Tërmeti në Marok/ I ati i kërkoi të merrte thikën në kuzhinë për të prerë pjeprin, por djali i tij nuk doli i gjallë prej aty

Hamid ben Henna ishte duke darkuar me familjen e tij të premten kur i kërkoi djalit të tij të vogël, Marouane të merrte një thikë nga kuzhina për të prerë pjeprin.
Marouane shkoi të merrte thikën kur shtëpia filloi të dridhej dhe dritat u fikën. Ben Henna i tha agjencisë së lajmeve Reuters se “gjithçka filloi në orën 23:00. Marouane nuk e solli dot thikën sepse sapo doli nga kuzhina ra tërmeti”.
Ai tha se 8-vjeçari u varros nën rrënoja.
Fatima, nëna e Marouane tha se “Nuk kishte dritë. Ne ishim në errësirë dhe nën pluhur. Ne dëgjuam tërmetin, shkëmbinjtë dhe muret që binin. Por, në fillim nuk e kuptuam se çfarë po ndodhte”.
Ndërsa shtëpia e tyre u shemb Ben Henna dhe djali tjetër i tij, Mouad arriti të hapte derën në rrugicë dhe të merrte gruan dhe vajzën e tij të vogël.
Por ndërsa u shpërnda pluhuri, ata kuptuan se Marouane nuk ia kishte dalë. Trupi i tij u gjet të shtunën.
Tërmeti shkatërrimtar që preku Marokun pak ditë më parë ka shkaktuar mbi 2 mijë viktima dhe po kaq të plagosur ndërsa ka lënë shumë të tjerë të pastrehë.
Epiqendra e tërmetit ishte në Malet e Atlasit të Lartë, 71 km në jug-perëndim të Marrakeshit, sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA.
Disa pjesë të medinës historike të Marrakeshit, një vend i trashëgimisë së UNESCO-s dhe rrjeti i saj i rrugicave panë dëme të konsiderueshme.
Është tërmeti më i madh që Maroku ka parë ndonjëherë që prej 60 vitesh.
Zakonisht, aktiviteti tektonik i lidhur me përplasjen midis pllakave që mbajnë kontinentet evropiane dhe afrikane priret të ndodhë më në lindje në Mesdhe, rreth Italisë, Greqisë dhe drejt Turqisë, transmeton BBC.
Drejtori i Qendrës Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare, Rémy Bossu tha se pasgoditjet do të vazhdojnë për ditë, ndoshta javë, duke shtuar se organizata e tij kishte regjistruar tashmë 20 prej tyre.
/rtsh.al/