Tërmet në Itali, tre viktima

Një tërmet në Italinë e veriut vrau të paktën tre persona dhe ka detyruar dhjetëra mijëra të braktisin shtëpitë, mëngjesin e së dielës.
Lëvizjet e tokës me forcë të shkallës 6.0 rihter, u ndienë në orët e para të mëngjesit, ndërsa epiqendra u regjistrua 35 kilometra larg qytetit të Bolonjës.
Burimet zyrtare raportuan se të tre viktimat u regjistruan kur ndërtesa në të cilën punonin u shemb.
Televizionet vendase transmetojnë aktualisht pamjen e kishave të vjetra dhe fabrikave të dëmtuara në zonë. Disa tërmete më të vegjël pas goditjes fillestare janë regjistruar.
Burime të skuadrave të shpëtimit deklaruan se bilanci përfundimtar i viktimave nuk është i qartë dhe se ai mund të rritet ne oret ne vazhdim.
Konfirmohen gjithashtu 50 të plagosur, ndonëse asnjëri prej tyre në mënyrë serioze. Tërmeti ka shkaktuar dëme kryesisht në rrethin e Bolonjës, ndërsa tronditjet e tij u ndienë qartë edhe në qytetet e Ferrarës, Veronës dhe Mantovës.
Për herë të fundit, një tërmet madhor goditi Italinë në vitin 2009. Ai shkaktoi dëme të mëdha në epiqendrën e tij, qytetin e Akuilës, ku mbi 300 persona humbën jetën dhe pothuajse i gjithë qyteti u kthye në rënoja.