Tërmeti, mbi 41 mijë viktima

Çdo orë që kalon në zonat e prekura nga tërmeti shton numrin e viktimave. Deri më tani mbi 41 mijë të vdekur janë regjistruar në të dy vendet, Turqi dhe Siri.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se numri i të vdekurve nga tërmetet e fuqishme të javës së kaluar në Turqinë jugore është rritur në 35.418. Mbi 6 mijë numërohen në Siri. “Tërmetet që goditën javën e kaluar Turqinë ishin të fuqishme sa bomba atomike”, kështu është shprehur presidenti turk Rexhep Tayyip Erdogan. Gjithashtu ai theksoi se më shumë se 2.2 mln njerëz janë larguar nga zonat e prekura nga tërmetit, shkruan media greke.
Ndër të tjera presidenti turk premtoi se kërkimet do të vazhdojnë deri në gjetjen e personit të fundit të bllokuar në rrënoja, duke shtuar se puna e ekipeve të shpëtimit po përmirësohet dita ditës. Ndërkohë një delegacion nga Kombet e Bashkuara (OKB) ka vizituar Idlibin për të bërë hetime pas tërmetit shkatërrimtar. Autokolona me 7 automjete që transporton delegacionin e OKB-së arriti në provincën Idlib në mëngjesin e së martës.
Ndërkaq se 70 shqiptarë kanë vdekur si pasojë e tërmetit katastrofik në Kahramanmaras të Turqisë, ndërsa tre të tjerë në Hatay.
Kështu thotë për KosovaPress, kryetari i shoqatës së Kulturës dhe Solidaritetit të Shqiptarëve, Evren Kaya. Sipas tij, deri më tani vetëm një familje shqiptare është nxjerrë nga e gjallë nga gërmadhat. Kaya tregon se shumë nga shqiptarët që jetojnë në këto vende të prekura nga tërmeti, kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre.