E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre orë për një fotografiNga TemaUPDATE- Tryeza mes drejtuesve të partive kryesore në vend dhe presidentit të Republikës ka mbaruar pa ndonjë rezultat, por me premtimin se negociatat do të takojnë. Palët i kanë lënë në dorë presidentit punën e eksplo

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Tre orë për një fotografiNga Tema

UPDATE- Tryeza mes drejtuesve të partive kryesore në vend dhe presidentit të Republikës ka mbaruar pa ndonjë rezultat, por me premtimin se negociatat do të takojnë. Palët i kanë lënë në dorë presidentit punën e eksplorimit, ndërsa kanë shtruar në tryezë kërkesat e tyre.

Deklarata e Berishës: Çdo gjë mund të zgjidhet përveç atyre që ka dhënë vendim gjykata

Kryeministri Sali Berisha ka publikuar në faqen zyrtare një deklaratë ku thuhet se çdo gjë tjetër përveç çështjeve për të cilat ka dhënë vendim gjykata, mund të zgjidhet.

“Dua të falënderoj Presidentin e Republikës për ftesën dhe të shpreh bindjen time se tryeza e thirrur nga ai ishte një përpjekje pozitive dhe serioze.

Aty ne patëm një shkëmbim të hapur të mendimeve dhe pikëpamjeve. Ne ramë dakord që Presidenti i Republikës të vazhdojë të eksplorojë të gjitha mundësitë e konvergjencave për çështje bazuar në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR –it. Sikundër ne jemi dakord për të plotësuar të gjitha kërkesat e Rezolutës Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR –it mbi zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat janë vlerësuar nga 510 vëzhgues ndërkombëtarë si zgjedhjet që plotësuan shumicën e angazhimeve të OSBE/ODIHR-it dhe në të cilat nuk pati asnjë provë për manipulim të rezultatit apo numërim të parregullt.

Po në këtë kontekst, në kuadër të rezolutës së KE dhe raportit përfundimtar të OSBE/ODIHR –it, koalicioni qeveritar i ofron zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe mazhoranca do t’i votojë ato. Sikundër jemi të gatshëm të ngremë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij.

Gjithashtu, unë garantova Presidentin e Republikës dhe zotin Edi Rama se ne jemi të gatshëm për të gjitha kompromiset e nevojshme, për të gjitha çështjet zgjedhore, bilaterale, pra mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet që ekzistojnë mes mazhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do t’i trajtojmë ato në mënyrën me serioze dhe më konstruktive.

Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit. Problemet me vendimet gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Ju e dini se për Partinë Demokratike, në mënyrë të përsëritur, Gjykata e Apelit dhe Kolegji Zgjedhor kanë dhënë vendime të disfavorshme, madje edhe në zgjedhjet e fundit. Por unë nuk i kam bërë asnjëherë ato probleme ndërpartiake, sepse ato kanë qenë probleme midis Partisë Demokratike dhe pushtetit gjyqësor, vendimet e të cilit kemi qenë dhe jemi të detyruar t’i pranojmë. E njëjta gjë vlen edhe për Partinë Socialiste.

Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë jo vetëm kërkesën e zotit Rama për rinumërim të votave në disa zona, por ajo ka hedhur poshtë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim në distriktin e Fierit, sepse bazuar në nenin 116 të kodit elektoral, i cili sanksionon se rinumërimi votave mund te behet vetëm ne raste kur ka kundërshtime gjate procesit të numërimi të tyre, gjykata konkludoi se nuk mund të ketë rinumërim të votave pa kundërshtime gjatë numërimit të tyre. Përveç kësaj, Gjykata e Apelit shpalli të pavlefshme, me kërkesë të PS, 512 votat e komunës Rushdije vetëm pse fletët e votimit nuk kishin dy vula, por vetëm një (për arsye se njërën vulë e mori komisioneri i Partisë Socialiste dhe u largua nga Qendra e Votimit gjithë ditën). Dhe në këtë mënyrë i dha mandatin Partisë Socialiste.

Natyrisht këtë vendim PS e pranon por ajo nuk pranon vendimin tjetër me të cilin Kolegji Zgjedhor hodhi poshtë kërkesën e saj për rinumërim të votave.

Unë nuk kam akuzuar zotin Rama se më grabiti mandatin për Rushdijen. Jo! Mandati iu mor Partisë Demokratike nga Gjykata e Apelit dhe unë e kam pranuar këtë vendim.

Çështje të cilat Partisë Socialiste ia ka hedhur poshtë gjykata janë çështje mes saj dhe pushtetit gjyqësor dhe jo mes saj dhe Partisë Demokratike.

Duke respektuar këto parime mendoj se çdo çështje tjetër mund të zgjidhet.

Une dua të siguroj qytetarët shqiptarë se ne mbetemi të vendosur të japim të gjithë ndihmesën tonë për një rezultat pozitiv të dialogut,” thuhet në deklaratën e kryeministrit.

