E Diel, 1 Nëntor 2026

Takimi i G20, Marco Rubio pret homologët mes trazirave globale, bie në sy prania e Sergei Lavrov

Shtetet e Bashkuara presin sot takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të Grupit të 20 (G20), në një kohë kur frontet ndërkombëtare ndodhen në ngërç të plotë, nga lufta në Ukrainë e deri te kriza në Lindjen e Mesme, ndërsa çmimet e naftës vijojnë të rriten pak ditë para zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

rubio

Samiti, i cili drejtohet nga Sekretari i Shtetit Marco Rubio, mbahet në Atlanta të Xhorxhias dhe shërben si përgatitje për samitin e liderëve të G20-ës që do të mbahet në dhjetor në resortin e Presidentit Donald Trump pranë Miamit.

Me kalimin e viteve, G20 ka humbur një pjesë të prestigjit për shkak të mungesës së vendimeve thelbësore. Megjithatë, administrata Trump, që mban presidencën e radhës, synon ta “riorientojë” grupin, duke argumentuar se siguria globale dhe prosperiteti ekonomik janë të pandashme. Sipas një burimi diplomatik, ky samit është konceptuar “më shumë si një shfaqje e fuqisë amerikane dhe e angazhimit ndaj tregtisë dhe biznesit, sesa si një samit me ambicie thelbësore”.

Sfidat energjetike dhe mungesa e një deklarate përfundimtare

Në Atlanta, diskutimet fokusohen te sfidat e energjisë, zinxhiri i furnizimit dhe ndikimi i tensioneve gjeopolitike në sigurinë ekonomike. Departamenti i Shtetit theksoi rëndësinë e aksesit të lirë në energji, sidomos për teknologjitë në zhvillim si inteligjenca artificiale, si dhe mbrojtjen e rrugëve detare tregtare pa kërcënime apo tarifa.

Pas përfundimit të takimit, nuk pritet të ketë një deklaratë përfundimtare të përbashkët, por vetëm konkluzione të nxjerra nga presidenca amerikane.

Prania e Lavrovit dhe tensionet me Evropën

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka mbërritur në SHBA për të marrë pjesë në punimet e G20-ës, ndërsa Trump e ka ftuar gjithashtu Vladimir Putinin në samitin e dhjetorit (ftesë që ende pret konfirmim nga Kremlini).

Prania e kryediplomatit rus pritet të ngrejë tensionet me aleatët evropianë. Ekspertët vlerësojnë se evropianët do ta shohin këtë me shumë skepticizëm, ndonëse burimet diplomatike sqarojnë se pjesëmarrja e tij nuk legjitimon veprimet e Moskës dhe se evropianët do të vijojnë të mbrojnë fort qëndrimin e tyre për Ukrainën.

Një tjetër mungesë e dukshme në samit është ajo e Afrikës së Jugut (pas akuzave të Trump ndaj qeverisë së saj), ndërsa në vend të saj Uashingtoni ka ftuar Poloninë, duke shprehur dëshirën që ajo të bëhet pjesë e G20-ës.

Zymtësia në Lindjen e Mesme dhe zgjedhjet në SHBA

Takimi vjen në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme po shënojnë kulmin. Sipas Wall Street Journal, Uashingtoni u ka kërkuar vendeve të Gjirit të përgatiten për një operacion ushtarak të shkurtër dhe intensiv pas zgjedhjeve të mesmandatit më 3 nëntor. Vetë Presidenti Trump paralajmëroi javën e kaluar për mundësinë e një operacioni të ngjashëm me atë të mëparshëm kundër Iranit.

Në frontin e Ukrainës, pavarësisht mundësisë së një takimi të mundshëm mes Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në nëntor në Emiratet e Bashkuara Arabe, askush nuk pret ndonjë përparim drejt paqes në këtë fazë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›