E Diel, 1 Nëntor 2026

Teuta pak gola, por shumë pikë Skënderbeu, ringjallen kampionët

“Djemtë e detit” kryesojnë, por korçarët duan të mbrojnë kurorën e tyre

Edhe në vitin 1994, kur doli kampion dhe as në vitin 2002 kur ishte për herë të fundit vërtet pretendente, skuadra e “Djemve të Detit” nuk ka arritur të fluturojë kaq lart. Teuta ndodhet sot e vetme në krye të superligës shqiptare, me 19 pikë pas 8 ndeshjesh. Vetëm 3 gola janë pësuar në këto 8 javë, gjë që të kujton skuadrën e sezonit 1993-1994 që u shpall kampione e Shqipërisë. Atë vit, durrsakët pësuan gjithsej vetëm 9 gola, në një kampionat që ashtu si sot, kishte 26 javë, pra rendimenti në mbrojtje i ekipit të Hasan Likës dhe Sulejman Starovës është thuajse pikë për pikë si në sezonin e titullit. Të tre golat, ekipi bregdetar i ka pësuar në “Loro Boriçi” të Shkodrës, në humbjen 1-3 ndaj Vllaznisë. Gjithsesi, 19 pikë në 8 ndeshje nuk janë pak, duke qenë një pikë më shumë sesa ato të fituara nga Teuta e sezonit 2001-2002, që kishte 5 fitore e 3 barazime pas 8 javëve të para të kampionatit.

Ndërkohë, një provë pozitive ajo e Skënderbeut. Pas një starti aspak premtues, kampionët e vendit dukset më në fund janë duke gjetur ingranazhet e duhura për të marshuar drejt mbrojtjes së kurorës. Në ndeshjen e luajtur të dielën në kryeqytet ndaj Tiranës, skuadra e drejtuar nga çeku Stanislav Levi ka bërë një paraqitje vërtet të mirë, madje duke qenë në pjesën më të madhe të ndeshjes më lart sesa 24 herë kampionët. Tanimë, fantazmat e 7 javëve të para duket se janë larguar dhe se në Korçë do të punohet për të rikuperuar diferencën prej 8 pikësh me Teutën kryesuese.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›