Topi: Takimet do vijojnë

Presidenti Bamir Topi deklaroi pas tryezës se është shumë e rëndësishme që palët janë ulur përballë në një tryezë për të diskutuar opsionet për të dalë nga kriza. Topi falenderoi për këtë Ramën dhe Berishën, por dhe komunitetin ndërkombëtar. Presidenti bëri me dije se tryeza do të vijojë. Ai tha se nuk mund të priteshin rezultate ekstremisht pozitive, por ulja e palëve në tryezë është një arritje. Topi shtoi se në Shqipëri ka pasur raste kur këto situata janë kapërcyer dhe kështu duhet të ndodhë dhe tani për hir të të ardhmes së vendit. Presidenti deklaroi se palët në tryezë kanë diskutuar në kuadër të rezolutës së Këshillit të Europës, por duke paraqitur specifikat e tyre. Topi tha se në përfundim është rënë dakort që presidenti të eksplorojë mundësitë ku palët të konvergojnë. Presidenti tha se tryeza erdhi pas rezolutës së Këshillit të Europës.

“Jam para jush sot, para përfaqësuesve në terren të medias, përpara opinionit publik shqiptar për të komunikuar rreth tryezës së zhvilluar sot midis Kryeministrit, z. Sali Berisha, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, z. Astrit Patozi dhe Kryetarit të opozitës, z. Edi Rama, i cili shoqërohej nga Kryetari i Asamblesë së Partisë Socialiste, z. Gramoz Ruçi. Që në fillim dëshiroj të falenderoj Kryeministrin dhe Kryetarin e opozitës për respektimin e thirrjes për të ardhur në tryezë në vijim dhe në respekt të rezolutës së fundit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Në të njëjtën kohë dëshiroj të vlerësoj rolin e partnerëve ndërkombëtarë, të institucioneve ku Shqipëria bën pjesë, në mënyrë të veçantë Këshillin e Evropës ku Shqipëria është anëtare nga korriku i vitit 1995-së, përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian në Tiranë, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të gjithë ata që kontribuan që të realizohej tryeza politike e ditës së sotme.

Unë e kuptoj, sikurse e kupton çdo shqiptar, që pritshmëria për këtë takim ka qenë e lartë, interesi i medias, i opinionit publik, për të parë një rifillim të dialogut politik të munguar prej kohësh. Unë besoj që momenti më pozitiv i ditës së sotme është predispozicioni për t’u ulur në tryezë, rifillimi i dalogut politik midis dy elementeve substanciale të demokracisë, mes mazhorancës dhe opozitës, e cila ka ditur në vitet e pluralizmit shqiptar të bashëpunojë, ka ditur të kalojë traumat e bashkëpunimit dhe jam i bindur që edhe takimi i sotëm, i cili angazhoi në më shumë se tre orë, në bisedime të hapura, në bisedime pa komplekse të aktorëve kryesorë të politikës shqiptare, të cilët diskutuan për opsionet e tyre dhe natyrisht dhanë një element shumë të rëndësishëm që tryeza e dialogut do të vazhdojë. Ky ishte një angazhim reciprok i palëve, të cilat vlerësuan tryezën, iu referuan në mënyrë të qartë pikave të rezolutës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, natyrisht duke shprehur edhe pozicionet e tyre specifike.

Duhet të jemi koshientë që i gjithë “background”-i i këtyre marrëdhënieve, në një kontekst të caktuar, patjetër që nuk bënë që biseda, apo dialogu të dalë në përfundime ekstremisht pozitive. Por, mendjet racionale duhet të kuptojnë që është realizuar një moment shumë i rëndësishëm i demokracisë: rifillimi i një komunikimi të drejtëpërdrejtë, jo nga distancat, por në tavolinë, sepse ne kemi shembuj shumë pozitivë se si aktorët politikë edhe në të kaluarën kanë realizuar komunikime dhe vendimmarrje shumë të rëndësishme. Është substanciale për demokracinë në Shqipëri, për institucionet e saj që ky bashkëpunim të vazhdojë në të mirë të së ardhmes së shoqërisë shqiptare, të fëmijëve tanë, të cilët në mënyrë të qartë aspiratën e tyre e kanë orientuar dhe po e realizojnë hap pas hapi në vizionin euroatlantik.

Ne sot ramë dakort që Presidenti të vazhdojë, dhe termi më i gjetur besoj, që ramë dakord, ishte që të eksplorojë, ndoshta po shkojmë në terma jo shumë shqiptarë, por të kërkojë konvergjencën, edhe ky është term internacional, i cili kuptohet nga të gjithë, pikat ku palët mund të gjejnë gjuhën, mund të bashkëpunojnë dhe sigurisht kjo jep shpresë që kjo tryezë, së bashku me elementë të tjerë që kanë të bëjnë jo thjesht vetëm me faktorët politikë, por edhe ekspertizë, gjithmonë mbi bazën e vullnetit politik të shprehur, të vazhdojë dhe të japë garanci që demokracia në Shqipëri do të jetë funksionale, do të jetë efikase në funksion të interesave më madhore të popullit shqiptar.

