Terri-Brixh, në Londër luhet sfida e "tradhtisë"
LONDER- Xhon Terri e Uejn Brixh do të për ballen sot në orën 13.45 në "Stemford Brixh", në atë që mediat e quajnë sfida e tradhtisë. Skandali seksual që ka zënë për një muaj radhazi faqet e para të shtypit anglez, do të vijojë sot me një akt vendimtar në ndeshjen çelsi- Mançester Siti. Kapiteni i bluve të Londrës u zbulua se kishte patur një lidhje seksuale 4-mujore me të fejuarën e shokut të tij të ngushtë, Vanesa Perronsel. Dueli i sotëm është i shumëpritur në Angli, për të parë sjelljen e tyre në fushën e lojës. Dy trajnerët ndërkohë kanë nxituar të deklarojnë se u besojnë yjeve të tyre, për të cilët është konfirmuar se do të jenë në fushë. Trajneri i Mançester Sitit Roberto Mançini bëri të ditur se Brixh është në gjendje të mirë psikologjike dhe do të luajë titullar në krahun e majtë. "Mendoj se Uejn është OK, - deklaroi Mançini në konferencën e djeshme për shtyp. - Nuk e di se çfarë ka ndodhur realisht në javët e fundit, por më vjen vërtetë keq për të. Gjithsesi, mendërisht ai është mirë. Brixh është një lojtar shumë i rëndësishëm për ne dhe unë dua që ai të luajë", u shpreh tekniku i Sitit. Deklarata e Brixh për të hequr dorë nga kombëtarja ka qenë shokuese për Mançinin. "Mendoja se Uejn do të qëndronte në kombëtare, - tha tekniku italian i Sitit. - Duhet të ketë qenë një vendim shumë e vështirë, pasi unë e di sesa e rëndësishme është kombëtarja për një futbollist". I pyetur nëse Uejn Brixh do të pranojë t'i shtrëngojë dorën kapitenit të çelsit para ndeshjes, Mançini devijoi: "Uejn duhet të mendojë vetëm për ndeshjen. Ai është një futbollist i shkëlqyer dhe njeri mjaft i mirë. Shpresoj të luajë mirë dhe kaq". Në krahun tjetër, edhe trajneri i çelsit Karlo Ançeloti preferoi të ulte vëmendjen nga kjo histori rozë, e cila shokoi gjithë opinionin publik në Angli. Sipas tij, Xhon Terri do të jetë i përqendruar te ndeshja dhe nuk do të mendojë për çështjet personale me Uejn Brixh në sfidën e sotme çelsi- Mançester Siti. Megjithatë, në Angli të gjithë pyesin nëse dy ish-shokët e skuadrës, do të shtrëngojnë dorën me njëri-tjetrin, një gjest tradicional para fillimit të ndeshjeve. Vetë Xhon Terri, nëpërmjet The Sun ka bërë të ditur se do ta bëjë këtë. "është detyra ime në fushë si kapiten që t'i shtrëngoj dorën", ka thënë ai. Kapiteni i çelsit tradhtoi besimin e mikut të tij të ngushtë, duke kryer marëdhënie seksuale për muaj me radhë me ish-të fejuarën e tij Vanesa Perronsel, nga e cila Uejn Brixh ka edhe një djalë. Sipas Ançelotit, shtrëngimi i duarve mbetet për t'u parë nëse do të ndodhë apo jo. "Por, unë ju siguroj se Xhon Terri është një profesionist dhe nuk e ka shumë problem të përqendrohet te ndeshja, - deklaroi tekniku i bluve të Londrës. - Ai ka patur paraqitje të mira, është gjithnjë i fokusuar dhe ka mentalitet të fortë. Terri ka bërë një sezon fantastik dhe kështu do të ndodhë deri në fund", shtoi Ançeloti
(Altin Latifi/Balkanweb)
(Altin Latifi/Balkanweb)