Tërheqja e forcave të policisë, protestuesi zbulon diskutimet me efektivët
Në bulevardin përpara Kryeministrisë, ku pas përplasjeve mes demonstruesve dhe forcave të rendit për disa orë, pati një moment qetësie. Një prej të rinjve pjesëmarrës ka treguar versionin e tij mbi atë që çoi në uljen e tensioneve dhe lëvizjen e efektivëve drejt godinës së Kryeministrisë.

Sipas rrëfimit të tij, situata u qetësua pas një komunikimi mes protestuesve dhe policëve, të cilët, siç pretendon ai, arritën të kuptoheshin pa pasur nevojë për kushte apo garanci të tjera.
Gjatë deklaratës, i riu u ndal edhe te marrëdhënia mes qytetarëve dhe punonjësve të policisë, duke nënvizuar se efektivët janë shqiptarë dhe se veprimet e tyre lidhen me urdhrat që marrin nga eprorët.
“U lodhëm me protesta paqësore”, u shpreh ai, duke argumentuar se, në këndvështrimin e tij, vetëm një protestë që sell rezultate konkrete mund të ndikojë në situatën politike.
I riu adresoi gjithashtu akuza të rënda ndaj kryeministrit Edi Rama, për të cilin përdori epitete fyese. Ai pretendoi se protestuesit nuk kanë më alternativa të tjera, duke e paraqitur përshkallëzimin e përballjes si të vetmen rrugë të mbetur. Në të njëjtën kohë, ai iu drejtua efektivëve me thirrjen që të mos zbatojnë urdhra që i konsiderojnë të papranueshëm dhe të largohen nga detyra.
Deklaratat pasqyrojnë pakënaqësinë e shprehur nga një pjesë e protestuesve gjatë tubimit në kryeqytet, ndërsa momenti i tërheqjes së efektivëve erdhi pas një periudhe tensioni dhe përplasjesh përpara selisë së qeverisë.