E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Remzi Hoxhës, asgjë në arkiv

Ahmet Koka, ish-drejtori i Arkivit të Shërbimit Informativ Kombëtar përgjatë viteve 1992-’97, pohon se në arkivin e SHIK-ut s' ka ekzistuar asnjë material që të vërtetonte faktin se Remzi Hoxha ishte objekt i punës së këtij institucioni. 

TIRANE-"Nuk kam arkivuar materiale për Remzi Hoxhën”. Ahmet Koka, ish-drejtori i Arkivit të Shërbimit Informativ Kombëtar përgjatë viteve 1992-’97, deklaroi dje në procesin penal ndaj tre ish-shikasve të akuzuar për zhdukjen e shqiptaro-maqedonasit, se “në arkivin e SHIK-ut nuk ka ekzistuar asnjë material që të vërtetonte faktin se Remzi Hoxha ishte objekt i punës së këtij institucioni”. Ky pohim i Kokës në sallën e gjyqit konfirmon faktin se biznesmeni i zhdukur prej 14 vitesh nuk ka qenë objekt i punës së SHIK-ut. Ish-drejtori i Arkivës së SHIK-ut, i tha pesëshes gjykuese se gjatë periudhës që kishte mbajtur këtë post, në arkiv nuk ekzistonte asnjë dokument ku të flitej për Remzi Hoxhën, Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, si dhe për fatin e tyre.
Baza e Vainit
Dje, prokurori i çështjes Xhevat Hana ka insistuar nëpërmjet pyetjeve të tij të mësojë prej ish-kreut të SHIK-ut të Lezhës, Aleks Hasani, se si funksiononte baza e Vainit, ku dyshohet se është mbajtur peng dhe torturuar Remzi Hoxha. Por Hasani, i cili ka punuar për disa kohë si këshilltar i ish-kreut të Përgjithshëm të SHIK-ut, Bashkim Gazidede, u shpreh se nuk kishte shumë dijeni, pasi kjo bazë e shërbimit sekret nuk varej prej tij, por nga qendra, e cila vendoste dhe për personelin. “Vilën e Vainit e përdornim për festa dhe ditëlindje, pasi ishte një vend afër detit”, - tha para trupit gjykues dëshmitari Hasani. Ai saktësoi se nuk kishte asnjë dijeni lidhur me personat që pretendohet se janë rrëmbyer dhe mbajtur peng nga ana e SHIK-ut në atë godinë. Hasani u shpreh më tej se, për disa kohë ky objekt është mirëmbajtur nga ana e vëllait dhe kunatës së tij, të cilët merreshin me pastrimin dhe rregullimet e nevojshme. “Vëllai im së bashku me të shoqen ndodhen në Itali që prej vitit 1997”, - tha Hasani duke i dhënë përgjigje gjykatës.

Në seancën e djeshme gjyqësore ndaj të pandehurve Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avdyl Loshaj, dëshmuan dhe disa ish-punonjës të SHIK-ut përgjatë viteve 1992-‘97, të cilët nuk dhanë ndonjë ndihmesë të madhe në zbardhjen e çështjes, duke iu shmangur pyetjeve të prokurorisë. 
Tre ish-shikasit Sefgjini, Kumbaro dhe Koldashi, akuzohen për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës 14 vite më parë në Tiranë. Gjithashtu, mbi supet e tyre rëndon akuza e “rrëmbimit dhe torturimit të Ziso Kristopullit dhe Avdyl Loshajt”. Shumë nga dëshmitarët kanë deklaruar se në bazën e SHIK-ut në Vain të Lezhës, shumë njerëz janë torturuar në mënyra nga më barbaret.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›