Gjakmarrja, rritet numri i fëmijëve të ngujuar

SHKODËR/ Ajli Alushani shprehet se fëmijët e ngujuar duhet t'i rikthehen arsimimit të tyre në qendrën e destinuar për ta në Poliçan, ashtu siç është vendosur nga Këshilli i Ministrave
SHKODËR - Gjakmarrja vijon të jetë problematike në Shkodër, aq më tepër që viktimat e saj vijojnë të shtohen çdo ditë. E si gjithnjë, ata që e vuajnë më shumë këtë problem janë fëmijët të cilët ngujohen në shtëpia, duke mos e gëzuar dot fëmijërinë e tyre, pa pasur mundësi zgjedhjeje.
Prindër të fëmijëve të ngujuar nga gjakmarrja, të cilët qenë të vendosur në qendrën për fëmijët e ngujuar në Poliçan, bëjnë apel që atyre t'u jepet mundësia të rishkojnë në shkollë. Prej 1 viti e gjymë 22 fëmijë të ngujuar që i përkasin zonës së Shkodrës dhe kanë ndjekur 2,4 vjet shkollim të rregullt në ambjentet e qendrës të ngritur për këtë qëllim nga qeveria kanë mbetur të bllokuar.
Pas problemeve të shfaqura prindërit i tërhoqën fëmijët pasi nuk pranonin që drejtuesit e qendrës dhe stafi të ishin meshkuj. Por ka kaluar 1 vit e gjysmë dhe shkollimi i këtyre fëmijëve është pezulluar, ndërsa prindërit i bëjnë apel shtetit që të plotësojë kërkesat e tyre të motivuara dhe fëmijët të mund jo vetëm të shkollohen normalisht, por dhe t'i largohen mjedisit të ngujuar.
Ndërkohë mësohet se numri i fëmijëve të ngujuar që në shtator do të kërkojnë shkollimin ka shkuar në 52 për shkak se vrasjet e ndodhura përgjatë këtij viti në Shkodër kanë krijuar viktima të reja mes fëmijëve.
Ajli Alushani, themelues i shoqatës "Për edukimin arsimor e social të fëmijëve të ngujuar" me nismë dhe kërkesë të së cilës u bë e mundur që shteti të investojë për krijimin e qendrës së fëmijëve të ngujuar dhe arimimin e tyre, shprehet për gazetën "Shekulli" se "arsimimi i këtyre fëmijëve në shkolla publike si gjithë të tjerët dha rezultat, pasi kjo ndodhi për 2 vjet e gjysmë në Poliçan dhe ndikoi dhe në anën psikologjike të tyre, duke i shkëputur nga mjedisi i ngujimit dhe frikës nga gjakmarrja, duke ndikuar në mosriciklimin e këtij fenomeni.
U gjet një ambient i përshtatshëm, siç ishte ish-spitali i Poliçanit, i cili u restaurua nga shteti dhe shkollimi i këtyre fëmijëve vijoi normalisht dhe në mënyrë të rregullt, - thotë Ajlushani.
- Po kështu u krijuan kushte sigurie për këta fëmijë. Është e pafalshme që këtij insitucioni t'i ndryshohet destinacioni duke u kthyer në shtëpi të moshuarish, pasi aty janë strehuar 6 të moshuar, ndërsa fëmijët e ngujuar të jenë të privuar nga kjo mundësi për t'u integruar, duke qenë larg problemit me të cilin përballen familjet e tyre: gjakmarrjen. Shkaqet që çuan në largimin e fëmijëve nga kjo qendër kanë qenë të motivuara dhe këmbëngulja e shtetit që të mos i zbatojë ato, është e pakuptimtë.
Prindërit kërkojnë drejtues femër, grua me përvojë në punën me fëmijët, që t'i kuptojë ata, të jetë e mundur që të punësohen aty 2-3 gra, nëna të fëmijëve me probleme gjakmarrjeje, të cilat nuk i kanë burrat dhe tani që ambjenti i tyre në Poliçan është vënë në shërbim të të moshuarve me probleme shëndetësore, duhet që ambjenti i fëmijëve të jetë i ndarë dhe të mos ketë komunikim mes tyre.
Shteti, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale dhe ajo e Arsimit duhet të ndërhyjnë fuqishëm që këta fëmijë të mund ta vazhdojnë shkollën rregullisht e të mos bëhen kontigjent gjakmarrjeje, që do të çonte në riciklim të fenomenit".
Ndërsa prindër të cilët kanë pasur fëmijët në Poliçan, shprehen se atje kanë qenë më të qetë pasi fëmijët mbaheshin nga shteti, ishin të sigurt dhe mbi të gjitha merrnin shkollim. "Ka fëmijë të ngujuar që marrin mësim nëpër shtëpi nga mësues të caktuar nga shteti, por kjo vlen vetëm që ata të mos mbeten analfabetë dhe nuk garanton vazhdimësi të arsimit të tyre.