Unë dëshiroj si gjithmonë të mos le pa falenderuar pikërisht median, e cila e ka ndjekur me shumë vëmendje, jo thjesht takimin e sotëm, por në vazhdimësi, sepse është pjesë e shtyllave të demokracisë, ushqen, bën debatin politik dhe mediatik dhe ushqen sugjerimin me informacionin e duhur dhe jam i bindur që media sikurse ka qenë e angazhuar, edhe do të vazhdojë të angazhohet që dhe palët të gjejnë zgjidhjet e duhura në funksion të të gjithëve,” tha Topi.

Rama: Nuk duhet zvarritje

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi pas takimit me kreun e shtetit dhe kryeministrin Sali Berisha se është i gatshëm që të vijojë takimet, por nuk pranon që dialogu të zvarritet në pafundësi. Rama tha se ishte në tryeze për parime e jo për pazare.

"Dua të falënderoj popullin opozitar, aleatët tanë tradicionalë e të rinj, deputetët dhe drejtuesit e Partisë Socialiste, padyshim miqtë e partnerët tanë ndërkombëtarë, për mbështetjen e kauzës historike të transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve në Shqipëri, në këtë moment kyç për fatet e vendit.

Falënderoj po ashtu komunitetin ndërkombëtar për angazhimin serioz e parimor në nxitjen e dialogut për daljen nga kriza dhe në mundësimin e tryezës së sotme mes palëve.

I shpreh konsideratën time më të lartë edhe Presidentit të Republikës për përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë në këtë përpjekje për të zgjidhur një krizë që sipas bindjes sonë të palëkundur i ka rrënjët tek deformimi i vullnetit të popullit para, gjatë, e pas 28 qershorit dhe pa asnjë dyshim, tek pengimi i paligjshëm nga qeveria i transparencës së plotë të zgjedhjeve.

Me zotin Berisha patëm një ballafaqim të hapur të pikëpamjeve të kundërta për thelbin e problemit që nga ana ime jam plotësisht i angazhuar ta zgjidh, por kurrsesi i predispozuar ta mbuloj apo anashkaloj. I nënvizova se ne nuk lëvizim nga parimi themelor i transparencës së plotë e të pakushtëzuar të zgjedhjeve të shkuara për të çliruar njëherë e mirë zgjedhjet në Shqipëri prej kthetrave të korrupsionit elektoral. Kjo do të thotë se, ashtu sikundër i’u bë e qartë edhe bashkëbiseduesit, lënia e kutive të 28 qershorit jashtë objektit të hetimit parlamentar që kërkojmë qysh në krye të herës, do të ishte shkelje e patolerueshme e parimit që na udhëheq në përpjekjen tonë, dorëzim i pajustifikueshëm i së drejtës sonë kushtetuese e ligjore për të nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën e kutive të votimit, pranim i palejueshëm i faktit se Shqipëria edhe nesër do të bëjë zgjedhje po kaq të papranueshme sa dje.

Sigurisht që kjo është një çështje vullneti politik e jo interpretimesh subjektive të të drejtave e lirive tona kushtetuese, të cilat jemi plotësisht të vendosur t’i bëjmë themel të zgjedhjeve në Shqipëri jo në favorin tonë, po në interes të të gjitha palëve e në radhë të parë të popullit shqiptar.

E sqarova zotin Berisha se ne nuk kemi punë as me vendimet e gjykatave dhe as me ndonjë përpjekje për të përmbysur rezultatin e nxjerrë në rrugë ligjore përmes hetimit parlamentar. Ne duam vetëm të bëjmë autopsinë e zgjedhjeve të vdekura që zgjedhjet e ardhshme të mos vdesin më nga e njëjta sëmundje.

Dua të jem shumë i drejtpërdrejtë dhe transparent me shqiptarët, të cilët i kishin të gjithë sytë tek tryeza e takimit të sotëm. Unë nuk shkova në atë tryezë për një pazar, por për një parim. Nuk shkova në atë tryezë për të mundur kundërshtarin politik, po për ta ftuar që sëbashku të përmbushim një detyrim të politikës ndaj qytetarëve duke e ndarë përgjithmonë Shqipërinë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të deformuara e të kontestuara. Nuk shkova në atë tryezë për të kryer një formalitet të quajtur dialog, po për të nxjerrë vendin nga kriza përmes dialogut.

Jam i gatshëm të vazhdoj të përpiqem me të gjitha energjitë e pasionin tim për t’ia dalë, por siç i’a thashë hapur e shumë sinqerisht zotit Berisha nuk jam aspak i gatshëm të pranoj zvarritjen e dialogut në pafundësi. Jo sepse unë s’kam durim, përkundrazi, por sepse thellimi i krizës po bëhet i padurueshëm për shqiptarët dhe opozita e këtij vendi nuk përfaqëson interesat e mia, po interesat e të gjithë shqiptarëve."

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›