Brenga e Ashtonit për BallkaninNga ExpressAjo është e angazhuar në të gjitha rajonet e botës, duke filluar nga Haiti e deri te shtetet fqinje të Europës. “Ballkani është prioriteti ynë”, thotë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Ca
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Brenga e Ashtonit për BallkaninNga ExpressAjo është e angazhuar në të gjitha rajonet e botës, duke filluar nga Haiti e deri te shtetet fqinje të Europës. “Ballkani është prioriteti ynë”, thotë përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Catherine Ashton, në një bisedë me gazetën austriake “Kurier”
Javën e ardhshme ajo do të vizitojë për herë të parë Serbinë, Bosnjën dhe Kosovën. Para se gjithash e brengos shteti i zhytur në krizë, Bosnja, vendi në të cilin jetojnë serbët, boshnjakët dhe kroatët, të cilët ka tashmë disa vite që po grinden për Kushtetutën e re dhe ku kryeministri i Republikës Serbe, Milorad Dodik, po kërcënon në vazhdimësi me shkëputje.
Një garantues i ruajtjes së unitetit të vendit është përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare, diplomati austriak, Valentin Inzko, thekson Ashton.
“Kam lidhje të fuqishme dhe përmbajtësore me Inzkon. Unë e mbështes atë kudo që mundem dhe synoj të forcoj pozitën e tij. Kjo tani është në veçanti me rëndësi, duke pasur parasysh zgjedhjet parlamentare në Bosnje, të cilat do të zhvillohen në vjeshtë”, shtoi ajo.
Për shtetet anëtare të BE-së, stabiliteti dhe reformat në Ballkan janë vendimtare për integrimin politik dhe ekonomik të rajonit në Europë.
“BE-ja në botë do të vlerësohet në bazë të arritjeve në Ballkan”, tha Ashton. Krahas marrëdhënieve me shtetet në fqinjësi të Europës, për Ashtonin ekzistojnë edhe dy prioritete të tjera shtesë.
Ajo thotë se prioritet është krijimi i shërbimit diplomatik të Europës, i cili nuk do të kryejë punët e njëjta, të cilat i kryejnë Ministritë e Jashtme të shteteve anëtare të unionit, por një shërbim, i cili do të sigurojë përparësi strategjike dhe analitike.
“Për të luajtur një rol në botë, ne duhet të flasim me një zë. Kjo është gjëja më e rëndësishme”, theksoi Ashton.
Ajo si tejet të vështirë e cilësoi situatën në Iran. “Ne dëshirojmë që me iranianët të flasim për të gjitha çështjet. Për ne ekzistojnë disa rregulla të caktuara. Sa u përket sanksioneve të reja kundër Iranit, për këtë duhet të vendosë Këshilli i Sigurimit i OKB-së”, tha Ashton.
Megjithatë, Ashton kundërshtoi idenë e ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Guido Wsterwelle, për formimin e një ushtrie të BE-së.
“Ne kemi nevojë për një bashkëpunim më të ngushtë ushtarak mes BE-së dhe NATO-s. As që mund të bëhet fjalë për krijimin e një ushtrie”, tha Ashton.
Ashton javën e kaluar qëndroi për vizitë në Austri, ku u takua me kancelarin Werner Faymann dhe me ministrin e Jashtëm, Michael Spindelegger. Fatmann dhe Spindelegger gjatë takimit përjashtuan mundësinë e angazhimit të ushtarëve austriakë në Haiti.