Ne nuk e dimë se deri kur do të qëndrojmë të ngujuar, por dhe kur të mos jemi, për fëmijët tanë do të jetë vonë t'i rikthehen shkollës, jo vetëm për arsye se një 17 apo 18-vjeçar nuk mund të shkojë në shkollë me një 10 apo 11-vjeçar, por dhe shteti ka një limit moshe ku mund të frekuentohet shkolla", shprehen prindër që kanë pasur fëmijët në Poliçan.
Nikolin Marku, banues në një fshat në komunën Rrethina, shprehet se i kërkon shtetit që fëmijët e tij bashkë me të tjerët të dërgohen në Poliçan për të vazhduar shkollën. Për këtë duhet që drejtuesit e qendrës të kenë arsimin e përvojën e duhur dhe të jenë nëna që dinë të sillen me fëmijët.
"Sepse këta tanët nuk janë si gjithë të tjerët, - thotë Marku. - Kanë parë e kaluar tmerre dhe kanë boshllëqe në arsimimin e bërë me shkëputje. Kam dëgjuar se atje kanë strehuar pleq, por nuk mund të pranojmë që fëmijët të qëndrojnë me ta, pasi ata janë të sëmurë dhe gjithçka mund të ndodhë.
Fëmijët nuk mund të qëndrojnë me pleq në një vend dhe kjo nuk është tekë e jona, por një kërkesë normale. Duke strehuar aty të moshuar, shteti na detyron të mos i dërgojmë fëmijët.
Ne kërkojmë siguri, pasi kemi mjaft halle. Këta që na i kanë marrë fëmijët në besë, sipas kanunit që po na lë të ngujuar, kanë përcjellë këtë problem në shtet edhe në emrin tonë, por shteti nuk po don me i dhanë zgjidhje, edhe pse kjo është e lehtë dhe e mundshme", shprehet Nikolin Marku.
Ndërsa Shkurte Ndrevataj, banuese në Shkodër, e cila ka pasur katër djem në Poliçan dhe tani i ka mbushur moshën e shkollës edhe i pesti, shton se nuk po kërkojnë diçka që nuk bëhet.
"Nuk jemi ne që i themi shtetit cakto këtë apo atë person të kujdeset për fëmijët tanë. Ne vetëm kërkojmë që drejtuesja të jetë grua e nënë, dhe stafi të ketë femra që kujdesen për fëmijët.
Prania e 2 apo 3 grave nga nënat e këtyre fëmijëve në staf ka dhënë rezultat dhe më parë kur i kishim, pasi i kuptojnë më mirë. Tani shteti vendos atje pleq duke e shtuar pamundësinë tonë për të dërguar fëmijët atje",- shprehet Ndrevataj.
Lena Kola nga Shala e Dukagjinit shton se "vajzat nuk i çojmë dot atje ku ka staf e drejtues meshkuj, ndërsa ashtu si dhe djemtë, edhe vajzat nuk ndjekin shkollën.
Shteti duhet të na garantojë jetën e tyre dhe t'i japin mundësi të shkollohen. Nuk jemi ne që e duam këtë që na ka ndodhur, por nuk mund t'i ndryshojmë gjërat. Askush nuk e do këtë".
Alushani: Ministria nuk mund të ndryshojë destinacionin e qendrës
Ajli Alushani shton se "shteti ka marrë një vendim për këtë, ku caktohet destinacioni i qendrës për fëmijët e ngujuar. Ndryshimi që i bën Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale nuk është i parashikuar në ligj dhe madje është në kundërshtim me të.
Pse nuk zbatohet vendimi i Këshillit të Ministrave? Këta fëmijë nuk po arrijnë të marrin jo vetëm arsimim normal, por dhe po privohen nga kjo mundësi që iu dha njëherë.
Fëmijët e ngujuar që përfshihen në projektin "Shansi i Dytë" i MASH-it, janë fëmijë prindërit e të cilëve nuk kanë pranuar që për arsye të ndryshme t'i dërgonin në Poliçan, dhe arsimi i tyre në kushte shtëpie është i mangët dhe vetëm garanton të mosqenit analfabet. Por fëmijët e tjerë, ata që kanë qenë në Poliçan duan që të kenë shanse të barabarta arsimimi si të tjerët, meqë u eksperimentua dhe dha rezultat.
Ata kanë mësuar në shkolla publike me të tjerë, duke pasur mundësi të largohen nga mjedisi i vështirë ekonomik dhe psikologjik, ku jetojnë në atmosferën e frikës dhe gjakmarrjes".
Sipas Alushanit, "janë 52 fëmijë që kërkojnë që në shtator të kenë mundësi të strehohen dhe arsimohen në Poliçan dhe mes tyre ka fëmijë të familjeve, të cilat janë përfshirë në gjakmarrje gjatë muajve të këtij viti në Shkodër.
Lidhur me rikthimin e fëmijëve në Poliçan ka vendosur dhe komisioni parlamentar për çështjet sociale dhe mjaft organizma të shtetit janë dakord, por është Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale ajo që nuk pranon kërkesat e prindërve dhe së fundmi i ka ndryshuar destinacion qendrës duke strehuar atje të moshuar nga Tirana, Fieri etj". Mësohet se edhe në rastin më të fundit ku një polic vrau kolegun e tij, të afërmit e tij janë ngujuar nga frika e gjakmarrjes.