Testamenti politik i Ernest Koliqit

"Shija e bukës së mbrume", një rrëfim midis legjendës dhe realitetit. Pikëpamjet e Koliqit për mërgatën shqiptare në Itali dhe Amerikë dhe përpjekjet e tyre në vitet e luftës së ftohtë 1945-1960. Romani u botua me pseudonim në mërgim në vitin 1960
Ernest Koliqi e nisi rrugën letrare me skica poetike ("Pasqyra e Narcizit"), me përmbledhje tregimesh ("Tregtar Flamujsh" dhe "Hija e Maleve"), me poezi, kritika, dramë, ("Rrâjët lëvizin"), studime, përkthime dhe e përfundoi me romanin "Shija e bukës së mbrume".
Në kopertinën e botimit të parë Romë, 1960, figuron emri Hilush Vilza, pseudonim i Ernest Koliqit, të cilin e përdorte shpesh në kryeartikujt e revistës "Shejzat". Romani u ribotua nga Camaj-Pipa në Shkodër më 1997, çka i dha mundësi publikut shqiptar të njihej me të.
Nuk dimë që autori të ketë shkrojtur ndonjë roman tjetër, madje fakti që e botoi me pseudonim, na shtyn të besojmë se ishte i vetëdijshëm që vepra do të ngjallte diskutime e kritika për mendimet politike të avancuara për kohën, ashtu sikurse ngjau vërtet kur u botua pjesë-pjesë te revista "Shejzat".
Rrallë herë veprat letrare shoqërohen me parathënie nga autori. Kjo ndodh vetëm në ato raste, kur ata e gjykojnë të domosdoshme t'i japin lexuesit shpjegime për t'ia qartësuar kumtin që përcjellin dhe për t'u vënë pritë vërejtjeve dhe interpretimeve pa baza.
Paraqitja (parathënia) e Ernest Koliqit e shënuar me inicialet H.V. (Hilush Vilza), shquhet për modesti, sens autokritik dhe sinqeritet. Ai e pranon se romani ka disa mangësi a të meta, prej të cilave vëren vendin e kufizuar që zë luftëtari Gjin Bardhok Frisku dhe intelektuali Foto Damushi, po ashtu dhe mosnjohjen e jetës së emigrantëve shqiptarë në Amerikë në gjerësi e thellësi.
Autori e vizitoi Amerikën disa herë, i ftuar nga dashamirët dhe miqtë e tij dhe një pjesë të atyre mbresave, sikurse përshkrimet e Nju Jorkut dhe të qytetit Charleston në Karolinën e Jugut, një oaz i rrallë i bukurisë së natyrës amerikane, i derdhi në roman.
Koliqi, mjeshtër i tregimit shqiptar, ndikoi në rrugën letrare të prozatorëve të rinj, të cilët e kundronin me respekt si mësuesin e tyre, ashtu sikurse edhe unë. I kam lexuar dhe i rilexoj me endje tregimet e tij ku pikturohet aq bukur bota shqiptare.
Romani "Shija e bukës së mbrûme" hulumton dramën shpirtërore të një të riu shqiptar, flakur jashtë atdheut nga pasojat e Luftës së Dytë Botërore. E para vepër serioze letrare që pasqyron gjendjen e mërgatës politike në Amerikë dhe në Itali, shqetësimet dhe përpjekjet e tyre në vitet e luftës së ftohtë 1945-1960 për të ndihmuar atdheun të lirohej nga zgjedha komuniste.
Koliqi e shkrojti romanin në fund të viteve '50, duke parashtruar pikëpamjet e tij, për të ardhmen e Shqipërisë, çka sot vlen të shihet si testamenti i vet politik. Ndihet pezmi për mërgatën e fragmentarizuar, të përçarë në mikroparti, që humb kohë dhe energji në diskutime të kota, pa patur synime të qarta për veprimtari konkrete, në kohën që atdheu vuan në regjimin sllavo-komunist.
Analizat e mprehta për gjendjen e Shqipërisë, shoqërohen me idetë e tij demokratike për strukturën e shoqërisë së ardhme paskomuniste, ku spikat vizioni i intelektualit evropian. Koliqi kishte besim se komunizmi, si ideologji e huaj, një ditë do të shembej në Shqipëri.
Subjekti, shtrati i romanit endet midis legjendës dhe realitetit. Janë të njohura legjendat që qarkullonin para lufte si në atdhe, si në diasporën shqiptare në Amerikë dhe anembanë globit.
Ato vërtiteshin rreth fatit të djalit emigrant që njihet me vajzën e bosit a të pronarit të fabrikës, bie në dashuri me të, martohet dhe pastaj e vë festen mbi sy duke shijuar luksin dhe kënaqësitë e sferave të larta të shoqërisë. Në kohën tonë, për fat të mirë, këto legjenda nuk dëgjohen më, se nuk i beson askush. A ka patur martesa të tilla fatlume në të kaluarën?
