Tepelenë,arrestohen 5 persona për vjedhje

Pesë persona janë arrestuar nga policia në rrethin e Tepelenës, të akuzuar për vjedhjen e banesave dhe lokaleve në qytetin jugor. Sektori Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Tepelenë, ka ndërmarrë operacionin e koduar "Vjosa", duke vënë në pranga shtetasin Luan Caca, 37-vjeç; Erjon Balliaj, 27-vjeç; Jonid Haxhiraj, 22-vjeç; Haxhi Salaj, 25-vjeç dhe Klodjan Musara, 28-vjeç, të gjithë banues në Tepelenë. "Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer një sërë vjedhjesh të dokumentuara"- thanë burimet policore. Aktualisht në ngarkim të tyre janë dokumentuar 6 vjedhje në Tepelenë dhe periferi të saj. Policia bën me dije se këta shtetas vepronin si një grup kriminal i mirë organizuar, të cilët për realizimin e aktivitetit kriminal përdornin automjetin tip benz 250, në pronësi të shtetasit Luan Caca. Materialet hetimore ndaj këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të "Vjedhjes kryer në bashkëpunim". Ndërsa për shtetasin Luan Caca edhe për veprën penale të "Mbajtjes pa leje të lëndëve plasëse".