Sulmi në Sarajevë, 23-vjeçari me probleme psiqike

Avokati i 23-vjeçarit Mevlid Jashareviç, personit i cili sulmoi ambasadën amerikane në Sarajevë ka deklaruar se klienti i tij nuk ka pasur bashkëpunëtorë.
Sipas Reuters avokati Senad Dupovaç është shprehur gjithashtu i shqetësuar për gjendjen psiqike të të pandehurit.
“Ai është konfuz dhe nuk mendoj se është i vetëdijshëm për veprimet e tij. Besoj se ai ka nevojë për një ekspertizë psiqike”, tha ai pas takimit me klientin e tij.
Prokurori i shtetit të Bosnjës, Dubravko Kampara, tha se do t`i kërkojë gjykatës shtetërore të hënën që të urdhërojë masën e burgimit për Jashareviçin lidhur me dyshimet për terrorizëm.
Prokurori tha se janë arrestuar dy persona në Bosnjë me dyshimet se kanë lidhje me Jashareviçin.
Policia serbe arrestoi, duke i liruar më vonë, 17 persona në tre rajone në jug-perëndim të vendit përfshirë Novi Pazarin, vendlindjen e sulmuesit.
Sulmi i së premtes ndaj ambasadës së Shteteve të Bashkuara paralizoi Sarajevën, ndërsa Jashareviç u plagos nga forcat policore për t`u arrestuar më pas.
Një polic u plagos gjithashtu gjatë këtij incidenti.