E Shtunë, 31 Tetor 2026

Testi i HIV/AIDS, kontrollet në nivele të ulëta

Testi i HIV/AIDS bëhet vetëm nga një përqindje tepër e ulët e popullatës. Edhe pse informacioni është shtuar dhe shumë prej shqiptarëve dinë se çfarë është kjo sëmundje, ende hezitojnë të bëjnë një kontroll mjekësor duke kryer testin e posaçëm për këtë sëmundje. Kjo pohohet jo vetëm nga mjekët e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, por edhe studimi demografik nxori si përfundim se shqiptarët nuk testohen nga sëmundjes së shekullit, HIV/AIDS. Në studimin e parë demografik shëndetësor në vendin tonë, i cili u bë publik disa ditë më parë, ngrihet shqetësimi nga strukturat e shëndetësisë, se përqindja e popullsisë që testohen ndaj HIV/AIDS, është tepër e ulët. Shqiptarët, - thotë drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, - nuk janë ende të sensibilizuar për të kryer kontrollet e herëpashershme ndaj sëmundjeve seksuale të transmetueshme, të cilat janë në rritje. Kemi ende ndërgjegjësim të ulët të popullatës për testimin e HIV/AIDS-it. Pra, nëse duket që njohuritë për HIV/AIDS-in janë duke u përmirësuar, testimi është ende shumë i ulët. Kemi filluar disa ndërhyrje para dy vjetësh, na duhet ti rishikojmë ato për të parë si ti bëjmë më të përdorshme nga popullata", - thonë mjekët. Një problem tjetër që shfaqet në popullatën e vendit tonë, është fertiliteti. Sipas mjekëve, fertiliteti është drejt rënies, ndërkohë që një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve nuk i përdorin metodat kontraceptive. "Megjithëse vërejmë që fertiliteti është duke rënë me shpejtësi, tashmë jemi në parametrat evropianë, 1.6 fëmijë për grua. Është shumë i ulët nga tradita shqiptare, metodat moderne të planifikimit familjar ende nuk përdoren aq sa duhen. Është bërë një rritje e lehtë, por jo aq masive sa për të shpjeguar këtë rënie të fertilitetit. Akoma shqiptarët marrin risqe lidhur me mënyrat e kontrollit të familjes", - shprehen mjekët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›