Tërmet virtual në Ballkan

Një cunami i fuqishëm, pas një tërmeti prej 7,3 shkallë të Richterit, do ta shkretojë Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë dhe Kosovën. Kjo do të ndodhë më 30 mars, në kuadër të një ushtrimi virtual në internet të Qendrës për hulumtime të Universitetit në San Diego.
Tërmeti virtual në Detin Adriatik dhe më pas një cunami shkatërrues, do të godasë Kroacinë, Malin e Zi, Bosnjë e Hercegovinën, Maqedoninë dhe Kosovën, më 30 mars në ora 04:02 që do të shkaktojë vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve dhe do të le pas veti dëme të mëdha materiale.
Edhe pse fillimisht mendohet për ndonjë shaka të 1 prillit, por fjala është për një ushtrim-stërvitje të Qendrës për hulumtime të Universitetit Shtetëror në San Diego të SHBA-së.
Kjo stërvitje është quajtur “X24 Evropa” dhe do të realizohet në mënyrë që të hulumtohen mundësitë dhe kapacitetet e medieve shoqërore dhe shfrytëzimi i burimeve të bashkësive të internetit gjatë kohës së këtij operacioni dhe zbutjen e pasojave të katastrofës.
Një katastrofë e këtillë e simuluar, në të cilën është përfshirë edhe cunami më i madh në këtë rajon, në botën virtuale do të zgjasë më shumë se gjashtë muaj.
Skenarin e plotë të stërvitjes-ushtrimit, si dhe situatat virtuale që do të zhvillohen pas katastrofës, janë bërë publike në faqen e internetit x24.eushare.org.
Kështu për shembull, vetëm një minutë pas tërmetit, përmes Twitterit, Facebookut, e-mailit dhe sms-ve, do të fillojnë të arrijnë mesazhet se janë ndërprerë të gjitha komunikimet me qytetet bregdetare në Adriatik.