dhe mjetesh të luftës elektronike, të projektuara për të përballuar një luftë të zgjatur shteruese. Kjo strategji synon të ndalojë menjëherë një pushtim, pa synuar pushtimin e territorit të kundërshtarit.

Qasja përfshin tri faza: së pari, “bllokimin” e sulmit fillestar, përmes angazhimit të menjëhershëm të forcave tokësore në kufi, për të penguar armikun të marrë kontrollin e territorit. Më pas, “dobësimin” e ofensivës përmes goditjeve të bashkërenduara nga ajri, deti dhe toka. Së fundmi, nëse sulmi vazhdon, “thyerjen” e armikut, duke goditur furnizimet, linjat e komunikimit dhe rrjetet e komandimit, që u mundësojnë forcave armike në vijën e parë të vijojnë luftimet, derisa agresori të dobësohet deri në pikën e kolapsit.

Objektivi është disfata taktike dhe operacionale e forcave që sulmojnë NATO-n, por jo disfata strategjike e kundërshtarit. Aleanca synon të zmbrapsë çdo sulm dhe t’i mohojë agresorit mundësinë për të pushtuar territorin aleat. Grynkewich argumentoi se ky objektiv mbrojtës do t’ia linte agresorit përgjegjësinë për çdo përshkallëzim të konfliktit, duke forcuar njëkohësisht unitetin aleat.

Komandanti Suprem theksoi se përgatitjet e NATO-s synojnë, mbi të gjitha, parandalimin e luftës dhe shmangien e konfliktit. Aleanca nuk ka interes të pushtojë territorin e kundërshtarit.

MBËSHTETJE KONTRADIKTORE

Gjenerali Grynkewich hodhi poshtë hamendësimet për një lëkundje të angazhimit amerikan, duke përmendur mijëra trupa amerikane të dislokuara përgjatë krahut lindor të NATO-s, përfshirë Poloninë. Ai iu referua gjithashtu deklaratave të samiteve të fundit, të cilat rikonfirmuan garancinë themelore të mbrojtjes kolektive, të sanksionuar në Nenin 5. “Askush nuk duhet të dyshojë në angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj Aleancës”, këmbënguli ai. Megjithatë, dyshime të tilla vazhdojnë të ekzistojnë.

Vendimi i Presidentit Trump për të lehtësuar në mënyrë të njëanshme sanksionet ndaj Kremlinit, me qëllim mundësimin e blerjes së naftës ruse, nxori në pah një kontrast të thellë ndërmjet planifikimit ushtarak të NATO-s dhe mbështetjes evropiane për Ukrainën, nga njëra anë dhe diplomacisë transaksionere të Shtëpisë së Bardhë e qëndrimit të saj ndaj Presidentit Zelensky, nga ana tjetër. Po kështu, zyrtarë të tjerë amerikanë, përmes kanaleve jozyrtare, kanë paralajmëruar Ukrainën të ndërpresë sulmet ndaj rafinerive ruse, përndryshe rrezikon të humbasë furnizimet jetike me armatime dhe mbështetjen e inteligjencës amerikane.

Këto sinjale kontradiktore nxjerrin në pah një mospërputhje të thellë në qasjen amerikane ndaj Rusisë: duke lejuar derdhjen e parave drejtpërdrejt në arkat e Kremlinit, administrata rrezikon të minojë vite të tëra presioni ekonomik të aleatëve, të dobësojë mesazhin e përbashkët perëndimor për shkurajimin e agresionit dhe të vejë në provë, pikërisht, solidaritetin, për të cilin Gjenerali Grynkewich kishte shkuar në Varshavë. Megjithatë, vetëm disa muaj më parë, në samitin e NATO-s në Ankara, Trump vlerësoi sulmet ukrainase ndaj Rusisë, duke i cilësuar si “një përshkallëzim, që mund të ndihmojë në përfundimin” e luftës. Që atëherë, çmimet e benzinës dhe të naftës janë rritur ndjeshëm, duke u shndërruar në një faktor me peshë në zgjedhjet e mesmandatit, ku Trump rrezikon të humbasë kontrollin e Kongresit. Edhe nëse sasitë e naftës së blerë janë të vogla, simbolika e përçarjes mbetet e madhe. Ukraina dhe Evropa këmbëngulin se vetëm trysnia e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake mund ta detyrojë Presidentin rus t’i japë fund luftës që nisi vetë. Nga ana tjetër, ekspertët vlerësojnë se kjo marrëveshje është joefektive, pasi nuk pritet të ndikojë ndjeshëm në çmimet e naftës me pakicë dhe as të nxitë palët, veçanërisht Rusinë, drejt përfundimit të luftës. Sulmet e pandërprera ruse e përforcojnë këtë vlerësim.

Tensioni është i dukshëm. Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi se mbrojtja e Ukrainës dhe siguria e NATO-s janë të lidhura pazgjidhshmërisht. Ai thekson: “Kushdo që, për çfarëdo arsye, qoftë tradhti, budallallëk apo para, dëshiron ta dobësojë Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus, po vepron qartazi kundër kombit të vet, sigurisë së shtetit të vet dhe sovranitetit të tij.”

