Terrori psikik, formë diktatorialeNga Jusuf ZimeriFenomeni i terrorit psikik në përgjithësi në shoqëritë njerëzore edhe pse është formë e vjetruar, sërish po gjen shtrat të volitshëm edhe në shoqërinë bashkëkohore moderne në të gjitha format e jetës,
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Terrori psikik, formë diktatorialeNga Jusuf ZimeriFenomeni i terrorit psikik në përgjithësi në shoqëritë njerëzore edhe pse është formë e vjetruar, sërish po gjen shtrat të volitshëm edhe në shoqërinë bashkëkohore moderne në të gjitha format e jetës, e me theks të veçantë në vendin e punës. Detyrimi i të nënshtruarit ndaj udhëheqësve, punëdhënësve, drejtorëve dhe njerëzve të parë të organizatave dhe institucioneve të ndryshme, për të siguruar kafshatën e bukës dhe mbijetesën, për fat të keq gjithnjë e më shumë po bëhet pjesë e realitetit tonë praktik në shoqërinë tonë të quajtur demokratike.
Ky fenomen, për të cilin thuajse nuk çan kokën askush në këtë shoqëri përveç viktimave, gjithnjë e më shumë po inkurajon funksionarët e lartë, liderët dhe njerëzit e parë të institucioneve dhe organizatave qofshin ato të shoqërisë civile, shtetërore, politike, private apo edhe fetare në një ekstravagancë të papërshkruar, që në organizatat e tyre të formojnë falangat dhe gardat e tyre nga rrethi më i ngushtë me interesa të përbashkëta, nga individë të cilët veprimtarinë e tyre (de)konstruktive ta zhvillojnë mbi kurrizin dhe në dëm të të tjerëve.
Përmes këtij fenomeni, falë këtyre falangave, të formuara nga individë të instrumentalizuar e të quajtur luajal, arrijnë që të demonstrojnë ekzibicionizmin e tyre, dhe përmes tyre arrijnë që, drejtorët apo udhëheqësit e organizatave apo institucioneve të krijojnë një imunitet, i cili jo vetëm që është i rrejshëm, por që në esencë është aq sa joligjor, po aq edhe jomoral, po që sipas tyre mundëson qeverisje dhe udhëheqje sa më të gjatë dhe më profitabile për konton individuale apo klanore.
Në anën tjetër kjo formë e qeverisjes dhe menaxhimit me delikuencë, e mbuluar me politikë ekspansioniste dhe e zhveshur edhe nga etika njerëzore, e të mos flasim për etikën e punës, fesë, demokracisë dhe mirëqenies sociale, jo vetëm që eksterminon kompaktësinë dhe raportet kolektive brenda një organizate, por reflektohet thellë edhe në jetën e përditshme sociale.
Ky menaxhim dhe kjo udhëheqje e brishtë në këtë formë, vetëm sa thellon padrejtësinë dhe shqetësimet në shoqërinë njerëzore, sepse kjo formë e qeverisjes mundëson emërimin e njerëzve të paaftë në pozita të larta shoqërore. Kjo formë e emërimit të njerëzve të paaftë në pozita të larta udhëheqëse, dhe me shumë përgjegjësi, bën që udhëheqësit në organizatat apo institucionet e tyre të instalojnë sistemin diktatorial, sepse ata realisht ndiejnë rrezik nga jashtë, dhe gjithnjë jetojnë në ankth, kurse mbijetesa e tyre nuk ka alternativë tjetër përveç dhunës dhe diktatit që e ushtrojnë ndaj atyre që mendojnë ndryshe nga ai, sepse vetëm përmes kësaj influence, arrijnë të mbajnë kontroll të plotë dhe njëkohësisht të formojnë një afoni te shtresa më e gjerë.
Strukturat udhëheqëse, funksionarët e lartë të organizatave dhe institucioneve të ndryshme, të zgjedhur apo të emëruar në Ballkan, akoma nuk po arrijnë të kuptojnë realitetin e pa kontestuar se zgjedhja apo emërimi i tyre, nuk është vetëm nder dhe privilegj për ta, por njëkohësisht është edhe përgjegjësi juridike, etike, fetare dhe njerëzore. Duhet të kuptojnë se pozitat qendrore udhëheqëse, nuk janë pozita të përfitimeve të pasurisë individuale, e as të shfryrjes së epsheve, apo për të arritur reputacion, por është amanet dhe përgjegjësi.
Kur udhëheqësit tanë të kuptojë përgjegjësinë e tyre, vetëm atëherë do të kenë mundësi reale që drejtësia të jetë mbi forcën, konsultimet dhe dialogu mbi dhunën dhe diktatin, dhe populli të jetë mbi qeverinë dhe udhëheqësit, si dhe interesi i përgjithshëm shoqëror të jetë mbi interesat dhe ambiciet individuale apo klanore. Në të kundërtën, herët apo vonë, por e sigurt se karizma e personave të tillë do tretet sikur akulli, i cili tretet me rrezet e para të diellit të ngrohtë, porse do të lënë gjurmë të thella në historinë e njerëzimit, e dhashtë Zoti që të mos ketë edhe vërshime të përgjakura.
