Tërmeti në Turqi dhe simbolika mes turqve dhe kurdëve

Tërmeti i fuqishëm prej 7.2 ballë në pjesën juglindore të Turqisë, me popullsi kryesisht kurde, ka nxjerrë në qendër të vemendjes marrëdhëniet mes turqve dhe kurdëve. Tërmeti ra vetëm pak ditë pas vrasjes së 24 ushtarëve turq nga grupi rebel kurd, PKK. Përgjigja pas tërmetit, i cili shkaktoi mbi 500 të vdekur, të paktën 1,600 të plagosur dhe la mijëra të tjerë të pastrehë, është shoqëruar si me mbështetje të madhe humanitare por edhe me një nacionalizëm të shëmtuar nga disa turq ndaj të mbijetuarve.
Në të njëjtën kohë që rajoni me shumicë kurde përreth qytetit Van u godit nga tërmeti, turqit po demonstronin në gjithë vendin kundër vrasjes së 24 ushtarëve turq nga Partia e Punëtorëve të Kurdistanit, PKK, të mbushur plot dhimbje dhe zemërim.
Por edhe ndërsa bëhej e qartë shkalla e shkatërrimeve nga tërmeti dhe ekipet e shpëtimit përpiqeshin të nxirrnin njerëzit e bllokuar nën rrënoja dhe të ndihmonin dhjetra mijëra të tjerë të pastrehë, gazetarja e njohur e televizionit, Muge Anil provokoi një stuhi kontradiktash kur tha se pse duhet t`i ndihmojnë turqit kurdët e dëshpëruar në zonën e tërmetit.
Pas një sërë protestash, Muge Anil u detyrua të kërkonte falje, por analisti politik, Asla Aydintasba, i gazetës turke Milliyet, thotë se gabimi i gazetares Anil në television pasqyron ndjenjat e shumë turqve.
Por turq të tjerë kanë ndihmuar zonën e goditur nga tërmeti. Rrjetet televizive transmetuan një thirrje mbarë kombëtare të quajtur "Një zemër", duke grumbulluar milliona euro. Thirrjet për veshmbathje kanë gjetur gjithashtu një përgjigje pozitive. Megjithatë, organizatorët njoftojnë se në xhepat e disa prej rrobave të dhuruara kanë gjetur shënime fyese, që dënojnë kurdët. Ky është një problem i madh që ka çuar në kontrollin e të gjitha rrobave të dhuruara.
Shqetësimet rreth urrejtjeve të tilla etnike nxitën kryeministrin Recep Tayyip Erdogan që t`i dënonte ato me zemërim.
“Çdo fjalë, çdo frazë dhe çdo shprehje diskriminimi është çnjerëzore dhe e pa ndërgjegjshme. Këto janë ndjenja të sëmura dhe duhet të marrin fund” theksoi ai.
Vëzhguesit thonë se tërmeti që goditi zonën përreth qytetit Van po mer një rëndësi gjithnjë e më simbolike: A do ta bashkojë Turqinë një tragjedi e tillë apo do ta polarizojë edhe më shumë?