Nëse Shtetet e Bashkuara do ta ndërprisnin ndihmën ndaj Ukrainës, do t’i vënin në rrezik aftësi thelbësore të mbrojtjes së vet, që nga operacionet me dronë deri te mbrojtja ajrore. Mbështetja amerikane mbetet vendimtare në disa fusha kritike, si: shërbimet satelitore Starlink, që mundësojnë komunikimin dhe drejtimin e operacioneve me dronë në distanca të mesme; sistemet e zbulimit dhe gjurmimit të dronëve rusë të gjeneratës së fundit; sistemet e paralajmërimit të hershëm ndaj sulmeve me raketa balistike; raketat interceptuese Patriot PAC-3 MSE; teknologjinë dhe inteligjencën, që sigurojnë një pasqyrë të hollësishme të mbrojtjes ajrore ruse; si dhe furnizimin me pjesë këmbimi për avionët luftarakë F-16 dhe obuzët M777.

KREMLINI

Zyrtarët e Kremlinit i kanë hedhur vazhdimisht poshtë paralajmërimet evropiane. “Ne nuk kemi ndërmend të luftojmë me Evropën, të hyjmë në luftë me të; kjo është krejtësisht absurde”, deklaroi Sergej V. Lavrov, ministri i Jashtëm rus, gjatë një takimi në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në shtator. “Por Evropa po përgatitet për luftë me ne”, vijoi ai. “Kjo mund të shndërrohet në një profeci, që realizon vetveten.” Sidoqoftë, askush nuk e kishte përfytyruar se “operacioni special ushtarak” do të zgjaste më shumë se Lufta e Parë Botërore; se rafineritë ruse në brigjet e Detit të Zi, Kaspik dhe Baltik do të përfshiheshin nga shpërthimet; apo se vija e frontit, ku po humbasin jetën një numër i madh të rinjsh rusë, do të mbetej pothuajse e pandryshuar. Në këto rrethana, dimri që po afron përbën shpresën më të madhe të Presidentit Putin. Dronët e rinj me motorë reaktivë po arrijnë të depërtojnë mbrojtjen ajrore ukrainase, duke goditur termocentrale, ura, terminale drithi dhe hekurudha, pa kursyer as popullsinë civile.

Javët e fundit, në Evropë është vërejtur një intensifikim i veprimtarive armiqësore, që i atribuohen Rusisë, si: zjarr në një kompani estoneze të mbrojtjes, sulm me raketa ndaj një treni diplomatik pranë kufirit polak, incidente me dronë në aeroportin e Leipzigut dhe pranë një platforme gazi rumune, si dhe komplote për eliminimin e drejtuesve të kompanive evropiane të mbrojtjes. Të gjitha këto përbëjnë elemente të një strategjie, që synon të thyejë vullnetin e Perëndimit për të vazhduar mbështetjen ndaj Ukrainës, të cilës i ka premtuar më shumë se 4 miliardë dollarë për programin PURL. Nga ana tjetër, propozimi i Putinit për një takim me Trump dhe Xi Jinping, më 18–19 nëntor, pa pjesëmarrjen e Bashkimit Evropian dhe Ukrainës, do të ishte një fitore diplomatike për Putinin.

EPILOG

Teoria e Fitores shënon një kthesë në mendimin strategjik të Aleancës, e cila dikur besonte se, me përfundimin e Luftës së Ftohtë, kishte hyrë në një epokë ku mund të gëzonte frytet e paqes. Sot, përkundrazi, NATO përballet me një Rusi që ka pushtuar Ukrainën, ka shkelur hapësirën ajrore të vendeve perëndimore me dronë dhe dyshohet se qëndron pas akteve të sabotimit ndaj infrastrukturës, pajisjeve ushtarake dhe kompanive të industrisë së mbrojtjes në Evropë.

Kjo qasje është konceptuar për të shkurajuar një kundërshtar si Rusia, të cilit pozita gjeografike dhe kapacitetet e industrisë së mbrojtjes i mundësojnë të përqendrojë forca kundër shteteve baltike, Polonisë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s, përpara se Aleanca të arrijë të organizojë një kundërpërgjigje të fuqishme. Objektivi themelor është që Putini, pasi të ketë vlerësuar aftësitë mbrojtëse të NATO-s, të arrijë në përfundimin se një sulm kundër saj nuk mund të ketë sukses. Për ta përforcuar këtë mesazh, forcat aleate zhvillojnë vazhdimisht stërvitje që vënë në provë dhe demonstrojnë gatishmërinë e tyre operacionale. Pikërisht, në kohën kur Gjenerali Grynkewich paraqiste Teorinë e Fitores, NATO po zhvillonte stërvitjen ushtarake “Steadfast Duel”, e cila simulonte një skenar, ku rreth një milion trupa aleate duhej të përballonin një pushtim nga lindja prej një force me përmasa të ngjashme, që, për arsye të ndjeshmërive politike, nuk identifikohej shprehimisht si Rusia. Elementi kyç i skenarit ishte përdorimi i sistemeve digjitale dhe i një qasjeje të përqendruar te të dhënat, për të përshpejtuar vendimmarrjen dhe për të rritur efektivitetin e mbrojtjes së Aleancës, duke vënë në provë një gamë të gjerë aftësish në të gjitha fushat operacionale: tokësore, ajrore, detare, hapësinore dhe kibernetike.

/Gazeta Panorama

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›