Me gjithatë do të ishin të lumtur sikur përgjegjësia e tyre të përfundonte me përfundimin e jetës së kësaj bote, porse krahas asaj që do të përkujtohen për të keq, dhe do të dënohen nga gjeneratat që vijnë, do të japin llogarinë dhe përgjegjësinë edhe para Sunduesit absolut. Andaj, nuk është rastësi citati i profetit Muhamed a.s. kur thoshte: Udhëheqësi më i mirë është ai të cilin e doni dhe ju don, lutuni për të dhe lutet për ju, ndërsa udhëheqësi më i keq është ai të cilin nuk e doni dhe nuk ju do, e mallkoni dhe ju mallkon”.
Si duket populli më së shumti i këndon asaj që i mungon, e shoqërisë sonë më së shumti i mungon demokracia, drejtësia dhe sinqeriteti, andaj edhe gjithnjë flitet për këto dy fenomene që realisht janë baza ligjore për një shoqëri progresive dhe stabile.
Drejtësia është e shenjtë dhe hyjnore, kurse implementimi i saj në praktikë është imperativ gjeneral që përfshin të gjitha kategoritë njerëzore pa dallim përcaktimi ideor apo politik, përfshin edhe ata që kanë pozita të ulëta shoqërore, kurse për ata që kanë pozita të larta është edhe detyrim ligjor. Në shoqërinë dhe shtetin ligjor ku funksionon ligji dhe drejtësia, të gjithë njerëzit janë të barabartë para ligjit, askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, ngaqë ligji është mbi të gjithë. Andaj, çdo veprim që është në kundërshtim me ligjin dhe rregullat konsiderohet krim pavarësisht se nga kush buron.
Liderët tanë, qofshin politik apo shpirtërorë, shpeshherë duke e demonstruar demokracinë dhe drejtësinë në mënyrë monstruoze, në veten e tyre formojnë stereotipa të paparë, duke u shtirur se ata janë edhe shpëtimtarët e vërtetë, jo vetëm të popullit, por edhe kozmosit. Këto stereotipa të krijuar, shpeshherë, nëse nuk arrijnë të funksionojnë ndryshe, për të sjellë vendime “demokratike” shfrytëzojnë xhokerin alternativ ligjor të quajtur veto.
Përveç këtij xhokeri që përdoret për monokratizim, ata posedojnë edhe një sistem tjetër mbrojtës, i cili quhet imunitet, i cili keqpërdoret në maksimum nga udhëheqësit e popullit. Përmes shfrytëzimit të këtyre dy formave juridike, atyre u mundësohet që të hartojnë dhe sjellin ligje dhe vendime, në interes të grupacioneve dhe klaneve të caktuara, e nëse eventualisht këto ligje prekin në sedrën e tyre, ata kanë mekanizmin mbrojtës. Të fshehurit pas xhokerit të vetos dhe imunitetit, si dhe mbrojtja me to, është mbrojtje me tradhti, falsifikime dhe gënjeshtra dhe kjo konsiderohet krim dhe mëkat prej mëkateve të mëdha.
Pra, nëse implementimi i ligjit nuk ka trajtim të barabartë para të gjithë anëtarëve të shoqërisë njerëzore pa dallim pozite dhe funksioni, atëherë ekzistojnë gjasa reale që në atë shoqëri të hapen shtigjet e diktaturës dhe imponimit të mendimit dhe lirisë. Para asaj shoqërie hapen dyert e krimit të organizuar institucional dhe korrupsionit, mosfunksionimit të sistemit juridik e as shoqëror, siç po ndodh shpesh në shoqërinë tonë.
Ne jemi dëshmitarë të realitetit se në shoqërinë tonë shpeshherë ndodhin krime dhe veprime penale që sanksionohen me ligj dhe normativë, porse aktorët e krimit jo që nuk sanksionohen, por për kundër kësaj shpërblehet me poste më të larta në sistemin shoqëror. Zbatimi i ligjit vlen vetëm për ata që nuk janë anëtarë të ndonjë partie politike, ose ndaj atyre që i takojnë taborit tjetër politik që nuk janë në pushtet. Nëse çështjet trajtohen nga ky këndvështrim dhe kjo logjikë e sëmurë, atëherë realisht hapet mundësia që elita politike me imunitet të garantuar të fillojë të ndërmjetësojë në çështjet ligjore duke luajtur edhe rolin e pushtetit gjyqësor.
