E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terrorizmi, Yasin Kadi do të pyetet nga gjykata araba

Sheiku saudit Yasin Kadi do të rrëfehet për drejtësinë shqiptare lidhur me aktivitetin e tij në Shqipëri. Dëshmia që sheiku do të japë brenda pak ditësh para një gjykate arabe do të përdoret si provë në procesin penal. 

TIRANE- Sheiku saudit Yasin Kadi, emri i të cilit u rendit në listën e OKB-së dhe SHBA si financues i terrorizmit, do të rrëfehet për drejtësinë shqiptare lidhur me aktivitetin e tij në Shqipëri. Dëshmia që sheiku do të japë brenda pak ditësh para një gjykate arabe do të përdoret si provë në procesin penal, ndaj po zhvillohet në gjykatën e Krimeve të Rënda ndaj ish-administratorit të pronave të tij, Hamzeh Abu Rayyan. Konfirmimi për mbërritjen e letërporosisë është bërë gjatë seancës së djeshme gjyqësore ndaj Rayyan, i akuzuar për “fshehje të fondeve dhe pasurive të tjera”, ndaj së cilës zbatohen masat kundër financimit të terrorizmit. Në një kohë kur sheiku pritet të japë deklarime lidhur me veprimtarinë e tij në Shqipëri, avokatët e Rayyan i janë drejtuar kryeprokurores Ina Rama që të rishikojë akuzat ndaj klientit të tyre. Hamzeh Abu Rayyan, administrator i bizneseve të Yasin Kadi në Shqipëri, dyshohet se ka vjelë qira të objekteve të shoqërisë edhe pse ato ishin të bllokuara në kuadër të masave të marra në luftën ndaj terrorizmit. Por, edhe pse është vënë nën akuzë, Rayyan vazhdon të jetë sërish përfaqësues i sheikut Yasin Kadi dhe të kryejë të gjitha detyrimet e një administratori, deri tek pagimi i taksave dhe tatimeve.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›