“Territorialja”, Boçi i përgjigjet Maznikut: PD ka kërkuar dëgjesa të hapura për publikun

Nëpërmjet një statusi në Facebook, Luçiano Boçi, bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, i është përgjigjur deklaratave të bëra nga homologu i tij Arbjan Mazniku, i cili tha se, “opozita kishte kërkuar që dëgjesat të zhvillohen vetëm në Kuvend”.
Nënkryetari i PD-së hedh poshtë këto deklarata duke thënë se janë të pavërteta dhe se deputetët e PD në Komision kërkuan dëgjesa të hapura për publikun, në çdo qark dhe bashki.
Reagimi i plotë: Një reagim për drekat e darkat e PS dhe terrenin e PD U habita tek lexova gënjeshtrën perlë të shkruar nga z. Mazniku, sipas së cilës PD ka kërkuar dëgjesa vetëm në Kuvend dhe jo në terren. Nuk e kuptoj se si mund të arrihet deri këtu, kur mbledhja ishte e transmetuar dhe online. E vërteta është se deputetët e PD në komision kërkuan dëgjesa të hapura në çdo Qark dhe Bashki specike. E theksoj TË HAPURA për publikun me pjesmarrje të lirë, dhe jo TË MBYLLURA në zyrat e Bashkive vetëm me zyrtarë bashkiakë siç insistuan dhe kishin projektuar deputetët e PS. Madje për ne prevalojnë dëgjesat me komunitetet sipas kërkesave që ato kanë paraqitur pranë nesh, ndërkohë që mazhoranca nuk pasqyroi këtë vullnet. Këto janë “terreni” i vërtetë i PD e jo zyrat e Bashkive të PS. Njëherazi kërkuam paralelisht thirrjen në dëgjesa në Komision të gjithë kryetarëve e përfaqësuesve politikë në Këshillat Bashkiakë, të cilat duhet të hapen me dëgjesën me Ministrin e pushtetit lokal. Kundërshtia e deputetëve të PD ishte për drekat e darkat e planifikuara nga PS pas përfundimit të paradave-dëgjesa në zyrat e Bashkive e qarqeve. Kjo është e vërteta, e cila e di mirë që gënjeshtra vrapon më shpejt me këmbët e saj të shkurtra, por kush e do të vërtetën le të dëgjojë mbledhjen të regjistruar në faqen e Kuvendit.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Territoriale zhvilloi më 11 mar, një mbledhje ku u diskutua mbi ecurinë e procesit dhe organizimin e fazës dëgjimore me aktorët e interesuar.
Bashkëkryetari i komisionit nga Partia Socialiste e Shqipërisë, Arbjan Mazniku, bëri të ditur se komisioni ka një axhendë që parashikon nisjen e fazës së seancave dëgjimore, duke shpresuar që këto takime të përmbyllen brenda muajit prill.
“Duhet të kemi një komunikim me të gjitha palët dhe grupet e interesuara, ku secila palë të japë kontributin e saj, në mënyrë që ta kryejmë këtë fazë dëgjimore në kohë dhe të mos e çojmë situatën në një zvarritje të procesit. Ka kohë që diskutojmë teknikalitete dhe ende nuk kemi nisur punën”, u shpreh ai.
Ndërkohë, bashkëkryetari i komisionit nga Partia Demokratike e Shqipërisë, Luçiano Boçi, theksoi se reforma duhet të realizohet mbi baza serioze dhe me një proces të plotë konsultimi.