Vështirë të besohet që një emigrant i panjohur, pa pasuri tjetër veç krahëve të tij, të pranohet nga familjet e sferave të mesme të shoqërisë amerikane, se te të lartat jo e jo. Familjet tradicionale amerikane kanë parime të forta puritane dhe kurrsesi nuk mund të pranonin martesa të tilla.
Ato krushqi ishin pjellë e fantazisë së emigrantëve, ëndërrimet e tyre për t'i shpëtuar lodhjes fizike, ose mahi të lavdakotëve, për të habitur bashkatdhetarët.
Madje edhe në kohën tonë hasen kundërshtime të forta nga ana e familjeve amerikane, sapo marrin vesh se fëmijët e tyre duan të martohen me emigrante shqiptare, (ose të kombësive të tjera), pavarësisht se djemtë a vajzat e tanishme janë me arsim të lartë dhe me profesione të nderuara.
Romani ngërthen dramën shpirtërore të një djaloshi shqiptar, Jorgji Koja.
Protagonisti endet nëpër vende të huaja në kërkim të një caku që të rindërtojë jetën e vet. "Jeta e sejcilit të mërguem përfshin në vetvete nji dram të veçantë", shprehet Koliqi. Një sërë fatkeqësish bien mbi jetën e Jorgjit.
Qysh i vogël mbetet jetim dhe për ta rritur kujdeset ungji, Vasil Koja dhe hallë Vida, e cila e do me përkushtim si djalin e saj. Biografia e Vasil Kojës na kujton fatin e shumë atdhetarëve të orës së parë, të cilët shkrinë forcat dhe pasurinë e tyre për pavarësinë e Shqipërisë.
Pinjoll i një shtëpie tregtare në Durrës, Vasili "kishte veprue me dalldi të pashterrëshme për mëkambjen e nji Shqipnie së lirë", por pasi postet, kolltuqet, gradat e nderimet u përlanë nga ata që një pikë djerse a gjaku nuk e derdhën për atdheun, u la mënjanë, u harrua.
"Ndrrimet e pamshme, kryengritjet zhgatrruese, intrigat e vndasve dhe të huejve, moskuptimi i turmave të plandosuna në terr të padijes", kjo është analiza sintetike e Koliqit për vitet e pavarësisë. Pushtimi i atdheut nga Italia dhe qarkullimi i ideve të reja, e çoroditin Vasil Kojën.
Me vështirësi arrin t'i sigurojë nipit një bursë studimesh në Itali. Gjatë luftës komunistët duan të shfrytëzojnë emrin dhe gojtarinë e tij në shërbim të propagandës së tyre, por pasi ai refuzon dhe kalon në krahun nacionalist, ata e eliminojnë me anë të njësitit gueril. Humbjen e ungjit, e njeriut më të afërm e më të dashur, Jorgji e merr vesh në Itali dhe mbetet si "zog i truem".
Pas pak kohe vdes në mjerim dhe hallë Vida dhe kësisoj këputen të gjitha verigat gjinore të Jorgjit që e lidhin me atdheun.
Jorgji e humb toruan, nuk gjen prehje kurrkund dhe së fundi hyn në kampin e refugjatëve në Itali. I shqetësuar për fatet e atdheut, Koliqi shpalos mendimet e tij në dialogun midis Jorgji Kojës dhe Sadik Lumës. Koja pyet: "Si thue zoti Sadik, ky gjak e ky lot i derdhun ka me shkue kot?
S'kanë me xanë kurrgja shqiptarët tue u përshkrue në këto mjerime të papërshkrueshme?
Gjithmonë ka me u çilë goja e jonë në mallkime, shpirti ka m'u ushqye në mëni, dora ka m'u çue në kërcnim?" Dhe Sadiku përgjigjet: "Ke arsye, moj faqja e bardhë, me dyshue mbi mundësin e Shqiptarve m'u sjellun për së mbari e me u mbarështru në nji shtet me themele të shëndoshta e të patundëshme... Mbi nji themel urrejtje e dasije nuk ndërtohet kurrgja në kët botë, se ma lumnija e nji kombit jo se jo."
ipas Sadikut barra u takon të rinjve, të cilët duhet të lirohen nga robëria e modeleve të kaluara, duke zgjedhur palcën më të mirë për të ngjeshur brumin e Shqipërisë moderne. Këto mendime e vendosin Koliqin si flamurtar të ideve të reja, larg pasioneve politike të kohës, kur ngarkesat emocionale të palëvë ndërluftuese ishin të forta.
Ndërkohë Jorgji Kojës krejt papritur i vjen një ftesë prej kumbarës që jeton në Amerikë. Jani Berberi, (Dhjonizi), i ka siguruar bursë pasuniversitare nga një shoqëri mirëbërëse. Jorgji shkon në Nju Jork dhe me rekomandimet e mira dhe aftësitë e tij profesionale, arrin të fitojë postin e kirurgut në një spital me emër.
Kumbarë Jani rropatet ta afrojë me emigracionin shqiptar, por Jorgji i zhgënjyer