Parandalohet një vrasje në Lezhë, në pranga 3 persona, sekuestrohen 3 pistoleta

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Policia ka parandaluar një vrasje të planifikuar në Lezhë, duke arrestuar tre shtetas, të dyshuar si të përfshirë në organizimin dhe përgatitjen e krimit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Detajet”, u arrestuan Elden Tarja, 25 vjeç, banues në Barbullush; Kristian Ymeri (Shkambi), 34 vjeç, banues në Kamzë; dhe Vinçesk Piroli, 38 vjeç, banues në Kurbin.
Sipas Policisë, dy prej të arrestuarve lëviznin të armatosur dhe me skafandra me një motomjet të vjedhur në Suedi, në rrugën e vjetër “Pllanë-Lezhë”, me qëllim kryerjen e vrasjes. Ndërsa personi i tretë dyshohet se bashkëpunonte me ta, duke i ndihmuar të largoheshin me automjet nga zona ku ishte planifikuar krimi.
Pas marrjes së informacionit për lëvizjet e dyshimta të dy personave me skafandra në këtë aks rrugor, shërbimet e Policisë organizuan kontrolle dhe patrullime në zonën e sinjalizuar, si dhe në drejtim të Shkodrës.
Si rezultat i veprimeve policore, në segmentin rrugor Gjadër-Barbullush u ndalua një automjet tip “Volkswagen”, me të cilin udhëtonin tre shtetasit. Sipas Policisë, dy prej tyre ishin konstatuar më herët duke lëvizur me motomjet në rrugën e vjetër Pllanë-Lezhë, ndërsa i treti drejtonte automjetin që do të përdorej për largimin e tyre nga zona.
Gjatë kontrolleve fizike, në motomjet, në banesën e njërit prej të arrestuarve dhe në ambientet përreth saj, u gjetën dhe u sekuestruan tri armë zjarri pistoleta, me krehra dhe fishekë, si dhe motomjeti i dyshuar i përdorur për rastin. Sipas verifikimeve, motomjeti rezultoi i vjedhur në Suedi.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/a.f/r.e/