Për shoqërinë ku nuk funksionon sistemi juridik, ku ligji implementohet në mënyrë seleksionuese, ku elita politike ndërhyn në çështjet e drejtësisë dhe ligjit, në jurisprudencën hyjnore islame ekziston një garanci e fuqishme se kjo shoqëri është e dështuar dhe e shkatërruar, ku Muhamedi a.s. kishte thënë: “Popujt para jush janë shkatërruar sepse kur ka vjedhur i pasuri dhe ai në pozitë, nuk e kanë dënuar, ndërsa kur ka vjedhur i dobëti, e kanë dënuar”.
E drejta e lirisë së të shprehurit dhe të menduarit ndryshe nga shefi i punës, shpeshherë përfundon me pasoja të rënda për ata që nuk kanë imunitet dhe post udhëheqës në organizatën ku punon, si janë largimi nga puna, presionet psikologjike që e detyrojnë të ndërgjegjshmin të largohet dhe distancohet ose nga puna, ose nga mendimi i tij, si dhe shumë pasoja tjera. Tërë këto pasoja radhiten jo si rezultat i diletantizmit profesional, por si rezultat i pengesës së realizimit të planeve dhe platformave poli(e)tike të udhëheqësve. Megjithatë, kjo veprimtari gjithnjë arsyetohet dhe justifikohet në emër të reformave demokratike që kërkojnë një profesionalizëm të vërtetë, dhe respektim të normave juridike, dhe të kodit etik në vendin e punës.
Edhe organet kolektive udhëheqëse strukturoren në atë mënyrë, që udhëheqësi i këtij organi të ketë dorë të plotë mbi atë organ, sepse ndryshe nuk mund të funksionojë demokracia individuale. Nuk ka rëndësi përgatitja intelektuale dhe profesionale e anëtarëve të organit, sepse kriteri i vetëm për të qenë anëtar i atij organi është lojaliteti ndaj shtatmadhorisë së shefit të punës. Më kujtohen shumë raste e sigurisht edhe juve ju kujtohen kur njerëzit e parë të institucioneve shprehen se; të mençur jemi vetë, ne kemi nevojë për të dëgjueshëm e luajalë e jo për të mençur. No koment.
Sa për ta ilustruar pak këtë që e thamë, të marrim disa shembuj,: kryetarët e degëve të partive politike demokratike nëpër komuna, kush i emëron, populli ku ai vepron apo lideri i partisë, kandidatët për kryetar komune kush i përcakton, popullata ku duhet të veprojë ky kryetar i ardhshëm apo lideri i partisë, kandidatët për deputet, kush e përcakton listën, popullata ku kandidati do të bëhet deputet i asaj zone, apo lideri i partisë, pastaj muftitë apo kryeimamët nëpër muftini, kush i emëron, imamët që ai mufti duhet t’i përfaqësojë apo, lideri i tij, e kështu me radhë, pastaj vijnë drejtorët e shkollave, ndërmarrjeve, gjyqtarët etj etj.
Pra të gjitha këto procese janë demokratike, sepse sipas kësaj demokracisë sonë këta njerëz që i emëron lideri, të njëjtit nesër duhet ta emërojnë dhe t’ia zgjasin jetën e liderllëkut, liderit të tyre. Më kujtohet një rast kur një lider i një partie normalisht demokratike, në një miting partiak për zgjedhje lokale në një komunë të shtrirë për toke nga plagët e luftës, pat thënë: “Kur ne, (si mendoni, kush jemi ne në parti) vendosim që kryetar komune të jetë edhe një çoban, ai do të bëhet”.
Pastaj, çfarë është detyra e parë që duhet bëjë ky i emëruar i liderit? Fillimisht të largojë njerëz nga puna ku ka mundësi, tua ndërrojë vendin e punës dhe pranë vetes të formojë falangën, e cila do të bëjë presion psikik mbi ata që nuk ka mundësi t’i largojë nga puna. Po pra, edhe kjo është demokraci!!
Këta shembuj që i theksuam janë vetëm disa raste kalimthi që i sheh dhe i kupton çdokush, sepse për t’i kuptuar këto padrejtësi, dhe për të kuptuar se liria dhe demokracia nuk ekziston në institucionet, organet as në partitë tona politike e demokratike nuk nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë.
Lehtë e kanë gjykatat kompetente për të vërtetuar veprat penale dhe terrorin fizik që ushtrohet mbi individë apo grupe të caktuara, por terrori psikik që vazhdimisht po ushtrohet mbi qytetarët e rëndomtë kudo që gjenden ata, përfshirë dhe të punësuarit në vendet e punës, është vështirë të vërtetohet me prova fizike, edhe pse nuk është absurde, sepse edhe për këtë ekzistojnë mekanizma mbrojtëse atëherë kur ekziston vullneti i mirë.